Ing. Vladimir Marku/ Sektori i naftës i lënë në harresë nga qeveritarët

    500
    Sigal

    Duke marrë shkas nga vizita e Kryeministrit z.Edi Rama në Qarkun e Beratit dhe inspektimi që i bëri kompanisë që kryen shpimin e pusit për kërkim në zonën Molisht –Shpirag, e mora iniciativën t’i rikthehem viteve të shkuara të ish-ndërmarrjeve të naftës që kanë operuar në këtë qark. Në këtë qark kanë operuar NSHK.(sot QSHNK), NNK.(sot QPNK). UMNK si dhe një sektor shpimi në varësi të Nd. Shpim – Shfrytëzimit me qendër në Patos. Ky sektor për shkak të reformave të asaj kohe sot mbush 20 vjet duke e ndërprerë aktivitetin e tij. Indicja për këtë shkrim është se sot në këtë qark nuk është kryer asnjë punim për shpime të reja nga QSHNK, në këtë vendburim ekzistues, gjë të cilën ka sjellë uljen drastike të prodhimit të naftës në QPNK. Ky sektor i fuqishëm plotësonte kërkesat e NNK për puse të rinj, pasi zotëronte një park sondash të kapaciteteve të vogla si URB, Bu-40, Tomorri-50. Po ashtu janë mbushur 20 vjet që shpime me sonda shqiptare nga e vetmja QSHN, e cila ekziston me të gjithë infrastrukturën e duhur, nuk janë bërë. Bëjmë pyetjen: si është e mundur, çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh? Po analizojmë një teori të asaj kohe që ka ekzistuar se: vendburimet ranore si në Kuçovë, Patos-Marinëz, nuk mund të mbahen pa puse të rinj duke dendësuar rrjetin apo me zvogëlimin e numrit të puseve të fondit të ndalur si dhe me aplikimin e metodave të dyta si injektim avulli ose ujë alkalin për vete vetitë karakteristike të naftës të këtyre vendburimeve. T’i rikthehemi viteve, çfarë është bërë në Kuçovë në periudhën 1984-1994? Në Kuçovë operonin mbi 10 sonda me kapacitete të ndryshme. Në këto vite u shpuan 400-500 puse të rinj, nga të cilat kanë qenë puse special afërsisht 50 (me puse special nënkuptojmë puse me orientim ose puse të inklinuar) që kishin si qellim të shfrytëzonin shtratin e lumit Devoll ose nënobjekte të ndryshme si shtëpi banimi, fusha sportive etj.. Në këtë periudhë janë korrigjuar dhe puse të kontingjentit të fondit të ndalur. Si janë realizuar këto shpime? Këto shpime janë realizuar me sonda të tipeve të sipërpërmendura jashtë kapaciteteve shpuese, por me një profesionalizëm të lartë. Dikush sot mund të mos i besojë këto që po thuhen. Ato janë realitete të padiskutueshme. Nga kjo punë e palodhur e tërë ekipit të specialistëve të asaj kohe, shpime dhe nxjerrje, u rrit një prodhim ditor 300-350 ton naftë. Inventari i puseve që ka qenë ato vite kalonte mbi 1700. Bëjmë pyetjen tjetër, po sot sa janë? Janë më pak se 700. Çfarë ka ndodhur? Pse është shtuar fondi i puseve të ndalur? Çfarë po bëhet për të rritur numrin e puseve aktiv? Këtu nuk mund të mos përmendim se lëvizjet demografike të njerëzve kanë uzurpuar dhe puse nafte, pasi dihet se si ka funksionuar shteti ndër këto vite. Me të vetmen njësi ose QPNK, sot punësohen rreth 350 punonjës. Po të bëjmë një analize të thjeshtë financiare rezulton si më poshtë: sot nga kjo njësi nxirret 48-50 ton naftë bruto në ditë. Një ton është e barabartë me 5 fuçi, një fuçi është e barabartë me 85 dollarë, pra një ton ka vlerën 425 dollarë, 50 ton 21250 dollarë në ditë. Zëri kryesor i shpenzimeve është paga e punonjësve. Paga për çdo punonjës është 50000 lekë, pra në total shpenzimet e punonjësve shkojnë në 17500000 lekë. Nga sa duket QPN Kuçovë që të mbulojë shpenzimet e zërit paga, duhet të nxjerrë 400 ton naftë ose 8 dite prodhimi. Po e ndërpresim vazhdimin e bërjes së analizës financiare pasi nuk disponojmë të dhëna të sakta, thelbi i kësaj analize na çon diku tjetër. Duke u nisur se në vendburimet ranore po mbushet 20 vjet që nuk bëhen shpime nga ana jonë, qeveritë shqiptare ndër vite kanë dhënë me koncesion shfrytëzimin e vendburimit Patos-Marinëz. Për kompanitë