Mesila Doda “letër” Olldashit:Ti dhe vdekja nuk keni asnjë lidhje me njëra- tjetrën

    454
    Sigal

    Vetëm një ditë pasi e përcolli me lot e dhimbje për në banesën e fundit, mikun dhe kolegun Sokol Olldashi, deputetja demokrate Mesila Doda me fjalë shumë të thjeshta por edhe të ndjera i ka shkruar një mesazh për të fundit herë njeriut, që u nda kaq papritur nga jeta. Mesila në faqen e saj në Facebook shprehet:

    I dashur mik, po të shkruaj…

    Të shkruaj për të thënë që le kaq shumë gjëra pa mbaruar këtu në tokë, sa pesha e tyre po bëhet mal në supet tona, mal që ne nuk mundemi ta mbajmë, sepse askush nga ne nuk mund të bënte atë që mundeshe Ti. Të shkruaj për të thënë që njerëzit të deshën shumë. Kur shihja atë det njerëzish që lotonin dhe donin veç të të preknin për herë të fundit, kuptova që i kishe dhënë njerëzve një pjesë nga zemra jote…se të bësh politikë, siç dije ti, mundet ta bësh veç me zemër. Të shkruaj o mik për të thënë që vinin për lamtumirë e me lot në sy dhe ata që s’të deshën, dhe ata që të helmuan shpirtin e zemrën dhe ata që u friguan nga forca e zemrës që ti i jepje miqve, njerëzve, atyre mijëra e mijëra demokratëve, që dje vinin të të jepnin lamtumirën. Ti ishe shpresa e një njeriu të vërtetë, që kish mundur të bënte përpara në një botë që e kish pasur kundër dhe e kishe kundër qysh ditën kur linde. Vdekja jote nuk ka asnjë kuptim. Hezitoj ende të shkruaj fjalën “vdekje”, sepse ti dhe vdekja nuk keni asnjë kuptim bashkë. Kishe ende pjesën më të mirë të jetës për të jetuar, ndaj sot unë nuk kuptoj pse ai djalë që dinte t’i gjente zgjidhje çdo rruge pa krye, gjendet nën dhe, ndërsa ne miqtë e tu flasim për ty e nuk dimë pse nuk gjete kësaj here rrugën e shpëtimit, rrugën e jetës. Bashkë me ty shuhen shumë ëndrra, shumë shpresa, ndërsa ne jemi pa një mik të shtrenjtë, i vetmi në llojin e tij, politikani i zemrës, Sokol Olldashi!!

     PD-ja në zi për Sokol Olldashin, heshtje në selinë blu. Lule në karrigen bosh

    Ditë zie në Partinë Demokratike, një ditë pas dhënies së lamtumirës deputetit Sokol Olldashi ka pllakosur heshtja. Një zë i fortë do të mungojë në Parlament, një zë i fortë do t`i mungojë politikës shqiptare. Sokol Olldashi ishte një kontribut i madh në politikën shqiptare. Partia Demokratike nga dje vuan boshllëkun e lënë prej tij. Sot kolegët kanë vendosur  ta respektojnë me heshtje lamtumirën e tij. Qysh herët në bankat e gjimnazit, ngriti krye ndaj sistemit komunist, për tu ngritur me nxitim lart në politikën shqiptare, nxitim që një natë të lagësht nëntori i preu jetën në mes. Për Partinë Demokratike do të mbetet  gjithmonë, impuls dhe forcë, për Parlamentin një zë i përjetshëm, për mbështetësit një deputet i shtrenjtë, për familjen i pazëvendësueshëm, si kjo buqetë me lule e vendosur në vendin e mbetur bosh në grupin parlamentare.

    ….

