“Elbasan Arena”, “atasheu” i vetëm shqiptar në Euopë

1050
Aktualisht jemi duke përjetuar momente shumë të mira me futbollin në Europë, edhe pas ngjarjes së të enjtes në ndeshjen Kukësi-Legia Varshavë. Shqipëria kërkon të shohë më larg me futbollin në Europë, dhe kjo është më e normale për atë futboll që po prodhojnë skuadrat tona në kompeticionet euopiane. Për këtë nivel që këto skuadra po tregojnë, ato nuk ndjehen të vetme, edhe pse përfaqësojnë klubet e tyre respektove. Sepse tek këto skuadra janë sytë dhe veshët e gjithë shqiptarëve që jetojnë me futbollin, dhe kjo është një krenari për këtë futboll që historia e kishte mësuar të dështonte që në start. Deri këtu jemi OK, por duke parë më tej dhe më qartësisht në momentin kur u zyrtarizua lajmi se ndeshja e 8 tetorit Shqipëri-Serbi do të zhvendosej nga Shkodra në Elbasan, më shumë se sa lajm këtu hyri “aksidentalisht” tradita shqiptare me stadiume të “plagosura’ për të qenë në standardet që kërkon Europa sot. Në fakt, me këtë rast as nuk mund të merret në konsideratë “protesta” nën zë e Serbisë për këtë lëvizje, dhe kjo për futbollin tonë nuk është diçka për ta vlerësuar.
Infrastruktura e stadiumeve, larg konkurrencës
Kësisoj, një dukuri tjetër ja vlen që të gërvishtet me këtë rast është infrastruktura e dobët e stadiumeve shqiptare për të konkurruar në nivelet ku synimet e Skënderbeut dhe të Kukësit janë duke u qartësuar. Pra, nëse jemi përfaqësues për lojën në fushë, ne si shqiptarë nuk jemi përfaqësues në Europë me standardet që stadiumet tona të futbollin kanë aktualisht. Më konkretisht, stadiumet e dy skuadrave tona më të mira në përfaqësimin në turet e Champions Ligë dhe të Europa Ligë për këtë sezon, Skënderbeu e Kukësi, nuk arrijnë të përfaqësojnë vlerat e kësaj infrastrukture në Europë. Pra, ky është hendeku që sot na ndan me Europën e futbollit sepse këtu ka një “klon” që e bën ta shohim të largët synimin se, nëse skuadrat shqiptare mund të shkojnë në turet e mëtejshme në futbollin evropian, të kenë mundësi që të luajnë në stadiumet e tyre përkatëse. Kur UEFA thotë se nuk e pranon stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshje ndërkombëtare të nivelit të ndeshjeve në grup të Kombëtares sonë për arsye sigurie, duhet menduar e reflektuar më seriozisht për gjithçka që vjen pas këtij “postblloku” europian. Transfertë ndeshjeshjesh, transfertë emocionesh e transferta shpenzimesh që në këtë tregues për skuadrat tona duken si të papërfillshme në raport me përfitimet që kanë nga pjesëmarrja në Europë, ndërsa kësisoj do t’i mungojë origjina sportive çdo skuadre shqiptare.
Stadiumet shqiptare ende “vegjetojnë” të shkuarën
Një nga stadiumet e futbollit shqiptar që ka resurse për standarde përfaqësimi në Europë është ai “Tomori” në Berat. Që në vitin 1985 kur u përurua, ai kishte një infrastrukturë moderne për kohën, me një kapacitet 14.750 vende dhe atëherë aty u luajtën me dhjetëra ndeshje të Kombëtareve tona dhe të klubeve që u përfaqësuan në Europë deri në vitin 1990. Kaq është e kuptueshme për të thënë se këtu ka filluar stopimi me infrastrukturën në futboll. Në 25 vitet e fundit, veç stadiumit “Elbasan Arena” ku është bërë një ndërhyrje e standardeve të kohës, në të tjerët ka veç rrënim, edhe pse kemi stadiume që me gjendjen e tyre kërkojnë përmirësime që i çojnë edhe ata përkrah Elbasanit e Shkodrës në infrastrukturën normale që kërkon Europa e futbollit. Në Durrës, në Vlorë e në ndonjë stadium tjetër të futbollit në Shqipëri, janë bërë ndryshime që më shumë kanë pasur synim tapetin e fushës, ndërsa elementët e tjerë në stadiume janë lënë në harresë, të cilët jo rrallë kanë sjellë situata si në ndeshjen Kukësi-Legia. Për të qenë më konkretë në këtë dukuri, le të shkojmë përsëri në stadiumin “Tomori” në Berat, i cili dallon nga gjithë të tjerët në Shqipëri për standardet e mira që afron në raport me të tjerët dhe aty nuk janë bërë investime që do të ofronin Evropën më shumë se sa në të tjerët ku janë derdhur miliona dhe na mbajnë jashtë kësaj Europe. Kjo është një “lente” nga e cila duhet të dalin në shikimin e tyre normal drejtuesit e sportit në Shqipëri dhe drejtuesit e FSHF-së në veçanti.
Fund politikave të riparimeve në stadiume!
Me politikat e “riparimeve” të fushave e stadiumeve që figurativisht mund të quhen edhe si “kioska” në raport me Europën (përjashtuar Elbasanin, Shkodrën apo Tiranën), nuk arrihen në kohë standardet, e për pasojë skuadrat tona do të vonohen të kapin kohën e duhur në këto standarde evropiane. Gjendja social-ekonomike e dobët që Shqipëria po e mbart nga ky tranzicion i gjatë nuk e pranon luksin që të ndërtohen stadiume komodë. Dakord, por ka tri vite që për stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” po flitet se do të rindërtohet, madje u prezantua edhe një projekt që për Shqipërinë do të ishte shumë i përparuar. Në fakt ky impiant është në degradim dhe ka dekada që riparohet në të gjithë ambientet e tij, sikundër edhe në Berat, Gjirokastër, Lushnje e gjetkë. Ky këndvështrim sjell mendimin se më mirë të bëhen investime të mëdha e serioze në kohë më të zgjatur, se sa të riparohen stadiume në vjeshtë e të dëmtohen në dimër. Këto nuk janë standardet e duhura në infrastrukturën e futbollit tonë, i cili në dy dhjetëvjeçarët e fundit duket se orientimin e ka në Evropë e në Botë, ndërsa me realitetin që ka nuk ndan shumë nga stadiumet e kohës së diktaturës. Prandaj i duhet dhënë fund politikave të riparimit të stadiumeve. Kështu “Elbasan Arena” do të mbetet “atasheu” i vetëm shqiptar në Evropë.
Sigal