Bashkim Aliraj/ Faktorët, për një sportist të suksesshëm në not

    74

    Përvoja pozitive e huaj nuk duhet të merret shabllon. Ne kemi traditën dhe kushte tona

    *Trajner noti

    Shoqata “Jon” Vlorë

      Nga dëshira për të arritur rezultate të larta, disa trajnerë e prindër, themi prindër se ka vite që disa notarë mbas 3-4 vjet, stërvitje, largohen nga trajneri i tyre dhe stërviten me prindërit e vet.  Pra, prindërit marrin guximin qe t’i stërvitin vete fëmijët. Kështu që, në shumë raste ata aplikojnë në stërvitje me fëmijët programe e modele të notarëve të huaj.  Dëgjojmë shpesh që thuhet “filan notar ose notare stërvitet me program italian, grek ose amerikan, etj.. Mendoj se, kjo nuk është e drejtë. Një dukuri e tillë duhet marrë në konsideratë sepse ka të bëjë jo thjesht me nivelin e aftësinë që ka trajneri, por është një fenomen që po shtohet dhe ka të bëjë me metodën e punës, me ecurinë dhe nivelin e notit. Përvoja pozitive e huaj duhet marrë dhe përkrahur, pasi ne e dimë që Perëndimi është shumë para nesh, por, që të aplikosh një stërvitje në mënyrë shabllone dhe formale, kjo është e gabuar. Është momenti që t’i thuhet ndal kësaj praktike. Ne kemi trajnerë të mirë që, kanë një eksperiencë të gjatë në stërvitje me notarët e tyre dhe kanë arritur rezultate të larta, edhe pse kanë punuar në kushte shumë të vështira.

    Por, çfarë problemesh ka?

     Së pari, duhet të dimë se çdo vend e krijon vetë traditën në sport. Noti, tek ne ka qenë një sport sezonal që ushtrohej vetëm 4-5 muaj, në muajt e verës. Vitet e fundit në disa qytete janë ngritur pishina me ujë të ngrohtë dhe kjo ka bërë që kohëzgjatja për stërvitje të rritet. Tani, në not zhvillohen gara dhe gjatë muajve të dimrit. Por, kjo nuk mjafton sepse në disa vende perëndimore e lindore ka dhe shkolla sportive për notin. Noti atje fillon të mësohet qysh në moshën 3-4 vjeç dhe 7-8 vjeç stërviten rregullisht. Edhe të dhënat anatomo-fiziologjike të notarëve kur stërviten rregullisht janë më të mira se, të një notari tjetër që nuk stërvitet mirë. Pra, nuk mund të bëhet e njëjta stërvitje siç veprohet nga disa trajnerë.

     Së dyti, nga mënyra si e kemi të organizuar notin, kjo nuk të lejon të bësh të njëjtën stërvitje dhe të njëjtën ngarkesë të një notari të huaj. Notarët tek në stërviten pothuaj vetëm njëherë në ditë (pasditeve), sepse janë në shkollë e universitet. Kjo nuk i lejon ata të bëjnë stërvitje me ngarkesa të larta, ndërsa në Perëndim e disa vende të Lindjes, notarët janë të inkuadruar në klasa sportive ose ekipet profesioniste që stërviten 2 dhe 3 herë në ditë. Ata janë të organizuar dhe me grup moshash e stërviten me trajnerë të veçantë, kurse tek ne ka raste që një trajner i stërvit të gjithë së bashku, të rinj e të rritur, ose pionierë e të rinj. Një notar i mirë tek ne duke u stërvitur çdo ditë mund të realizojë 30-35 km not në javë, ndërsa notaret e mirë jashtë shtetit realizojnë 85-90 km not në javë. Ka raste edhe më shumë.  Prandaj trajnerët tanë duhet të ndërtojnë vetë punën me notarët, duke i ndjekur atë hap pas hapi. Në radhë të parë kihen parasysh të dhënat e tij fizike dhe fiziologjike. Po ta sforcosh notarin mund të arrijë rezultate të mira dhe në moshë të vogël, por kjo nuk është e mirë. Trajneri duhet të mendojë, për rezultatet afatshkurtra e sidomos për ato të perspektivës.