     Nderim nga larg Sokol Olldashit

    Nuk e mendonim kaq të fortë pikëllimin për ikjen e papritur të tij. Flitet për njeriun që para së gjitha ishte njerëzor. Te fotografia mortore shiriti i zi në cep, pa e menduar askush kaq shpejt, i ka vënë kufi jetës së tij për ta kaluar te vdekja. Megjithatë, hijeshia atë vazhdon ta shoqërojë njëlloj edhe në atë udhë tragjike ku është nisur. Ai mbetet i bukur si i mbështjellë me dritën e lirisë. Tani nga portreti, po vëzhgon i palëvizur diku larg sipër kohës: botën që la pas ta pyesë për të fundit në ndarje me modestinë dhe dinjitetin e njohur të tij: ‘çfarë nuk kam bërë mirë për të kërkuar falje në ikje’!? Ndjen se për një pikëllim të tillë je në ëndërr e kërkon të zgjohesh që atij të mos i ndodhë kjo që ndodhi! Njerëz pa fund në përcjellje dëshmojnë vlerën e tij. Për më tej dëshmojnë gjykimin e njohur të Bonapartit në fund të jetës, se vlerësimin e saktë të një figure e përcakton një fuqi e pazyrtarizuar, e tërëpushtetshme dhe e pakomandueshme nga segmente qeverish  a grupimesh interesi të çastit. Kjo fuqi vërtetësie që zgjatet e saktë në kohëra është opinioni shoqëror që s’i nënshtrohet blerjes nga ‘lart’ me asnjë thesar apo ‘pazar’. Koha e bashkuar me këtë opinion, sadoqë të zgjatet, vlerat i vë në vendin e tyre ndërsa matrapazët e vlerësimeve e çmimeve i mbulon me hijen e turpit duke ia lënë historisë si kufoma herbariumi. Në këtë gjykim, Sokol Olldashit vdekja po i bën dhe një rivlerësim jetës së tij. E tillë, në figura si ai jeta dhe vdekja kanë harmoninë e llojit të vet.  E njoh nga afër ngaqë dhe nënën e tij, Kozetën fatkeqe e kisha një nga nxënëset e shkëlqyera dikur. Gjimnaziste flokë ari e sy të çiltër, e lindur për të qenë e lumtur në jetë, më dëgjonte me një buzëqeshje të hollë tek shpjegoja tragjeditë e shkrimtarëve, pa i shkuar në mënd se pjesë nga ato drama do t’i hynin në familjen e saj! (si një parandjenjë, prindërit e quajtën ‘Kozetë’, me emrin e vajzës së varfër e fatkeqe tek «Të Mjerët» e Hygoit! I biri, Sokoli që kur qe tre vjeç u takua nga afër me tmerret e diktaturës që do t’ia tjetërsonte buzëqeshjen e fëmijës; e po e njëjta parandjenjë fati, për ta përballuar jetën me drama, i vunë emër zogu fluturues «Sokol»!)  Me ç’fjalë mund ta ngushëlloj sot ish nxënësen time aq të dhembshur!? Në fatkeqësi të tilla fjalori i gjuhës tkurret e fjalët e sakta për ngushëllim nuk i gjen dot. Po vinte demokracia, e pa qenë as 20 vjeç Sokoli i doli përpara lirisë pasi ajo qe pjesë e munguar e tij. Ai ishte i vërtetë për demokracinë pasi asaj iu afrua nga porta e vuajtjeve. Ai nuk foli para njerëzve e kolegëve duke klithur për të qenë i besueshëm. Ai e dinte se thirrje të tilla dëshmojnë mungesën e së drejtës e kësaj ai s’i trembej. Shpirti i gëzueshëm prej të riu me plagë diktature i afroi natyrshëm muzikën dhe poezinë, për t’u marrë me to. Më dha disa vjersha t’ia shikoja. I thashë të vazhdonte se kish talent. Pas ca kohe i la përgjysmë. E pyes e më tha duke qeshur çiltër: «Njeriu o të bëhet artist i plotë, ose mos ta shqetësojë artin»! E pyes: «A duhen falur ata që të nxijnë jetën pa ua patur borxh»?! M’u përgjigj: «Secili duhet të pyesë plagët e tij». Iu shmang poezisë për t’iu dhënë i tëri demokracisë. Ai nuk shpiku ‘shkallë’ për t’u ngjitur lart! Aq më tepër për asnjë rast nuk do bënte shkallë me viktima. Demokracia i zgjati duart si birit të vet i cili e kish pritur që i vogël, dhe ai shkoi me të.  Gjithmonë i qetë e i mençur, edhe kur partia e kundërt e ndiqte e partia e tij e ‘digjte’! Kurse ai me besim shpesh fëminor tek e drejta , mbetej më i hijshëm kur humbte se kur fitonte. U godita për vdekje, e ai erdhi të më shihte. Më dha lehtë dorën pa folur dot një fjalë. Kish një dhimbje njerëzore që e mbante për vete (sot ia kujtoj atë dhimbje shoku në fytyrën e tij, si një rrezatim i vetvetishëm i shpirtit human! Mekanizmin e shuarjes së tij në një errësirë shiu tanimë ia ka dorëzuar vdekjes. Në takimin e fundit i erdhën nga çdo anë, pozitë dhe opozitë. Duke ikur, ai dha një mësim të madh: «Jemi ç’jemi në çdo parti, duhet të jemi bashkë si ‘Shqipëri’!» Këtë mësim ua shtroi kolegëve të çdo ane edhe sipër vdekjes së tij. Është nga njerëzit që vdekja mund t’ua rrëmbejë jetën edhe para kohe, por emrin nuk ua përvetëson dot. Ai mbetet i hijshëm e i qeshur në fotografi pasi e di që trupi i vajti në banesën e fundit, kurse emri i tij vazhdon t’u kthejë vizitën miqve pa fund. Duke u ndarë nga jeta, më bëhet se një çast është nisur të më takojë në Zvicër me një bllok lirikash të rinisë në duar.

    Agim Shehu, Gjenevë      

    Agim M. DOÇI

     Kushtuar mikut tim Sokol Olldashit

    Janë dy binjake JETA dhe VDEKJA

    E nuk e di se kush i lindi…?

    E randë, e hidhun, qenka DHIMBJA

    Të baj GAJRET, askush s’më BINDI!

    O Zot i Madh, vall’ pse e more

    Djaloshin tonë, ishte i Ri?!…

    GREMINË e mbrapshtë ku dreqin dole?!

    Sa NATË e zezë, sa SHI I zi…

    Kur nxihet NATA, madje dhe SHIU

    Na merr ATA që s’kthehen pas.

    SOKOL VËLLA, ishe NJERIU

    Që të mbaj mend veç BUZAGAS!

    Atje ku ENGJËJT e kanë folenë

    Atje të morri dhe PERËNDIJA

    SOKOL VËLLA, shokët të NDJEJNË

    Të NDJEN çdo zemër, dhe SHQIPËRIJA!

    Nuk të them dot, jo LAMTUMIRË!

    Nuk të them dot, nëm një cigare!

    TI miku im, me SHPIRT të mirë.

    Pse IKE VLLA?…ike PËR FARE?!

    Kush e mallkoj familjen Tuaj

    Që vuajtët shum’, pa merituar?!

    Kjo TRAGJEDI, vëlla më thuaj!

    Vall’ pse na ra ra?!..Gur i rënduar…

    Por ja që FATI, të ishte shkruar…

    Na mbushe shpirtin me VAJ dhe LOT.

    Askush s’beson, që je larguar…

    Në UDHË pa kthim…po pse o ZOT?!…