Iniciativa, gjallërimi i jetës shkollore përtej rregulloreve

614
Sigal

SARANDË/ Ksamili, qyteza jugore e Shqipërisë, ashtu si shpalos bukuritë e saj natyrore të mrekullueshme e magjepsëse, ashtu edhe jep shembuj konkretë të një përvoje dhe praktike të edukimit në mësim-nxënie. Dhe tek ky staf mësimdhënës gjen një kulturë që i dedikohet jo vetëm të mësuarit, por edhe edukimit, duke vënë në dispozicion mundësitë dhe burimet e stafit mësimdhënës për formimin e nxënësit. Na bëri përshtypje aktiviteti i shumtë sportiv dhe kulturor i kësaj shkolle, ku në garim kalendarik mban vendin e parë në rajonin jugor dhe kjo jo vetëm si numër i zhvillimit të aktiviteteve (kjo po se po), por edhe tek cilësia a tyre prezantuese. Këto aktivitete të shumta të dy mësuesve të përkushtuar, ai i edukimit fizik, Kostandin Lolo dhe i mësuesit të letërsisë, shkrimtarit të mirënjohur Pajtim Çaushi, vijnë përtej disiplinave të të mësuarit, me idenë e një shkolle që mëson, ide që është përhapur dhe ka gjetur mbështetje tek nxënësit e kësaj shkolle dhe ngjallur zilinë edhe tek bashkëmoshatarët e tyre në shkolla të tjera. Mësuesi i Edukimit Fizik, Kostandin Lolo, një mësues i ardhur nga një përvojë disavjeçare në shkollat më në zë të kryeqytetit, po gërsheton në praktikë këto përvoja dhe si në asnjë shkollë tjetër, në shkollën e bashkuar të Ksamilit, aktivitetet sportive dhe kampionatet janë aq të shumta,  sa thua se je vërtet në një shkollë me profil sportiv. Por, përtej aktiviteteve sportive, edhe ato kulturore janë të shumta. Shkrimtari Pajtim Çaushi ka organizuar takime me shkrimtarë të rajonit jugor (kjo mungon në shkollat e tjera) me qëllimin për të njohur kulturën e Sarandës, traditën kulturore e letrare nëpërmjet bisedave me autorë vendas. Ky mësues shkrimtar mundi të ringrejë bibliotekën e shkollës, nga një bodrum rrangullash, sot në një bibliotekë model me skedarë e anëtarësi që nuk i kanë as bibliotekat e qytetit. Të dy mësuesit protagonistë, që ia vlen të merren si shembull praktikimi, thonë se qëllimi përtej teorisë së lindjes së dashurisë për vendlindjen, edukimi fizik si ruajtje e shëndetit etj, synon që në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm nëpërmjet një urdhri, rregulloreje, por nëpërmjet iniciativës, të edukojmë tek nxënësi ndjenjën e lartë për artin, letërsinë dhe sportin, kjo si model i bashkëjetesës dhe bashkëpunimit në grup me ndjenjën e tolerancës tek njëri –tjetri, njohjen e gabimeve të njëri-tjetrit dhe përgjegjësia për gabimin e shokut, por edhe roli i madh i orës së mësimit  në rritjen e cilësisë së sjelljes gjatë procesit të saj. Ksamili është një vend me banim heterogjen, që do të thotë se nxënësit vijnë nga zona rurale të ndryshme, me kultura dhe mentalitete të ndryshme dhe këto lloj aktivitetesh japin produktivitet në edukim. Të mësuarit në organizim, sipas mësuesve Lolo dhe Çaushi, është më tepër se sa një metodë edukimi, apo një përgjigje ndaj një nevoje për të punuar dhe diskutuar bashkërisht. Me këto aktivitete, nxënësit kuptojnë dhe ndërgjegjësohen se mund të mësojnë nga njëri-tjetri dhe kjo në përpjekje për t’u përshtatur me sfidat dhe fenomenet e reja.