Festohet 69-vjetori i çlirimit të Sarandës

3405
Sigal

Kreu i Shoqatës së Veteranëve të rrethit, Sadik Muhamuçi, ka sjell episode nga luftimet dhe heroizmi i partizanëve

Mëngjesi i 9 tetorit 2013 është gdhirë mëngjesi i 69 viteve, ku Saranda merr frymë e lire nga çizmja nazifashiste. Është gdhirë  9 tetori i 69-të, ku Saranda ecën në rrugën e përparimit dhe zhvillimit të sajë, duke u kthyer në një perlë e bukurive joniane në jugun e Shqipërisë dhe metropolis i turizmit shqiptar me ambicie rajonale përtej kufijve shtetëror. Me këtë rast, në lapidarin e ngritur në Qafë-Gjashtë për nder të luftimeve, luftëtarëve dhe të të rënëve për çlirimin e Sarandës dhe Delvinës, janë mbajtur homazhe dhe vendosur kurora me lule. Pjesëmarrësit kanë qenë veteranë e pasardhës veteranësh, përfaqësues të forcave politike e të zgjedhur të pushtetit vendor si dhe nxënës e mësues të shkollës që mban emrin e datës së çlirimit të qytetit “9 Tetori” me drejtor Guri Tartari. Fillimisht i ka përshëndetur kreu i degës së shoqatës së veteranëve të rrethit, ish-partizan i brigadës së XII Sulmuese të LANÇ-it dhe pjesëmarrës në luftimet e çlirimit të qyteteve Sarandë e Delvinë, z.Sadik Muhamuçi, i cili në fjalën e tij ka sjell episode nga luftimet dhe heroizmi i partizanëve për çlirimin e qyteteve jugore Sarandë e Delvinë, pas urdhrit të shtabit të përgjithshëm të UNÇL dhe komandantit të përgjithshëm, Enver Hoxhës për çlirimin e jugut shqiptar. Në fjalën e tij z.Muhamuçi ka sjellë, edhe ndihmën e aleatëve anglezë, të cilët me goditjet e artilerisë shkatërruan fortifikimet e nazifashistëve dhe u hapën rrugën forcave partizane për hyrjen në qytet dhe marrjen e situatës. Por është përmendur edhe akti human i xhenierit gjerman, i cili në përpjekje për të çminuar u plagos rëndë, por shpëtoi popullsinë vendase nga kasaphana e lëndës shpërthyese. Në emër të Bashkisë së Sarandës ka folur n/kryetarja Rajmonda Gjoni, e cila përmendi përpjekjet e njësisë vendore për respektimin e vlerave të LANÇ-it si një nga pjesët më të lavdishme dhe më heroiket e popullit shqiptar, por edhe mbështetjen e vazhdueshme të bashkisë ndaj veprimtarive të shoqatës së veteranëve, ku me programe të caktuara të bashkisë janë trajtuar dhe mbështetur të gjitha datat dhe ngjarjet e LANÇ-it, por edhe nevojat e veteranëve. Kjo nuk do të mungojë edhe në të ardhmen, sepse historia që ata bënë, radhitja në krahët e fitimtarëve të luftës së dytë botërore kundër murtajës nazifashistëve dhe bashkëpuntorëve të tyre, na bën të ndjehemi krenarë para botës dhe të barabartë mes fitimtarëve, ndonëse popull i vogël, por me heroizëm të madh. Mbështetja e bashkisë nuk do të mungojë asnjëherë në respektimin e vlerave të LANÇ-it, ka nënvizuar n/kryetarja Gjoni në përshëndetjen e sajë. Aktivitetet kanë vijuar në sallën e bashkisë në një mbledhje solemne, ku përsëri janë sjell episode nga çlirimi i Sarandës si dhe rreziku që i vjen historiës së LANÇ-it. Më pas Bashkia e Sarandës ka shtruar një koktej për pjesëmarrësit.