     Së treti, mendoj se niveli dhe aftësitë që kanë trajnerët, për të stërvitur notarët nuk është i njëjtë. Disa prindër e heqin veten si “trajnerë të mirë” dhe se e njohin notin vetëm se, i kanë qëndruar afër fëmijës 3-4 vjet. Nuk është e lehtë të bëhesh trajner i mirë sepse do punë e studim. Duhet të investosh për të.  Ata që mendojnë se, “nuk ka ndonjë gjë të madhe, mjafton t’i futësh ngarkesë notarit” ose  “po të ushqehet mirë notari, bëhet vetë”, etj., gabojnë rëndë. Trajneri në radhë të parë duhet të njohë mirë metodat e stërvitjes, parimet e saj. Mbase të gjithë kanë dëshirë që të bëhen trajnerë, por duhet t’i nënshtrohen një kualifikimi e përvoje pune të gjatë. Trajneri duhet të ndërtojë një plan stërvitjeje që notari të jetë në gjendje ta asimilojë mirë atë çdo ditë. Në punën e tij ai duhet të jetë krijues dhe këmbëngulës.

     Së katërti, nuk duhet të harrojmë që rezultatet e larta në not nuk arrihen lehtë, kërkohet një punë e vazhdueshme dhe e kujdesshme mbi baza shkencore. Puna në sport është e gjatë dhe e vështirë. Çdo gjëje i vjen koha e saj dhe nuk duhet ngutur me notarin.  Notari mund të arrijë një rezultat të mirë në moshën 14-15 vjeç po u sforcua dhe pastaj mund të qëndrojë në vend. Gjë që u kritikua dhe nga Federata e Notit në analizën vjetore. Në stërvitje duhet punuar me objektive e pikësynime konkrete. Ato janë afatshkurtra, të mesme e të gjata. Për bazë, sidomos me fëmijë e të rinj duhet të merret teknika e notimit, aftësitë fizike e fiziologjike të tij. Me notarin që, ka të dhëna të mira bëhet punë e diferencuar.

     Së pesti, duhet të dinë se kjo punë nuk mund të bëhet mirë pa bashkëpunimin midis trajnerit, mjekut, dietologut e psikologut.  Për çdo fazë e sezon, notari duhet të jetë në vëzhgim të mjekut.  Ai duhet të dijë mirë ecurinë e notarit. Shpesh, ne kontrollojmë pulsin dhe zemrën e sportistit, por harrojmë dhe organet e tjera si mëlçia, pankreasi, etj., që janë organe tepër delikate. Ky bashkëpunim duhet të jetë i vazhdueshëm. Nga përvoja shikojmë që, ka notarë edhe pse janë në gjendje të mirë ekonomike, përsëri ai nuk i merr energjitë e nevojshme e të domosdoshme për stërvitje sepse neglizhohet. Notari çdo vakt duhet të ushqehet mirë. Roli i psikologut gjithashtu është shumë i madh. Në shumicën e rasteve psikologu punon me një trajner human, qëllimi kryesor i të cilit është të ndihmojë notarin që të zbulojë vetveten, të fitojë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të dijë të drejtohet vetë.

    Vlora, Kampione për U-19

     Vlora është Kampionia e Shqipërisë në Kategorinë e Parë për moshën U-17. Ajo ka mundur në finalen e zhvilluar në qendrën Stërvitore të Kamzës. Përballë kësaj skuadre, që përfaqësonte grupin e Jugut ka qenë Vllaznimi, fituesja e grupit të Veriut. Në fundin e saj, Vlora ka arritur të fitojë me rezultatin 3-2 dhe të shpallet Kampion Kombëtar në këtë kategori.

    Shkëndija, Kampione për U-19

     Shkëndija e Tiranës, është shpallur Kampion Kombëtar i Kampionatit të Kategorisë së parë. Në ndeshjen finale të zhvilluar në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamzë, është ballafaquar Shkëndija e Tiranës si fituese e grupit të Veriut, me Lushnjën si fituese e grupit të jugut. Takimi është fituar nga Shkëndija e Tiranës me rezultatin 2-1.

    Ballkanik për shkollat e mesme

     Kampionat Ballkanik, për shkollat e mesme në futboll, në versionin 5×5. Nga dita e enjte, ka nisur në këtë qytet, Kampionati Ballkanik i shkollave të mesme. Në të marrin pjesë 24 skuadra të shkollave të mesme nga disa qytete të Shqipërisë. Marrin pjesë gjithashtu edhe ekipe të shkollave të mesme të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës dhe Bullgarisë.