Mehdi Pogaçi: Sabahu gdhihet përmbys

    353
    Sigal

    Reagim për intervistën e Drejtorit të Përfitimeve të ISSH

     Në një intervistë të dhënë në një media vizive, Drejtori i Përfitimeve të ISSH-së, Sabah Goci thotë se: – Ushtarakët që fitojnë pensionin me gjyq do të kthejnë paratë.  Me sa duket Sabahu është gdhirë përmbys, pasi ka mbi 20 vjet në të njëjtin vend pune dhe, pasi i del gjumi letargjik, nuk di çfarë deklaron. Ai nuk e di çfarë do të thotë të të largojnë nga puna dhe sidomos para kohe, të kesh fëmijë për të rritur dhe familje për të mbajtur, pa përmendur këtu një sërë faktorësh të tjerë që i bëjnë ushtarakët të gëzojnë një status të veçantë dhe prandaj ata e kanë një të tillë. Sabahu,  me deklaratat e tij, nuk e di se ku synon, por po përpiqemi t’i analizojmë.  A kërkon Sabahu të nëpërkëmbë shtetin ligjor, shtetin e të drejtës, ku mbi gjithçka  sundon ligji dhe jo sabah – maliqi e kompani? A kërkon Sabahu të nëpërkëmbë dhe të dalë mbi vendimet e formës së prerë të gjykatave, nga shkalla e parë deri te ajo e lartë, duke thënë se nuk do të njihen vendimet e formës së prerë të këtyre gjykatave?! E di shoku – zoti Sabah se vendimet e gjykatave të formës së prerë nuk mund t’i zhbëjë askush as vetë ajo gjykatë, e cila e ka dhënë vendimin? E di zoti – shoku Sabah se, sipas Kushtetutës, gjykatësi ka të drejtë të japë edhe vendime në kundërshtim me ligjin kur e gjykon se ligji është i gabuar? Dhe në këtë  rast zbatohet vendimi i gjykatës dhe jo ligji. Ka disa vite që Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, me shtytjen e ISSH, u drejtohen dhe ridrejtohen gjykatave, nga shkalla e parë deri te ajo e lartë, duke mos pritur që njëra çështje t’i kalojë të gjitha shkallët. Kështu, mjaft herë, ushtarakëve u ka takuar të zhvillojnë proces gjyqësor për të njëjtën çështje, të përsëritur, njëkohësisht në shkallën e parë dhe në atë të lartë. Më shqetësuesja është se këto përsëriten, pavarësisht se i humbasin gjyqet. Dhe shteti paguan për rihapjen e çështjes, askush nga drejtuesit  nuk paguan për rihapjen e tyre edhe pse e dinë se i kanë të humbura.

    A kërkon Sabahu të  trembë shërbimin përmbarimor, i cili, nga dita në ditë, po fiton tiparet dhe të drejtat që i takojnë me ligj për zbatimin e vendimeve të formës së prerë të gjykatave? Mos kërkon zoti – shoku Sabah ta rikthejë përmbarimin në stadin kur ai shërbim ishte shtetëror dhe nuk zbatonte gati asnjë vendim gjykate?  A kërkon Sabahu të trembë ushtarakët , t’i bëjë ata të pakënaqur dhe t’i verë  në opozitë me qeverinë e sotme? Përse zoti – shoku Sabah (është disa herë i konvertuar pasi ka mbi 20 vjet në të njëjtin vend dhe nuk dihet mirë përkatësia e tij) nuk e ka trajtuar, personalisht, më parë këtë problem, por tani? Po përpiqet ai t’i shërbejë pozitës së sotme, duke dashur ‘’të ulë pensionet e ushtarakëve’’ apo opozitës së sotme me këto deklarata të papërgjegjshme, duke dashur t’ia kundërvërë ushtarakët  qeverisë dhe maxhorancës aktuale?

    Gjithashtu, kur flet për zbatim të Aktit  Normativ ai i  kundërvihet maxhorancës së sotme, e cila u ka premtuar ushtarakëve shfuqizimin e këtij akti antiligjor, antikushtetues dhe anti- ushtarak. Dua t’i kujtoj Sabahut se pozita e sotme, dje në opozitë, megjithëse kishte braktisur parlamentin për shkak të dhunës së asaj maxhorance, hyri në seancat parlamentare ku u diskutua për Aktin Normativ, duke e stigmatizuar atë dhe duke votuar kundër tij, pavarësisht se ai u miratua me shumicën e kartonëve të  ish maxhorancës. Sabahu, në intervistën e tij, na përmend zbatimin e vendimit nr. 2 të 18 shkurtit të vitit 2013, por ai harron se ka një vendim nr. 7 të vitit 2007 dhe një vendim nr. 33 të vitit 2010, vendime të cilat nuk janë shfuqizuar dhe ruajnë të drejtën e zbatimit të tyre. Vendimi nr. 33 i Gjykatës Kushtetuese është pikërisht kundër ligjit nr. 10142 të vitit 2009, i cili vazhdon të zbatohet padrejtësisht, duke e ulur masën e pensionit të parakohshëm në minimale dhe duke i kthyer një pjesë të mirë të ushtarakëve në pension të parakohshëm në debitorë. Këtë trajtim, Sabahu, kërkon ta thellojë më tej, duke dëshiruar të shkelë edhe mbi vendimet e formës së prerë të  gjykatave. Ky vendim, sqaron mirë mënyrën e zbatimit të nenit 29 të ligjit nr. 10142, duke theksuar se ai duhet të zbatohet vetëm në mënyrë pozitive, kur nga rillogaritja masa e pensionit rritet më shumë se shuma e llogaritur nga vendimet e gjykatave, por asnjëherë duke e zvogëluar atë masë, pasi do të cenonte sigurinë juridike të ushtarakëve. Vendimi nr. 2, nuk bën gjë tjetër, veçse rrëzon një kërkesë të një shoqate pa anëtarësi për rrëzimin e Aktit Normativ. Nuk ka asnjë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, nga Shoqata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit apo shoqata e sindikata të tjera përfaqësuese të kategorive që trajtohen në ligjin nr. 10142 për Aktin Normativ, pasi, siç e theksova më lartë, vendimi nr. 33 i Gjykatës Kushtetuese e sqaron dhe vulos mënyrën e zbatimit të nenit 29 të ligjit.

    Ose diversioni i Sabahut është shumë i sofistikuar ose  ai nuk e kupton se çfarë thotë, por ne nuk mund ta lejojmë të shkelë mbi ligjet dhe mbi të drejtat ligjore të ushtarakëve. Në emër të  ushtarakëve dhe të të gjithë punonjësve të kategorive të përfshira në ligjin nr. 10142, i kërkojmë Kryeministrit dhe Ministrit të Financave largimin e menjëhershëm të Sabah Gocit, jo vetëm nga detyra e drejtorit, por edhe nga ISSH, sepse është amortizuar shumë në të njëjtin vend pune dhe nuk e kupton se Qeverisë sot i kërkohet ndërtimi dhe zbatimi i shtetit ligjor dhe jo i atij antiligjor e autokratik.

     *Presidenti i Shoqatës  Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë