Vullnet Mato/ Cen-Graceni, tridhjetëvjeçar

Shkurtimi i emrave, si mënyra më e lehtë e më e shpejtë e përdorimit të tyre, për të mos lodhur gojën me zgjatime rrokjesh, nuk ka gjetur gjithmonë mirëkuptim mes njerëzve. Dy kushërinjtë e parë me emrat Gracen dhe Hysen, thirreshin shkurtimisht “Cen”, nga të gjithë njerëzit në fshatin Prevallë të Çermenikës. Fjala vjen: O Cen ! - ou !- njëri, O Cen ! - Eu bre! - tjetri. Kushërinjtë Cen, si djem të baballarëve vëllezër, kishin pamje të ngjashme, por karaktere krejt të ndryshëm.
Cen – Graceni, tridhjetëvjeçar, ishte bari me një tufë dhi. Përveç cilësive të tjera, ai njihej nga të gjithë për sjellje të ngjashme me një cjap përçor, të shkathët e të harbuar, nëpër rrëpira shkëmbinjsh e përrenj të mbuluar me shkurre të gjelbëruara. Duke qenë kësisoj edhe pak allçak në përgjigjet që u jepte të tjerëve, ai dukej sikur i priste fjalët me latoren që mbante në dorë, për të prerë degët e gjethuara, me të cilat ushqente dhitë. Fshati e mbante në gojë për shpotitë e tij, me të cilat shkuleshin gazit. Një bari që ruante dhitë e shtëpive të lagjes së poshtme, i kërkoi cjapin e madh për të ndërzyer kopenë. Cen Graceni ia dha dhe i tha me ironi: “ Për këto punë në lagjen tuaj, unë s’kam kursyer as veten time, jo të kursej cjapin!...” 

Krejt ndryshe Cen - Hyseni, njëzetegjashtëvjeçar ishte një pendar i urtë e i pa djallëzuar, që me majën e hostenit nxiste lehtas vithet e qeve për të hapur brazdat e taracave në lartësitë malore të fshatit. Kur ai mbaronte plugimin e tokave të familjes së vet, u ndihte me pagesë edhe fshatarëve të tjerë që nuk e kishin pendën e qeve te dyzuar. Madje hakun e punës nuk ua kërkonte me para në dorë, por me një sasi të arsyeshme bereqeti, kur ata vilnin prodhimin. Erdhi koha kur i ati i Cen - Hysenit, dërgoi mblesin në fshatin Zdrajsh, të anës perëndimore të vargmalit të gjerë. Dhe pasi Cen bujku i hodhi një sy të shpejtë nuses bukuroshe të lavdëruar nga mblesi dhe i gjithë farefisi, u lidh fejesa. Ndërsa për Cenin bari, megjithëse ishte më i madh në moshë, ende nuk po gjendej nuse. Vonesa kishte ndodhur, jo për shkak se ai ishte disi allçak, pasi në fshat ishte martuar edhe ndonjë torollak me torollaken që meritonte të njëjtin fat. Por sepse Cen bariu nuk kishte pëlqyer çdo lloj vajze. Ai thoshte se e donte nusen, përveçse tepër të bukur, edhe të mos kishte hipur asnjëherë në makinat apo autobusët që përshkonin rrugën automobilistike përfund luginës. Pasi qarkullonin fjalë, se të rejat bukuroshe të fshatrave të thellë malorë, u besonin paksa si tepër shoferëve, me të cilët shpresonin se mund të martoheshin në qytet. Pas gjashtë muajsh fejesë, pa arritur të shkëmbeheshin takime të dhëndrit me nusen e largët nga Zdrajshi, u pre dita e dasmës më 14 shtator. Së fundi ishin plotësuar gatitjet familjare dhe nusen e sollën në Prevallin majë malit me një kalë të bardhë, të cilit i kishin shtruar mbi samar një velenxë të leshtë me xhufka. E shoqëruar me pak krushq, ajo ishte stolisur fund e krye me një mori xhingla minglash, të cilat tringëllinin hareshëm, sa herë kali hidhte hapat nëpër rrugët e ngushta drejt majëmalit. Kishte veshur xhoke leshi të hollë me ornamente shumëngjyrëshe, jelek të punuar me fije ari dhe ishte mbuluar me një shami mëndafshi të shtrenjtë. Nusja u prit në shtëpinë e Cen bujkut nga tri daulle zhurmëmëdha, me lëkura dhie të shtrënguara fort, që jehonin deri tutje luginës. Më pas ajo u vu pranë oxhakut në konakun e grave të nusëronte, e mbuluar me napë të bardhë siç ishte zakoni. Rreth e qark shtëpisë, burrat e ftuar kërcenin valle dyshe dhe ngjanin me ato luhatjet e tyre krahëhapur, sikur çifte shqiponjash provonin fuqinë e flatrav, nën klithmat e pipëzave dhe kumbimin e daulleve që gufonin pareshtur mbi gjokset e tyre. Prapa shtëpisë piqeshin në hell tri dhi dhe katër kecër të njomë për meze. Terjaqinjtë e rakisë prej kumbulle, në dhomën e burrave, të shtruar këmbëkryq, përcillnin te njeri-tjetri dollitë me shume shëndete dhe këndonin me fytyra të kuqëluara.

