Edi Rama, me të njëjtat gabime, sikurse në 2009-n

488
Sigal

Kryetari i PS-së, përjashton,  paraprakisht, çdo aleancë me forcat politike që janë kundër qeverisjes “Berisha”

Nga intervista e fundit e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, në “Top Story” dy gjëra ia vlen që të mbajmë shënim. E para, që PS-ja do të këmbëngulë, si një fëmijë kapriçoz, në të drejtën e saj për Qarkun e Fierit dhe nuk i intereson, më aspak, që Shqipëria, shqiptarët do të humbasin për herë të tretë mundësinë e integrimit në BE. Ka të drejtë PS-ja në kërkesën e saj? Edhe ta marrim si të mirëqenë, pyetja më madhore është: A mundet PS-ja që gjithë procesin e integrimit të Shqipërisë ta lidhë me Qarkun e Fierit? A mundet opozita dhe PS-ja, që fitoret politike të sajat t’i kushtëzojë me proceset e integrimit të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë? Dhe ca më shumë, a mundet  PS-ja t’i balancojë kërkesat e saj me aspiratën më të madhe të gjithë shqiptarëve, siç është anëtarësimi në BE? Edi Rama e provoi njëherë, pas 2009-s, politikën e bojkotit dhe me sa duket, nuk ka nxjerrë mësimet e duhura. Edi Rama nuk e ka kuptuar që politika e bojkotit të Kuvendit, për ndërkohën shumë të gjatë, nuk i dha asnjë përfitim kapital politik, përkundrazi. Mundet  që moszbatimi i vendimeve të gjykatave për qarkun e Fierit të bëhet kauzë politike për PS-në, që të justifikojë bojkotin e marrjes së statusit kandidat? Ndaj, një tjetër politikë e bojkotit, të procesit të integrimit, qoftë edhe moszbatimi i vendimeve të gjykatave për qarkun e Fierit, do të jetë sërish një humbje e kredibilitetit politik të PS-së. Një çështje e dytë që Kryetari i PS-së ngriti në intervistën e vet, ishte edhe deklarata e tij politike, që PS-ja nuk do të bëjë aleancë parazgjedhore e paszgjedhore me AK-në dhe FRD-në. Kjo deklaratë e  pardjeshme e Edi Ramës, natyrisht, që të kujton Edi Ramën e 2009-s, kur deklaronte, po me kaq siguri politike, që ai vetë nuk do të pranonte asnjë aleancë me LSI-në e Ilir Metën. Edhe atëherë, Kryetari i PS-së, Edi Rama në 2009-n kishte sigurinë e plotë politike që ai do të ishte fituesi i zgjedhjeve, meqë kishte bërë aleancë me popullin. Mos harroni sloganin: “Dialog me Shqipërinë”.  Më 2009, Edi Rama kishte më shumë arsye, se sa tani, që të ishte i sigurt për një fitore, pa LSI-në. Ishte edhe  Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Kishte më shumë pushtet, kishte më shumë edhe ndihmesa financiare, pse ta mohojmë këtë. A duhet, që Kryetari i opozitës, të bëjë një deklaratë, kaq herët nga ditëzgjedhja parlamentare, që të përjashtojë nga aleanca opozitare forca politike që janë kundër qeverisjes së sotme? I teprojnë gjë votat Kryetarit të Opozitës socialiste Edi Rama, që të deklarojë se nuk pranon të bashkëpunojë me këdo forcë politike që është kundër kësaj qeverisjeje? Vetë Kodi Zgjedhor, është i tillë, që kushtëzon bashkëpunimin, aleancën me këdo forcë politike, me qëllim që të fitosh shumatoren qeverisëse. A ka Edi Rama ndonjë sondazh që të jetë i sigurt në një shumatore qeverisëse, duke përjashtuar paraprakisht forcat politike? Nuk mund të besosh në një përgjigje pozitive. Edhe sikur të jetë e vërtetë, prapëseprapë, Kryetari i opozitës nuk mundet kurrsesi që të mohojë, të përjashtojë çdo bashkëpunim politik, kaq herët nga ditëzgjedhja. Këto zgjedhje, të përjashtimeve politike nga kryetari i PS-së, dëshmojnë se Edi Rama përsërit të njëjtat gabime politike të 2009-s. Po të kishte një vizion politik më të qartë për aleancat, Edi Rama, do të ishte edhe sot në qeverisjen, pasi e majta në Shqipëri e kishte shumicën qeverisëse. PS-ja, sikurse në 2009-n, më shumë i vetëbeson sloganeve të saj politike, në mungesë të alternativave bindëse për një politikë ndryshe. Çdo forcë politike, që edhe pse është kundër qeverisjes Berisha,  nëse nuk bashkohet me opozitën, është rrjedhje, është humbje për vetë opozitën.