Drejtuesit e autoveturave 8+1 zhvilluan dje në mënyrë të koordinuar një protestë kombëtare të shtrirë në të gjithë vendin, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë që rruga e kthimit të jetë pa pasagjerë. Drejtuesit e furgonave kanë bllokuar qarkullimin në rrugën Tiranë-Elbasan për rreth një orë në shenjë proteste, ndërkohë që të njëjtën gjë kanë bërë edhe drejtuesit e furgonave në akse të tjera kombëtare. Është bllokuar një krah i autostradës Kukës-Tiranë, rruga nacionale në Qafë -Plloçë. Mësohet se në Qafë Plloçë radha e furgonave ka shkuar në disa kilometra. Edhe në Vlorë gjithashtu është bllokuar dje një krah i rrugës në hyrje të qytetit. Në protestën e Fushë- Krujës janë mbledhur taksitë 8+1 nga Tirana, Laçi dhe Kruja. I bllokuar ka qenë edhe aksi nacional Shkodër-Tiranë tek ura e Bahçallëkut. Në Elbasan drejtuesit e furgonave janë mbledhur në qendër të qytetit për të vijuar protestën e tyre. Protesta e Taksive ka vijuar edhe në Burrel, Berat, Kuçovë, Fier dhe Durrës. Sipas drejtuesit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja është shprehur për mediat se kjo do të jetë një protestë miting në të gjithë Shqipërinë, sepse nga kjo situatë e krijuar janë prekur 20.000 drejtues të autoveturave në të gjithë vendin. Ndërkohë, nëse deri nesër nuk ka një reagim nga Qeveria dhe Ministria e Transporteve, drejtuesit e furgonave do të zhvillojnë një protestë të përgjithshme përpara Kryeministrisë.

