Dy baballarët vëllezër, kishin bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, që dasma e Cenit të parë në familjet e tyre vëllazërore, të mbahej mend nga i tërë fshati. Dhe ashtu po ndodhte vërtetë, sepse ushqimi i bollshëm, rakia që derdhej lumë dhe hareja gjëmimtare, nuk pushuan deri vonë. Me afrimin e mesnatës, kur kumbimi i daulleve dhe rakia kumbullore ua kishin bërë dasmorëve kokën daulle, dy burrat e ngarkuar nga i zoti i shtëpisë, shkuan të futnin dhëndrin te konaku, ku do të flinte me nusen. Ata u ndalën te korridori i errët para derës, ku pritej Cen bujku të provonte plorin e parmendës së vet te nusja e re dhe e thirrën çakërrqejf: - Or Cen !
- Ou ! - u gjegj Cen bariu, i ndodhur aty pranë me gojën e lëngëzuar, pasi kishte hedhur një sy te e çara e derës, në çastin kur nusja e kushëririt po zhvishte rrobat e rënda të dasmës, duke zbuluar kofshët e rrumbullta për të veshur këmishën e natës. 
- Eja këtu, or qafir, se s’kena lanë vend pa të kërkue! - Dhe me sytë të turbulluar e pa i kërkuar shpjegime më tej në atë errësirë korridori, ata e kapën për krahësh dhe e shtynë me forcë brenda dhomës me dopjoshtratin e shtruar të nuses. Pastaj njëri nga burrat çakërrqejf, që kishte drynin në dorë, mbylli derën nga jashtë, futi çelësin në xhep dhe i tha Cenit nga e çara mes kanatave:

-Veni derës rezen e hekurit nga brenda dhe hajt me nji kokorroç mashkull në krye të vitit!
Pastaj të lehtësuar për detyrën e kryer, ata shkuan të vazhdojnë orgjinë e shëndeteve që kishin lënë pa përfunduar. Ceni bariu vetëtiu sytë në gjysmerrësirën e nuses dhe kur pa ato forma femërore me tule te bardha, i iku truri, aq sa të gjitha veprimet e mëtejshme, i bëri pa ndërhyrjen e autokontrollit mendor e me një hungërimë gati prej cjapi përçor...Daullet jehonin pa pushim dhe njerëzit nën çatitë e dy shtëpive gëzonin. Pas kalimit të mesnatës, njëri nga burrat çakërrqejf, që futën dhëndrin te nusja, shkoi te zjarri ku piqej keci i fundit për sofrat kryesore të konakut të burrave. Dhe kur dalloi aty Cen bujkun, teksa përtypte një copë mish të ofruar nga pjekësit para se të futej te nusja, gati sa nuk i plasën sytë e sa s’luajti mendsh!... Një çast dyshoi se mos ai kishte dalë i zhgënjyer nga dëlirësia e vajzës, me të cilën ishte martuar. Por kur pa se dhëndëri po përtypej me oreks të madh e pa kurrfarë shqetësimi në fytyrë, e pyeti me ankth: 
-Cen, mor jahu, pse paske dalë prej konakut të nuses?...
Cen bujku zgurdulloi sytë para zjarrit bubulak, sa nga habia iu dukën kokërdhokët si dy qershi të kuqe.
-S’kam shku ala ke nusja, or burrë i dheut, ça je tue thanë?...

