Vlora pret në errësirë të deleguarin e Kryeministrit

500
Sigal

Loja e Ministrisë së Energjetikës dhe Drejtorit Arben Seferi në emërimin e Drejtorit të TEC-it të Vlorës

Vlora është qyteti nga ku qenka e shkruar të nisë zanafillën historia e Shqipërisë së pavarur dhe e shqiptarëve. Në Vlorë u ngrit Flamuri, nga Vlora u hodhën në det italianët në 1920-n, në Vlorë në 1997-n ka nisur ngjarja më e rëndë e tragjedisë së firmave piramidale e shoqëruar me qindra mijëra viktima. Po në Vlorë, nisi shpresën Rilindja Socialiste. Por kjo Rilindje e premtuar me aq bujë për shqiptarët në 23 Qershor duket se po krijon përditë e më shumë pakënaqësi tek qytetarët në të gjithë vendin dhe sidomos tek socialistët e ndershëm. Anëtarët dhe simpatizantët e PS-së, intelektualë dhe specialistë u hodhën në rrugë në kohën, kur një pjesë e atyre që sot erdhën në pushtet sabotuan socialistët në vitin 2005. Sot “sabotatorët” kanë kapur postet më të rëndësishme për veten, duke u bërë ministra dhe këshilltarë. Ata kanë punësuar familjarët e tyre, ndërsa socialistët e ndershëm dhe armata e ish- ushtarakëve, arsimtarëve, punonjësve të shëndetësisë, minierave, nëpunësve të talentuar dhe qindra e mijëra njerëz të ndershëm kanë marrë shuplakën, duke mbetur rrugëve. Agallarët e rinj nuk i pyesin, madje, i shpërfillin ata që deri dje, u puthnin dorën para kutisë së votimit. Sot, këta pehlivanë që nuk kanë lidhje me të Majtën dhe që nuk u janë dhimbsur kurrë socialistët nuk pyesin as për përfaqësuesit legjitim të popullit, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Joshja me të gjitha format, materiale, monetare dhe epshore janë kriteri bazë i punësimit në administratë. Pse jo më të preferuar janë ata që kanë lidhje me të Djathtën ose kanë punuar për të Djathtën gjatë zgjedhjeve. Dihet se socialistët, për shkak të këtyre veprimeve të papërgjegjshme të reflektuara në këto vitet e fundit kundrejt elektoratit u përfaqësuan me 66 mandate në Kuvend, më i ulëti në këto 16 vitet e fundit. Edhe në kohën kur socialistët dorëzuan pushtetin në 2005-n, kishin plot 67 mandate. Sigurisht, kjo dhe ata që “humbën” në ato zgjedhje do jenë në vazhdimësi objekt i përditshëm i analizave të situatës dramatike, ku po zhytet Partia Socialiste. Por le t’i kthehemi gjendjes konkrete në qytetin bregdetar të Vlorës, objekt, i së cilës u bënë me dhjetëra telefonata dhe ankesa të qytetarëve dhe socialistëve të ndershëm të qytetit heroik të Vlorës së Flamurit. Shkak për këtë analizë u bë pushimi nga puna i një socialisteje dhe specialisteje nga Orikumi. Mbarime Merkaj është kryefamiljarja që ushqente me punën e saj si faturiste në Orikum veten, nënën 91 –vjeçare dhe një motër të papunë në këto 8 vite. Kjo e fundit, në Orikum dhe Vlorë njihet si aktivisjta e Edi Ramës, pasi në çdo miting dhe në çdo aktivitet ajo ishte me flamurin socialist në krye të mitingjeve dhe protestave popullore, sikurse ishin ato të kryera pas vrasjeve makabre të 21 Janarit në bulevardin kryesor të Kryeministrisë, ku sot janë strehuar pushtetarët aktualë. E kontaktuar nga “Telegraf”, Mbarimja nuk flet, por vetëm qanë e zhgënjyer nga pushtetarët lokalë dhe padrinot e ardhur nga Tirana me atribute të deleguara, sipas tyre, nga Kryeministri Rama. Këshilltari i Kryeministrit sot ka në dorë fatin e Qarkut të Vlorës dhe asnjë emërim nuk bëhet pa u selektuar nga dora e tij. Kriteret dihen, sepse tashmë ato janë kthyer në modë. Shpresojmë dhe besojmë që deklaratat e bëra dhe përdorimi i autoritetit të Ramës të jetë një lajthitje e këtij këshilltari mjeran. Jo për gjë, po shumë shpejt do ta shohë veten si në ëndërr, pasi vlonjatët “sipas kokës të vënë edhe qylafin”. “S’kam lënë vend pa u ankuar,-thotë Mbarimja, por nuk më jep përgjigje askush. E vetmja gjë më thonë se, është porosi nga lart. Po kush, nga lart u jep porosi për mua, një faturiste në Orikum dhe fshatrat e dukatit ? …”. Kam kërkuar ndihmën e deputetëve, por këta si pyet njeri më duket, sepse ligjin e bëka një njeri që punon tek zyrat e Ramës në Tiranë.  Ky rast u bë shkak që ne të investigojmë skandalet që kanë përfshirë emërimet në Vlorë  dhe sidomos në CEZ . Pasojë e marrëzisë me specialistët, elektricistët dhe nëpunësit është Vlora e zhytur gjatë gjithë dimrit në errësirë të plotë.

