Faturinot e urbanëve në bashkëpunim me dispeçerat, vjedhin qytetarët e Tiranës

    608
    Sigal

    Vëzhgim/Transporti Urban, mangësi shërbimi. Qytetarët nuk marrin biletat në këmbim të lekëve

    Qytetarët e Tiranës nuk janë të kënaqur me shërbimit urban. Problemet dhe ankesat e tyre nuk kanë të sosur. Mjerisht dhe për fat të keq, shprehen ata, nuk mjafton shërbimi për të ardhur keq dhe mbipopullimi i urbanëve, por shpesh nuk na japin edhe biletat, përkundrejt lekëve që ne japim. Jo vetëm kaq, por shërbimi urban në linjat Unaza, Institut- Kamëz, Kombinat, Yzberisht, Kinostudio, Porcelani, Uzina, etj janë në nivele të padëshirueshme.

    -Rrjeti i shërbimit, ( punonjësit e shoqërive) të linjave urbane kanë mungesë etike dhe komunikimi. Shprehemi me fakte të gjalla të përjetuara tashmë, sidomos në disa linja problematike ku faturinot, “të përzgjedhur” praktikojnë metoda të përfitimit personal me lekë xhepi kundrejt biletës.

    -Qytetarët thonë se marrin lekët dhe nuk na japin biletën. Ata mendojnë se këto para mund të ndahen edhe me ndonjë epror të tyre apo “dispeçer”. Këtë nuk e dimë, pasi ai është organizim i brendshëm i vjedhësve. Pasagjerët mbeten të befasuar me këtë lloj vjedhje “në mes të ditës me diell”. Ka edhe nga ata pasagjerë “kokëfortë” që reagojnë duke kërkuar biletën. Përgjigjet janë nga më befasueset. Ka faturino “trima” që të venë në lojë duke të thënë “kur e do, si e do…” e të tjera përgjigje që të bëjnë ta ndiesh veten keq, pse i kërkove biletën!? Megjithatë, pasagjerët të fyer fillojnë të ngushëllojnë njeri-tjetrin duket kritikuar gjestin.

    -Femrat janë të detyruara edhe me “porosi” të shoferëve “të pafajshëm”, apo edhe të vetë faturinove, sekserë të xhepistëve të mbajnë çantat të shtrënguara pranë gjoksit.

    -Burrat duhet të qëndrojnë me një dorë të kapur diku që të mos përplasen dhe dorën e djathtë ta mbajnë tek xhepi për të ruajtur portofolët… Kush nuk zbaton këtë “rregullore”, e pëson si ata që kanë lënë pensionet apo pagën mujore të sapo marrë.

    -Moment tjetër i shërbimit urban që të vret është koha. Që të nisesh për në punë, me unazën nga stacioni i “Vasil Shantos” deri te Kryqëzimi i Spitalit “Nënë Tereza” do ta bësh për 45’ deri në 48’. Kjo është normalja pa trafik.

    Linjat: Qendër-Kristal, Qendër-Yzberisht, Qendër Linëz nuk njohin abonetë dhe kartat e veteranit dhe invalidit

    Në disa nga linjat e shërbimit urban i mohohet e drejta e udhëtimit me abone ose falas për shtresa dhe individë, të caktuara sipas rregulloreve dhe VKM në linjat e transportit urban në Tiranë. Aktualisht në Tiranë disa linja të shërbimit urban punojnë në shkelje të VKM-ve për njohjen e abonesë, kartës së invalidëve, të veteranëve, sikurse mund edhe të zbatohen në disa prej linjave. Sikurse nga të gjithë ne dihet se shumica e qytetarëve tiranas frekuentojnë  udhëtimin me urban, ku relativisht udhëtojnë 60.000 qytetarë në ditë në këto linja, kundrejt biletave dhe aboneve përkatëse. Nga statistikat janë mbi 20.000 invalidë, 10.000 veteranë që janë pajisur me dokument dhe ju njihet e drejta e udhëtimit falas në këto linja, të njohura dhe nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas (SHKTQ). Por jo të gjithë këto persona në nevojë po e gëzojnë këtë të drejtë të fituar dhe të shqetësuar dhe të dhemb shpirti ti dëgjosh këta njerëz, tek thonë ashtu me zërin e butë dhe lutës?!: Pse në linjat  tona të shërbimit urban nuk duan t’ia dinë për dokumentin që ne kemi qoftë si invalid i punës, invalid i luftës, dhe abone?! Por, çfarë ndodh  vërtetë në këto linja të vetëquajtura shërbim urban: Qendër-Kristal, Qendër-Yzberisht, Qendër Linëz, sepse janë me dhjetëra punëtorë dhe studentë që frekuentojnë këto linja dhe nuk ju njihet e drejta e abonesë. Ja si shprehen qytetarët:

    1.         Si është e mundur dhe ku e gjejnë këtë “guxim” drejtuesit e këtyre linjave,  për të vepruar kështu, duke i trajtuar udhëtarët me dy lloj standardesh ?

    2.         Ndërkohë kur këto linja e kryejnë aktivitetin e tyre brenda njësisë administrative të bashkisë Tiranë, atëherë si është e mundur të veprohet në këto mënyra, duke mohuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, ndërkohe që në linjat e tjera ka zbatim të rregulloreve edhe për këto shtresa të popullsisë?

    3.         Mesa dimë ne, thonë qytetarët, këto linja janë të licensuara nga komunat (Farkë, Dajt), atëherë, pse nuk veprohet ashtu sikurse në linjën e Vorës që i njeh dhe zbaton detyrimet e VKM-së deri në kufirin administrativ të bashkisë ?

    Çfarë duhet bërë për të pasur një transport urban në shërbim të qytetarit dhe për qytetarin

    -Institucionet që kanë përgatitur kuadrin ligjor për kategoritë e ndryshme të udhëtarëve të ushtrojnë detyrën e zbatimit të ligjit nga të gjitha linjat e shërbimit urban.

    -Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të jetë në nivelin aktiv dhe të ushtrojë detyrën me qëllim që të ndërpresë rrugën subjekteve të palicensuara.

    -Të punohet që të gjithë udhëtarët të gëzojnë të drejtën e tyre sipas ligjit

    -SHKTQ-s, të bashkëpunojë me organet përkatëse për të siguruar qytetarëve rregullsinë e udhëtimit .