Bashkia e Tiranës binjakëzohet më Bashkinë grekë të Mandras

557
Sigal

Kryetari i  Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha priti kryetarin e Bashkisë së Mandras në Atikë z. Jorgos  Dhrikos

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha priti sot në një takim kryetarin e Bashkisë së Mandras në Atikë-Greqi z. Jorgos Dhrikos së bashku me personat që e shoqërojnë. Në takim ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Greqisë në Shqipëri z. Leonidas Rokanas. Kryetari i Bashkisë së Mandras viziton Shqipërinë i ftuar nga kryetari i Njësisë Bashkiake Nr.2 të Tiranës z. Elez Gjoza. Kujtojmë se Njësia Bashkiake Nr.2 e Tiranës është e binjakëzuar me Bashkinë e Mandras në Atikë. Duke i uruar mirëseardhjen në Tiranë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha vuri në dukje se menjëherë pas viteve ‘90-të populli grek priti me dhjetëra dhe qindra e mijëra  shqiptarë që shkuan atje për një jetë më të mirë, dy popujt, më të vjetrit e Ballkanit, kanë shumë më tepër gjëra që i bashkojnë se ato që i ndajnë. Detyrë e të gjithëve, vazhdoi z.  Basha, është që marrëdhëniet dypalëshe t’i ngremë në një nivel të ri, me përpjekje të përbashkëta këto marrëdhënie mund të arrijnë nivele të tilla, të cilat tani as që mund t’i përfytyrojmë. Ambasadori i Greqisë z. Leonidas Rokanas, duke folur në takim, theksoi se nga përparësitë kryesore të Ambasadës dhe atij vetë, është avancimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të gjithanshme politike, ekonomike, sociale, kulturore etj., midis dy vendeve tona. Këto marrëdhënie njohin së fundi një zhvillim të ri, por ky zhvillim nuk do të ishte i plotë pa kontributin edhe të të zgjedhurve vendorë, por edhe të shoqërisë civile, dhe pikërisht këtë gjë bëjmë ne sot. Ambasadori përsëriti angazhimin e Greqisë për  të ndihmuar Shqipërinë për integrimin europian të saj. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Mandrës z. Dhrikos, pasi përmendi se me hapjen e Shqipërisë, Mandra, si gjithë rajonet e Greqisë, hapi dyert dhe u ofroi mikpritje mijëra Shqiptarëve, vuri theksin tek rëndësia që kanë kontaktet në nivel lokal, gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të njerëzve të thjeshtë. Nga binjakëzimi i dy bashkive, theksoi z. Dhrikos, ata që do të përfitojnë, janë në radhë të parë vetë qytetarët dhe banorët e këtyre bashkive.