Bathore, prej dy ditësh banorët janë pa ujë dhe energji elektrike

541
Në Bathore problemi i mungesës së energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm ka qenë i përhershëm dhe vazhdon të jetë akoma. Në disa lagje ka dy ditë që mungojnë të dy këto elementë thelbësorë pa të cilët banorët shprehen se nuk mund të jetojnë. Kjo situatë po vazhdon po njësoj. Banorët shpresonin se do të ishte ndonjë problem i vogël që do të zgjidhej shpejt por jo. “Kemi dy ditë pa drita dhe nuk e dimë pse. Po presim që të na i sjellin por akoma asgjë në asnjërën prej shtëpive të lagjes sonë”, thotë një grua e kësaj zone. “Kam tre fëmijë të vegjël. Nuk di si ti ushqej sepse nuk ka drita që të gatuaj por nuk kemi as ujë të pijshëm. Jemi detyruar të blejmë në dyqan sepse uji i pusit nuk bën dhe kemi frikë mos bëhemi pre e ndonjë infeksioni”, përfundon ajo. Ankesat e tyre vazhdojnë akoma. Disa prej banorëve kanë shkuar edhe në zyrat e OSHEE për tu ankuar por thonë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Edhe pse ata po i paguajnë rregullisht faturat e dritave prapë ky problem vazhdon të jetë i pranishëm në shtëpitë e tyre. Por si të mos mjaftonte energjia elektrike, ka vazhduar të bëhet shqetësim edhe uji i pijshëm. Sikur të mos kishin puset private, ata shprehen se nuk do të dinin se çfarë të bënin apo si të vepronin. Fëmijët e tyre kanë nevojë të hanë dhe të lahen, por si duket situata do të vazhdojë e tillë edhe për ditët në vazhdim. Banorët shprehen se këto lagje që janë pa drita dhe ujë po bëhen edhe rrezik për ndonjë aksident të mundshëm në orët e vona të natës. Për shkak të errësirës së plotë aty nuk shihet asgjë dhe fëmijët që qëndrojnë ose dalin në rrugë natën mund të bëhen pre e aksidenteve. “Ne kur kishim drita i druheshim aksidenteve në këto lagje, sepse as rruga nuk ka ndriçim e jo më tani që po bëjnë disa orë. Nuk i lëmë fëmijët të dalin në rrugë natën sepse nuk i dihet”. Të gjithë banorët bëjnë thirrje që të zgjidhet ky problem dhe tu rikthejnë ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike sepse nuk mund të qëndrojnë më në këto kushte dhe në këtë situatë që për ta po bëhet e papërballueshme. 
Sigal