Drejtori Arben Seferi dhe Këshilltari i Ramës “tender” për elektricistët e fshatit 

Janë plot 20 elektricistë në qytetin e Vlorës dhe 35 në fshatra që presin të rifillojnë punë në 14 nënstacionet e qarkut. Bllokimi i tyre  dhe  lënia e vendeve të punës  bosh janë shkaku i avarive dhe errësirës që ka përfshirë Vlorën, bregdetin dhe fshatrat e tyre. Madje, kur ikin dritat prej defekteve, paguhen elektricistë privatë, të cilët futen në kabina dhe rregullojnë vetëm zonat e lokaleve, pasi për banesat s’e vret mendjen njeri. Drejtuesit lokalë të partisë, në qytet dhe në rreth, kanë bërë takime me Drejtorin e Përgjithshëm të  CEZ-it, Arben Seferi  dhe kanë rënë dakord që të dërgohen listat e vendeve bosh, duke respektuar të gjitha kriteret profesionale. Por lista  ka vajtur në Drejtorinë Qendrore të CEZ dhe është bllokuar nga “Moni” i  Kryeministrit. Pa firmën e tij nuk fillon askush, megjithëse këto lista i kanë  përgatitur strukturat  e partisë. Në këtë katrahurë  të krijuar me qëllim në Vlorë të gjithë heshtin dhe gëzojnë me fatkeqësinë e Vlorës dhe vlonjatëve. Socialistët vlonjatë dhe nëpunësit e ndershëm u larguan gjatë këtyre 8 viteve nga arsimi, shëndetësia, porti, dogana, ushtria, policia, hipoteka, mjedisi, posta, tatimet  etj..  Në vend të tyre erdhën ata që sillte kapua i dikurshëm i qytetit me 3000 euro për një vend pune. Dhe këta vlonjatët e mbajnë mend  mirë, por kurrë nuk menduan se do të përsëritej nga Rilindësit e rinj të 23 Qershorit.

 Loja e Ministrisë së Energjetikës me emërimin e drejtorit të TEC-it të Vlorës

I vetmi investim energjetik që nuk u vu asnjëherë në punë nga qeveria “Berisha”, por që u ndërtua për të fituar  tenderin nga njerëzit e atëhershëm është TEC-i,  i cili ndodhet në pyllin e sodës. Drejtuesit e Partisë Socialiste në Vlorë vendosin unanimisht për të emëruar drejtor, një specialist që vjen nga radhët e së Majtës. Çuditërisht, ndërkohë që, pritej të bëhej prezantimi, Ministria e Energjetikës emëron një drejtor tjetër. Kriteri i këtij të fundit, ishte shumë me leverdi, si për ata që e propozuan, por, edhe për miratuesit e tij. Këtu fillon telenovela, në të cilën përfshihen të votuarit, shteti dhe pushteti lokal e partiak. Deputetët e zonës dhe krerët e partive, së bashku me njerëzit që kanë influencë në Vlorë i propozojnë ministrit të Energjetikës kandidaturën e tyre të përbashkët për postin e Drejtorit. Në këto kushte, Ministria e Energjetikës, duke u ndodhur ngushtë nga ky presion, shkarkon Drejtorin e emëruar vetë dhe vendos drejtorin e propozuar nga strukturat e partisë dhe deputetëve të zonës. Por  historia  tragji-komike vazhdon… Drejtuesit e lartë të Ministrisë së Energjetikës dhe ata të CEZ-it  ushtrojnë kontroll, për të parë gatishmërinë e rojeve të TEC-it dhe, duke qenë se i gjejnë në “gabime” dhe jashtë gatishmërie kërkojnë shkarkimin e drejtorit. Por naivët harruan se, rojet i cakton me tender vetë drejtoria qendrore dhe jo ajo e TEC-it. Veç kësaj, drejtuesit e rinj të TEC-it deklarojnë se nëpërmjet kamerave të vëzhgimit, nuk ka ardhur asnjë kontroll dhe se e gjithë historia e gatishmërisë së rojeve të TEC-it ishte tërësisht një sajesë e turpshme. Kjo bëri që, drejtuesit e Ministrisë Energjetikës dhe CEZ-it të tërhiqen me ‘bisht ndër shalë’, duke pranuar turpin. Por gallata është edhe më e madhe, kur dështimit të “kontrollit” imagjinar i shtohet fakti që, edhe vetë TEC-i nuk ka fare kamera dhe ishte provokimi i punonjësve të TEC-it, ai që, nxori zbuluar ministrinë e Energjetikës. Një detaj  që  e bënë edhe më qesharake telenovelën “TEC-i i Vlorës”,  ka të bëjë më faktin se Drejtori i Sigurimeve Shoqërore kërkoi t’i transmetojë Drejtorit të TEC-it, urdhrin e shkarkimit (me atributin e Kryetarit të PS-së së qytetit). Si mundet një Drejtor i propozon shkarkimin një tjetër drejtori?! Megjithatë, situata e emërimeve vazhdon të jetë e rëndë dhe se në ditët në vazhdim, do ju njohim me disa skandale, në emërimet që mbajnë nga pas vulën e këshilltarit të Kryeministrit, Drejtorit të CEZ-it, Arben Seferi dhe dikasterit të Energjetikës…