Seri Allushi/ Të amendohet Ligji 7501

    465
    Sigal

    Shoqata  “AK DUKATI” kërkon miratimin e nismës së deputetit Mediu për zbatimin e Kushtetutës në zonën bregdetare Vlorë-Sarandë

    Një përfaqësi e disa Degëve të Shoqatës “AK Dukati”  u mblodh në Tiranë për të analizuar e diskutuar rreth nismës së deputetit z. Fatmir Mediu “Për amendimin e legjislacionit përkatës lidhur me kthimin e pronave pronarëve që i trashëgojnë në zonën bregdetare Vlorë-Sarandë”. Pjesëmarrësit përshëndetën iniciativën e deputetit Mediu dhe njëherësh sollën në vëmendje se gjatë 23 vjetëve të demokracisë pronarët e ligjshëm që trashëgojnë  pronat nga të parët e tyre, janë nëpërkëmbur nga të gjitha krahët e politikës shqiptare. Kuvendi i parë pluralist i vitit 1991, nxori  Ligjin antikushtetues 7501, dt. 19.07. 1991, “ Për Tokën”, sipas të cilit, toka në ish kooperativa të ndahej për frymë të popullatës banuese në kooperativë, duke krijuar  artificialisht “pronarë të rinj” e duke shkelur të drejtën  themelore të njeriut për pronën private.

    Me miratimin e Kushtetutës, me referendum popullor, sipas Nenit 181, Qeverisë iu ngarkua detyra që të ndryshonte ligjet për kthimin e pronave, ndërsa për pronarët e vjetër u sanksionua e drejta që të merrnin tokën e tyre, njëherësh Ligji 7501 u  shfuqizua, por deri më sot nuk është bërë asgjë. 

    Tashmë dihet dhe është deklaruar se shteti dhe klasa politike shqiptare ka GABUAR me Ligjin 7501. Ka nëpërkëmbur të drejtat e njeriut, duke i mohuar pronën, duke mos zbatuar Kushtetutën, konventat ndërkombëtare dhe detyrimet e vëna nga institucionet  europiane, lidhur me pronat, si kusht për integrimin. Por, nuk është asnjëherë vonë për të korrigjuar gabimet. Ne përshëndesim iniciativën e deputetit z. Fatmir Mediu,  i cili i paraqiti Kuvendit të Shqipërisë Draft-ligjin për kthimin e pronave pronarëve që e trashëgojnë në zonën bregdetare Vlorë-Sarandë. Shoqata Dukati, qysh nga dalja e Ligjit 7501, i ka kërkuar qeverive të radhës, që të zbatohet Neni 181 i Kushtetutës për pronën, por ka munguar vullneti i tyre. Faktikisht, në Dukat toka është me dy pronarë, por edhe nëse jepen certifikatat, përsëri toka do jetë me dy pronarë e në konflikt të përjetshëm. Argumentet e derisotëm që pengojnë kthimin e pronave, nga të dyja krahët e politikës, nuk kanë qenë e nuk janë bindëse. Ato më shumë lidhen me përfitimet elektorale dhe rehatinë qeverisëse të Partive dhe liderëve të tyre. Konkretisht, arsyetimi se, “atyre që kanë gati çerek shekulli që po e punojnë tokën, do tua japim në bazë të 7501-it”  është sa i  njëanshëm, aq edhe i padrejtë. Po ne pronarët që këtë tokë e kemi punuar  në shekuj, a nuk paskemi shumëfish të drejtë? Kompensimi, realisht, është një mashtrim, gjithsesi nëse shteti e ka këtë vullnet e mundësi financiare le të kompensojë ata që nuk trashëgojnë tokë nga gjyshërit e tyre, sepse janë më pak.

    Verifikimi i titujve të pronësisë po ashtu është i pavlefshëm dhe fyes, sepse do të thotë që pronarët  të shpresojnë se mos ndoshta është bërë ndonjë gabim gjatë matjes së tokës në ndarje, që të marrin disa metra tokë lëmoshë.

    Ligji 7501 faktikisht nuk u zbatua. Në gati 70 % të territorit të vendit secili ka marrë tokën e trashëguar, ndërkohë shteti po i legalizon e po i bën pronarë edhe për tokat që zaptuan forcërisht, ndërsa neve na merr pronat e trashëguara. Ky është një diferencim jo kushtetues, por edhe jo njerëzor dhe këtë sjellje në Shqipëri nuk e kanë bërë as pushtuesit e huaj.

    Argumentet  që u sollën në Komisionin e ligjeve, për të refuzuar draftin e zotit Mediu (publikuar nga media) se drafti “tejkalon objektin e Ligjit 8053,” apo drafti “sjell përplasje me Ligjin 7501” etj,  janë formale dhe nuk janë bindëse. Nëse politika ka vullnet për kthimin e tokës pronarit që e trashëgon, gjenden zgjidhjet teknike se cilin akt ligjor apo klauzolë të tij duhet të amendojmë. Dukati me rreth 70 km vijë bregdetare të virgjër, me Karaburunin turistik, pronë të familjeve dukatase deri në det, me Llogoranë turistik e mahnitës, me tokat e kullotat përreth Orikut të lashtë dhe gjithë zona bregdetare nga Vlora deri në Sarandë, përbëjnë zonën e Rivierës së Shqipërisë. Zhvillimi ekonomik i kësaj zone po mbahet peng nga ngërçi i moskthimit të pronave. Prandaj zgjidhja e kthimit të pronave, për rreth 80 për qind të familjeve të Dukatit dhe mijëra familje të bregdetit deri në Sarandë, është detyrë  kushtetuese e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës, e cila mund dhe duhet të  zgjidhet ligjërisht. Konkretisht për zgjidhjen e problemit të pronësisë në zonën bregdetare Vlorë – Dukat – Himarë – Sarandë  kërkojmë të zbatohet Neni 181 i Kushtetutës, i cili përcakton që: “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, brenda 2-3 vjetësh, duhet të ndryshojë ligjet për pronat  që kanë dalë para kësaj Kushtetute, duke i përshtatur sipas Nenit nr.41”. Kështu, zbatohet edhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut (ratifikuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë), duke plotësuar kështu një nga kushtet e KE-së. Sot Kuvendi dhe Qeveria  kanë rastin historik për të korrigjuar një padrejtësi, që në rrugë administrative i merret toka një pronari historik dhe arbitrarisht  bëhet pronar një tjetër.

     Nëse, nuk do të  korrigjohet situata e deritanishme e pronësisë mbi tokën  në Dukat dhe në gjithë bregdetin Vlorë-Sarandë, do të thotë që të mbetet si alternativë e vetme zgjidhja spontane e me pasoja të rënda.