Burri i shërbimit u mendua një çast, duke u bërë krejt esëll nga tronditja dhe pa lënë shkak për sherr mes dy Cenëve, vrapoi te dera e nuses. 
- Or, Cen !?...
Heshtje. Asnjë pipëtimë brenda konakut nusëror.
- Or, Cen, dil shpejt, se të kena fut kabim !
Heshtje....
- Dil, or Cen, se për atë zot, je tue ba gjynah, nusja nuk ashtë jotja, po e kushërinit tat!... 
Asnjë përgjigje.
- Çil rezen e derës, or budall, se ne pa dashun kena lan nam në kët’ dasmë!...
Më në fund zëri i Cenit allçak u dëgjua si përmes një qypi:
- Ku di gja unë, vetë më keni futë!... 
- Kena hangër, me nder, m...
- Ju baftë mirë, pra!- u gjegj ai me gjuhën e vet allçakçe.
- Dil, shpejt, po të thona, or damaluk, se po na merr në qafë kotnasikoti!...
- Nuk dal, për atë zot, jo!... Tash na të dy me nusen i kena ba të tana adetet e s’kena faj!... Vetë na keni bashkue me forcë. Kjo nuse tani ashtë fati i em dhe unë fati i saj!...
Pa menduar të shqyej derën në mënyrë skandaloze, shërbyesi shkoi i pëshpëriti në vesh të zotit të shtëpisë për hatanë e madhe që kishte ndodhur:
-Ça ka ba ky katun, që i ka thirr të dy çunat Cen e ça kena ba na dy budallët që i patëm lanë sytë ke faqorja e rakisë...
- Hë, pra fol, ça keni ba!?- shqeu sytë nga habia babai i dhëndrit.
- Ka dy sahat, kena fut ke nusja Cenin tjetër, që na shpëlaftë mortja!...
- Ku ashtë Ceni im? - brofi i ati i tronditur.
- Te zjarret, tue hangër mish!... 

Pas zallahisë së çastit, dy baballarët vëllezër u tërhoqën mënjanë krejt të mahnitur dhe e pleqëruan ngjarjen me gjakftohtësi vëllazërore. Së fundi, mes gjëmimit të daulleve i dhanë dorën njëri-tjetrit, pa alarmuar dasmorët dhe thirrën dhëndrin pa fat. E bindën atë, se kjo ishte një ngatërresë, që nuk mund të ndreqej kurrsesi me sherr e mëri në vëllazëri. Por do të zgjidhej shpejt, duke i gjetur atij një nuse tjetër brenda vjeshtës. Dhe më pas i thanë të vazhdonte të hante mish të pjekur, se këtë nuse e kishte pasur fat Ceni që e pëlqente mishin e gjallë. Dasmorët festuan të kënaqur dhe ndaj të gdhirë u shpërndanë pa marrë vesh, se në atë dasmë ishte martuar Cen allçaku i shkathët. Ndërkaq, bariu ndjehej i lumturuar fund e krye, me bindjen e plotë të provës, se nusja nuk kishte hipur në asnjë mjet me katër rrota. Por atij i kishte ardhur keq, vetëm se nga ajo dasmë i qe pakësua tufa e dhive. Nusja syzezë e vetullzezë u tha grave të nesërmen në drekë, se nuk do të kishte dashur një Cen ndryshe nga ai që pati fat dhe nuk i kishte mbetur merak për të parin, përderisa atij nuk ia mbante mend as fytyrën...