Mbetjet spitalore depozitohen në periferi të lagjes “30- vjetori”

786
Sigal

BERAT/ Drejtoria e Shërbimit Publik: Për të ndaluar këtë fenomen duhet të organizohen të gjitha hallkat e bashkisë

Lagja “30- vjetori” në Berat, ku jetojnë rreth 20 mijë banorë po kthehet në një vendgrumbullimi për plehrat. Aty depozitohen pa kriter inertet, të gjitha mbetjet spitalore, kafshë të ngordhura e me pak fjalë çdo mbeturinë e qytetit të Beratit shkarkohet aty, nga makinat e pastrimit, por jo vetëm, duke e mbushur kështu pjesën periferike të lagjes me male plehrash. Situata është vërtet serioze dhe banorët që jetojnë aty pranë e kanë ngritur disa herë këtë shqetësim, por askush nuk ka indinjuar të bëj diçka. Prandaj Bashkia e Beratit, e cila është në dijeni të këtij shqetësimi urban, duhet me patjetër të japi urdhër që këto male plehrash të mos shtohen akoma më shumë, por të gjendjet një vend tjetër, larg qendrave të banuara. Era është kundërmuese, thonë me të drejt banorët dhe gjatë ditës nuk guxojnë që të hapin as dritaret. Madje aty, midis plehrave shikon edhe individë të ndryshëm që i trazojnë duke kërkuar ndonjë hekur apo gjëra plastike që mund t’i shesin në pikat e grumbullimit. Ajo që i shtonë rrezikun banorëve është djegia e tyre, sepse plehrave u vihet flaka pothuajse çdo ditë. Kjo bëhet nga personat që i depozitojnë aty në mënyrë që malet me plehra të mos rriten shumë. Ndoshta kjo është e vetmja mënyrë për të përballuar fluksin e madh të mbetjeve, të cilat shkarkohen në një vend kaq të vogël. Përveç banorëve që kanë shtëpitë aty, jo më larg se 50 m, është edhe një shkollë 9-vjeçare, kopshti dhe qendra “Lira”, ku mësojnë dhe jetojnë fëmijët me aftësi të kufizuara. Kur i pyesim për vendgrumbullimin e plehrave banorët shprehen për gazetën “Telegraf” se, askush nuk i dëgjon kërkesat e tyre. “Nuk kemi ç’të bëjmë, ky ishte fati ynë. Kur ndërtuam shtëpitë tona këtu nuk ishin plehrat. Tani vitet e fundit kanë filluar që të shkarkohen tonelatat çdo ditë. Aty hidhen edhe mbetjet spitalore dhe të them të drejtën frik kam kur digjen, sepse ato janë përdoruar edhe për sëmundjet e këqija dhe dihet çfarë lëshojnë në ajër. Gjatë pasdites jemi të detyruar t’i mbajmë fëmijët brenda, madje as dritaret nuk i hapim dot. Sëmundjet dhe infeksionet na janë shtuar”, thotë Mereme Toska, 42 vjeç, banore e lagjes.

Bashkia

Për këtë problem u interesuam në drejtorinë e Shërbimit Publikë pranë Bashkisë së Beratit, por aty na u tha se, disa herë këto plehra janë pastruar, por persona të papërgjegjshëm vazhdojnë dhe hedhin sërish inerte, plehra dhe kafshë të ngordhura. Ata e pranuan se gjendja është e rënduar në këtë lagje, por thanë, gjithashtu, se për të ndaluar këtë fenomen duhet të organizohen të gjitha hallkat e bashkisë. Pa ndëshkime konkrete të firmave dhe personave që hedhin inerte apo plehrat, në këtë zonë nuk do të ketë qetësi. Qyteti muze dhe pjesë e UNESCO-s dhe mbi të gjitha që vizitohet nga qindra turistë, të ketë këtë pamje skandaloze është absurd,- u shprehën një grup banorësh të kësaj lagje.