Kol Nikollaj: “Policia e Shtetit “vegël” e turqve. Shteti të marrë masa!”

    526
    Sigal

    Flet kreu i Konfederatës së Sindikatave z. Kol Nikollaj: Kemi mbi 100 vjet që kemi dalë nga kufijtë e Perandorisë Otomane. Turqit të zbatojnë ligjin shqiptar!

     Policia e Shtetit është kthyer në një ‘vegël’ të pronarit të firmës turke “Limak”. Ditën e djeshme, në ditën e pestë të grevës së punonjësve shqiptarë të kompanisë nënkontraktuese LIMAK në HEC-in e Banjës, Policia e Elbasanit ka ndaluar padrejtësisht grevistët Flamur Sulmina, Rifat Rami, Besnik Gjika dhe Arben Hoxha. Ky fakt tronditës përbën një skandal dhe dështimin e radhës për Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, që në bashkëpunim me firmën turke po i bëjnë presion psikologjik punonjësve të HEC-it. Firma turke, pas presionit psikologjik dje të punëtorëve të HEC-it, se nëse nuk kthehen në punë, do t’u ndërpritet kontrata, gjeti mbështetjen edhe të policisë shqiptare, e cila arrestoi disa prej protestuesve, për t’i shkuar edhe më tej kërcënimit të saj. Ndërsa për kreun e Konfedetarës së Sindikatave Kol Nikolla, protestuesit nuk kanë thyer asnjë ligj. “Ky është presion psikologjik i bashkëpunimit Polici-Firma Turke”, shprehet në një intervistë për “Telegraf”, z. Nikolla.

      Cilat janë kërkesat e punëtorëve të HEC-it të Banjës, në mënyrë që më pas t’i rikthehen punës?

    Punëtorët kërkojnë gjërat më elementare. Së pari, zbatim korrekt të legjislacionit shqiptar të punës: Punë 8 orë në ditë dhe jo 12 si deri më sot; Punë 40 orë në javë; Pagesë sipas ligjit për turnet e dyta, të treta, ditë festash e pushimesh; Përmirësim kushtesh e siguri në punë konform ligjit për Sigurinë e Shëndetin në punë; Ngritjen e Këshillit të Sigurisë e Shëndetit në punë, si dhe me kryesoren; Nënshkrimin e kontratës kolektive të Punës konform Ligjit Shqiptar të Punës dhe Konventave Europiane e atyre të Organizatës Botërore të Punës, të ratifikuara nga vendi ynë. Këto janë kërkesa krejt legjitime dhe minimale për të garantuar besimin e të dy palëve dhe për të rifilluar punë menjëherë.

     A i kanë kryer detyrat e tyre si duhet ministritë përkatëse, apo janë “të pafuqishme” përballë dhëndrit të Erdoganit, që është pronari i “Limak”, firmës nënkontraktuese për kryerjen e punimeve në HEC-in e Banjës?

     Ministria e Industrisë dhe Energjetikës është ministria që ndjek dhe kontrollon zbatimin e marrëveshjeve koncensionare, ndërsa ajo e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ndjek dhe kontrollon marrëdhëniet e punës ndërmjet punëmarrësve, që përfaqësohen ligjërisht nga sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve, gjë që e realizojnë nëpërmjet strukturave dhe agjencive ligjzbatuese që varen nga këto ministri. Fatkeqësisht, të dyja këto detyra nuk janë realizuar, jo vetëm tek kjo firmë, por tek shumë punëdhënës të tjerë, sidomos tek ato nënkontraktorët këto mungojnë. Me gjithë përpjekjet tona të vazhdueshme, duket hapur që këto instrumente të shtetit nuk funksionojnë në mënyrë harmonike dhe ligjore. Problemet e rregullave të marrëdhënies së punës dhe sigurisë së punës tashmë janë bërë si një patate përvëluese që të dy këto ministri po ia hedhin njëra-tjetrës. Ata që e marrin faturën janë punëtoret që skllavërohen dhe sindikatat që  punojnë nën presion. Zyrat e punës dhe Inspektorati Shtetëror i Punës nuk vetëveprojnë sipas ligjit, por duhet vetëm të vihen në lëvizje në mënyrë të sforcuar nga sindikatat, të cilat shpesh dhe dëgjohen vetëm formalisht. Punëtoret flasin dhe argumentojnë edhe për tangjente korruptive të elementeve apo segmenteve të caktuara nga këto institucione. Në cilësinë e zv/kryetarit të Këshillit Kombëtar të Punës do kërkoj urgjent një mbledhje jashtë radhe, për të analizuar këtë situatë, e cila po agravon shpejt, negativisht!

