Oligopolizmi i bankave. Pushteti bën lojën e të huajve

710
Sigal

Privatizimi total i bankave në Shqipëri është një dështim i madh për ekonominë shqiptare, thonë specialistë të ekonomisë. Sot sistemi bankar i nivelit të dytë përbëhet vetëm nga banka me kapital privat, përgjithësisht të huaj, dhe nga asnjë bankë me kapital shtetëror. Kjo situatë ka bërë që në sistemin bankar të krijohet një strukturë tregu oligopol. Privatizimi total i sistemit bankar zëvendësoi një formë të centralizuar shtetërore me një tjetër por që nuk është subjekt shtetëror. Ky zëvendësim i pronësisë nuk largoi apo mënjanoi fenomenin, përkundrazi sot është më i theksuar efekti oligopol në treguesin e çmimeve. Bankat tregtare përbëjnë mirëfilli një oligopol bankar. Ato bëjnë që të humbasë konkurrenca në treg si dhe të mënjanojnë plotësisht ndjekjen e zbatimit të politikave të Bankës Qendrore. Nëse do të kishim një bankë shtetërore të nivelit të dytë ajo do të qëndronte në krah të Bankës Qendrore dhe në këtë mënyrë do kishim një konkurrencë të fuqishme në treg. Do kishim eliminimin e të gjithë tendencave negative që kemi sot në treg. Banka Qendrore me politikat e saj nuk ka pasur asnjë ndikim në normën e interesit të depozitave dhe për pasojë edhe të kredive thonë specialistët duke shtuar se Banka Qendrore me dështimin e aplikimit të politikave monetare në normat e interesit të kredive ka dështuar me rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Kjo, në aspektin e produkteve të Bankave të Nivelit të dytë, sepse janë pikërisht ato që japin kredi biznesit dhe individit dhe jo Banka Qendrore, por kjo e fundit ndikon pikërisht në uljen e kostos së kredisë së tyre. Ndaj dhe natyrshëm lind pyetja nëse ka qenë një zgjedhje e drejtë privatizimi total i bankave të nivelit të dytë në Shqipëri”? Specialistët thonë se nuk duhej të privatizohej gjithë sistemi i nivelit të dytë bankar. Privatizimi i bankave të nivelit të dytë, sipas tyre, ka ndikuar negativisht në kreditimin e sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë si bujqësia, industria nxjerrëse e përpunuese, turizmi etj.. Gjithashtu, specialistët i mëshojnë faktit se prej depozitave në lekë me apo pa afat maksimalisht vetëm 50% e tyre jepen në formë kredie subjekteve ekonomikë, pjesa tjetër përdoret në blerjen e instrumenteve të borxhit të qeverisë, Bonove të Thesarit, ndërsa 100% e depozitave në valutë jepen kredi. BQ ka ndikuar negativisht në rritjen e qarkullimit të lekut shqiptar në fushën e investimeve duke stimuluar kanalizimin e tij në buxhet nëpërmjet bonove të thesarit. Bankat e nivelit të dytë pjesën më të madhe të aktiveve e kanë të drejtuar jo në huatë dhe kreditë, por në blerjen e letrave me vlerë, kryesisht ato të qeverisë. Duke mos pasur një bankë të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror, në kushtet kur qarkullojnë lirshëm për depozita dhe kredi euroja dhe dollari, Banka Qendrore e ka pasur shumë të vështirë të ndikojë në tregun e valutave si dhe në një sërë treguesish monetarë. Specialistët konkludojnë se, privatizimi total i bankave të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë ka qenë me pasoja negative për ecurinë e ekonomisë së këtij vendi. Në perspektivë Qeveria Shqiptare duhet të hapë një bankë tregtare të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror dhe duhet të ndalojë në mënyrë graduale pranimin e depozitave dhe dhënien e kredive në valutë. Prania e një banke shtetërore të nivelit të dytë në tregun bankar, sipas specialistëve, do të ketë të njëjtin efekt që pati thyerja e “marrëveshjes” së çmimit kartel pas ndërhyrjes së kompanisë shtetërore INSIG në tregun e sigurimeve.