koncesionare, për kushtet, për sipërfaqet e akorduara unë nuk di shumë, por di që në këtë vendburim operon Bankers Petrolium, me një prodhim ditor 3000 ton naftë. Të detajuar, se si e përfiton këtë prodhim nafte kjo kompani nuk e dimë, por mendojmë se përftohet nga puset ekzistues të trashëguar nga kompania Albpetrol si dhe puset e rinj. Me sa dimë kjo kompani dendëson rrjetin duke shpuar puse të rinj horizontal nga një kompani shpimi nënkontraktore. Nuk jemi të sigurt për numrin e puseve se sa për qind të debitit 3000 ton në ditë ai realizon me puset e rinj, por jam i bindur se peshën kryesore e mbajnë këta puse. Ne nuk dimë fizibilitetin e këtyre punimeve të shpimit, nuk dimë debitin e pusit për 24 ore etj., etj., por shqetësuese për mua si specialist, si qytetar, nuk e përtyp dot që investimet e kompanisë për 9-10 vjet, të jetë i barabartë me vlerën e naftës që del pasi kompania nuk paguan tatim-fitim. Po të ballafaqojmë këta tregues të kompanisë Bankers Petrolium me ato të QPN-ve që operojnë në kuadër të shoqërisë anonime Albpetrol, më jepet e drejta që të them se ato duhet të mbyllen automatikisht, ose të shiten përfundimisht, se ne nuk i shfrytëzojmë dot se jemi të paaftë. Si specialist mua nuk më rezulton kështu pasi kompanitë koncesionare me të dhënat që rezulton, i duhen edhe 7-10 vjet që të rezultojnë me fitim, që kjo mbase ndodh kur mbyllet afati koncesionit. Çfarë fituam me këtë koncesion? Hiç asgjë, u shkatërruan shtëpitë e qytetarëve tanë nga shfrytëzimi barbar i vendburimit, u vodh pasuria kombëtare, pasuria e brezave tanë. Prandaj kjo kërkon një vëmendje nga ana e qeverise sonë, ministrisë së linjës dhe në veçanti kompania Albpetrol sha, për vetë kushtet që po kalon ekonomia shqiptare sot. Sot duhet drejtuar një investim i vogël, sipas mendim tim: Ringritja e qendrës së shpimit Kuçovë me detyre: dendësim rrjeti të vendburimeve ekzistuese me puse vertikal, me puse horizontal, riparim dhe rivënie të puseve të fondit të ndalur, pasi të gjitha kushtet ekzistojnë. Kjo është plotësisht e realizueshme, pasi infrastruktura nuk mungon, si kompania Albpetrol sh.a. disponon personel inxhiniero-teknik shumë të afte dhe me kualitete të larta. Kjo është një kërkesë imediate për vitin 2014, pasi nga vënia në punë e këtij sektori do të realizohet një rritje prodhimi për vitet e ardhshme, si pasojë do të sjelle të ardhura në buxhetin e shtetit si dhe do të siguroje shtim të fuqisë punëtore. Kjo realizohet duke organizuar një debat me të gjitha shërbimet teknike të QPN-ve, shërbimet gjeologjike, si dhe specialistët më të mirë të të gjitha fushave, që të përcaktojnë fushat e lira që disponon kompania Albpetrol, duke parë fizibilitetin e tyre. Që të realizosh këtë program, duhet vullnet si nga ministria e linjës, si dhe kompania Albpetrol, duke vënë në plan të parë profesionalizmin. Zhvillimi i industrisë së naftës nuk realizohet me ndarje parcelash nga politika, por me mendim teknik të avancuar. Unë nuk pretendoj që ekonomia jonë të realizojë investime të rendit 200 milionë dollarë për të realizuar shpime në struktura të reja, por kërkoj investime 2-3 milionë dollarë, që është plotësisht e realizueshme për sektorin e shpimeve. Për këtë i drejtohem edhe njëherë titullarëve të dikastereve të qeverise shqiptare, ligjvënësve të qarqeve Berat, Fier, Vlorë, që të mos lejojnë privatizimin e kompanisë Albpetrol. I bëj thirrje në mënyrë të veçantë kryetarit të komisionit të ekonomisë në parlamentin shqiptar, zotit Erjon Braçe, që ta pengojë këtë privatizim, siç ka bërë dhe në legjislaturën e mëparshme, pasi tani është dhe më i fuqishëm. Kam besim të kontributorët e sotëm në këtë fushë, që të veprojnë e të bëjnë diçka, sepse është në dorën e tyre. Shpreh respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë pasuri kombëtare ndër vite.