    Flitet që pronari i firmës nënkontraktuese është dhëndri i familjes Erdogan, por kjo nuk na intereson. Ne tashmë kemi mbi 100 vite që kemi dalë nga kufijtë e Perandorisë Otomane dhe punë ditësh do shkrijmë kufijtë me Brukselin. Kjo mund t’i interesojë ndonjë politikani dallkauk apo ndonjë shefi lokal policie që merr gabimisht mbi vete përgjegjësi te pamerituara. Ne kemi besim tek Kryeministri Rama që këtyre matrapazëve do t’u japë dënimin e merituar. Ne si sindikata e vetme ligjore dhe avokate besnike e punëtoreve na interesojnë standardet europiane të punës dhe të sigurisë e shëndetit në punë, të cilat do t’i realizojmë me çdo çmim! Ne e respektojmë Erdoganin, por si President i një vendi mik, jo si shef policie, as si matrapaz nënkontraktor që skllavëron punëtoret në shekullin e 21!

     Ju jeni shprehur se firma e nënkontraktuar për punimet në HEC-in e Banjës ka punësuar punëtorë turq, pa leje pune, por që janë me vizë turistike. Si vepron ligji shqiptar në këto raste?

     Ligji shqiptar përcakton qartë se raporti i të huajve me shqiptarët duhet të jetë 1:10, ndërsa ky raport sot është mbi 4:10. Kjo është tepër alarmante dhe punëtoret kanë me dhjetëra raste që i njohin dhe e dinë që janë pa leje pune, por me viza turistike (madje pa viza, se vizat me Turqinë kanë vite që janë hequr). Kjo formë klandestine u vërtetua dhe në Mirditë. Ndiqet rruga e Kosovës për hyrje-daljet e tyre, në mënyrë të paligjshme. Besoj se strukturat e shtetit duhet të angazhohen, pasi kjo dëmton dhe Sigurinë Kombëtare!

     A e  dini se, sipas mediave turke, pronari i firmës “Limak” (dhëndri i Erdoganit) është hetuar nga drejtësia turke për falsifikim, etj.?

     Ka fjalë dhe sidomos nga mediat, që pronari i kësaj firme ka pasur probleme me ligjin në Turqi. Për ne nuk është rasti i parë, as i fundit. Edhe me parë është aluduar për gjëra të tilla, por është detyrë e organeve ligjzbatuese të shtetit t’i verifikojnë këto gjëra dhe të marrin masat e duhura. Në rastin konkret, duke pasur suporte të fuqishme politike, kjo është më e ndërlikuar.

     A besoni se strukturat e shtetit do të ndërhyjnë në zgjidhjen e kësaj situate?

    Ne kemi besim që shteti shqiptar ashtu siç ka treguar edhe në raste të tjera do jetë në anën e ligjit dhe të punëtoreve. Sindikatat i kanë të gjitha mjetet për t’i realizuar qëllimet e tyre të ligjshme. KSSH-ja vazhdimisht ka qenë stoike në anën e punëtoreve, por dhe bashkëpunuese me shtetin për të siguruar punë me rregulla dhe me dinjitet për anëtarët e saj edhe ky rast do zgjidhet pozitivisht, besoj. Në të kundërt ne kemi përvojën dhe pjekurinë e duhur për t’i treguar vendin cilido qoftë, që nëpërkëmb punëtoret dhe interesat e tyre legjitime!

    Policia dhe turqit, presion psikologjik grevistëve

     Policia e Elbasanit ka ndaluar padrejtësisht grevistët Flamur Sulmina, Rifat Rami, Besnik Gjika, Arben Hoxha. Ata janë në përmbushje të ligjit të grevës. Nuk kanë thyer asnjë ligj! Ky është presion psikologjik i bashkëpunimit Polici-Firma Turke. Do ankohemi në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministri, menjëherë. Ndërsa kemi lënë takim me Drejtorin e Policisë për këtë problem.

     Ledjana Saliu