Silvana Çeliku: Kuptimi i jetës dhe i punës time, t’u jap pacienteve besimin se do ta mposhtim sëmundjen

1535
Silvana Çeliku, është kirurgia onkogjinekologe, e vetme në Shqipëri, por edhe një nga mjeket më të mira, “çmim” që ia kanë dhënë vetë pacientët e saj, të cilëve u ka shpëtuar jetën nga sëmundjet më të vështira. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, doktoreshë Silvana Çeliku, rrëfen jetën e saj si mjeke, babain e saj kirurg, i cili ishte frymëzuesi dhe u bë shëmbulli i saj i jetës, për përkushtrimin e tij për t’u shpëtuar jetën njerëzve, për mirënjohjen që njerëzit shprehnin ndaj babait. Dr. Silvana shprehet në intervistën për “Telegraf” për motivet që i japin profesionit të saj kuptimin dhe pohon se lidhjet e ngushta të saj me pacientët, kur mjekja ndjen dhimbjen e pacientit, përcjell te ata besimin se bashkë do të luftojnë sëmundjen, sado e vështirë. 
Zonja Çeliku, ndodh shpesh që qytetarët, kur janë në nevojë për t’u vizituar në onkologji te spitali ‘Nënë Tereza’, e pyesin mjekët se te cili mjek duhet të drejtohesh, ata përmendin “Drejtohuni te doktoreshë Silva”. Ju si e keni fituar këtë “famë” apo vlerësim?
Pas 30 vjet pune e eksperienë në një qendër Onkologjie, si ajo në QSUT, ku unë jap kontributin tim modest, kam kuptuar se puna me pacientë që vuajnë nga një sëmundje e vështirë është vërtet e lodhshme, por, njëkohësisht plot të papritura e me shumë emocion, sidomos salla e operacionit. Kjo më bën mua të luftoj e punoj shumë për të qenë unike, e në një farë mënyre ja kam arritur. Pra, baza është puna e përkushtimi.
Sa e vështirë është që mjeku të fitojë emrin e mirë edhe te kolegu?
Të fitosh besimin e pacienteve është një anë e punës tonë, por po aq e rëndësishme është edhe të jesh e respektuar nga kolegët e të pranohesh prej tyre, pasi jo rrallë zilia e konkurenca shfaqet shpesh mes mjekëve. Por mendimi im është që sa më e kulturuar të jesh, aq më shumë do i respektosh kolegët e tu, duke i pranuar ata ashtu siç janë e duke i ftuar shpesh në debate shkencore, ku secili shfaq e korrigjon dijet e veta, për t’i shërbyer sa më mirë pacientëve. Ndaj motoja ime është: Kurrë mos fol keq për kolegët pas krahëve, se kjo do të të rikthehet një ditë e t’i do të ndihesh keq dhe i fyer. Respekoji gjithmonë kolegët e tu.
Sa ndikon psikologjia e mjekut dhe e pacientit në kurimin e sëmundjeve, që drejtpërdrejt, atakojnë jetën dhe është tejet e vështirë të kurohen?
Puna e një mjeku që trajton sëmundjet onkologjike është tejet e vështirë dhe ai përpara se të jetë mjek, duhet të jetë psikolog. Puna jonë është shumë komplekse dhe ajo përfshin trajtimin e sëmundjes të të sëmurit dhe të familjarit. Pra, rëndësi ka jo vetëm gjendja psikologjike e pacientes, apo e mjekut, por dhe gjendja psikologjike e familjarëve, pasi tek ne ende është tejet i vështirë dhe i pamundur komunikimi direkt me të sëmurin, për t’i thënë asaj çdo gjë mbi sëmundjen e saj. Kjo e vështirëson shumë punën tonë dhe shpesh e komplikon atë, duke na detyruar jo rrallë të luajmë dhe teatër.
Jeni mjeke e specializuar për sëmundje, që kur njeriu diagnizohet, ndjenja e parë që e pushton është frika e tij për jetën. Ju si mjeke, si i përballoni këto çaste me pacientin tuaj?
Që trajtimi i sëmundjes të ketë sukses, rëndësi të veçantë ka besimi tek vetja dhe, mbi të gjitha, besimi tek mjeku. Më ndodh jo rrallë që pacientët vijnë tek unë e kërkojnë ndihmë, duke më lënë në dorën time jetën e tyre. Ato të përgjërohen dhe shpesh thonë: Dua të vdes në duart e tua. Këto janë ato fjalë magjike që të bëjnë me krahë, që të ngrohin zemrën dhe lufta me sëmundjen bëhet më e lehtë. Ky besim është çelsi i suksesit për t’i bërë ballë kësaj sëmundjeje shpesh tepër agresive, që, nëse nuk e trajton siç duhet, mund të të marre dhe jetën. Dhe a kemi humbur të sëmura? Sigurisht që po. Por kur ajo ka besim të palëkundur tek ti edhe ne gramat e fundit te jetes të do pranë. Fjala e mjekes është melhem për të dhe ti, si mjeke, në ato momente je vetë perëndia që dhe vdekjen ia bën më të lehtë. Kështu dhe ti i ke dhënë kuptim jetës e punës tënde. Ndihesh jo vetëm krenare, por dhe e sigurt në atë që duhet të vazhdosh të bësh; luftë pa kompromis me sëmundjen.
Mendoj se sot ka një paragjykim për mjekët. Rrallë sot pohojmë kontributin e tij që shpëton një jetë. Pse ndodh kjo? Ju e keni pyetur vetveten?
Jo rrallë puna jonë paragjykohet pikërisht për vështirësinë që ajo paraqet. Ua- thonë njerëzit- si punoni atje, unë s’do ta bëja kurrë. Kur je jashtë ndoshta justifikohesh të mendosh kështu, por unë e kolegët e mi mendojmë kret ndryshe. Unë mendoj se s’ka sëmundje të mirë, apo sëmundje të keqe, të gjitha sëmundjet janë njësoj, e kundra tyre duhet luftuar. A e di njeri se kush është dhimbja më e lehtë? Ua tregoj unë; dhimbja e tjetrit. Puna që bëj është një nga dashuritë e mia. Pasioni për të ka filluar që e vogël, falë babait tim dhe ma pas u kristalizua në vitet e fakultetit. Unë e adhuroj punën time, e dua sallën e operacionit, brenda saj ndihem e plotfuqishme për të mposhtur sëmundjen. Të kesh trupin dhe jetën e dikujt në duart e tua është emocioni dhe adrenalina më e madhe e më e fuqishme, që një mjek mund të provojë gjatë punës së tij. Kirurgjia ta jep këtë lluks, të bën “Zot”. Ndaj, kur ndodhem përpara një të sëmure të trishtuar e të frikësuar nga semundja, pamvarsisht nga mosha, unë hyj në zemrën e tyre e vuaj me to në momentin e parë, por më pas zemërimi ndaj kësaj sëmundjeje bashkohet me dëshirën për jetën e besimin tek mjeksia e kështu fiton dëshira për të fituar mbi sëmundjen, prandaj e dua profesionin tim, sepse më jep shumë emocion. Sot kam disa paciente, që i kam bërë shoqe, pi kafe me to shpesh dhe sa herë që prej tyre marr sms falenderimi, në momente festash, zemra ime rreh fort e sytë e mia mbushen me lot. Rruga e jetës së tyre është e lidhur me timem. Kjo më bën krenare e më jep forcë të punoj akoma me më shumë pasion. Shpresa vdes e fundit, ky është motivi që më shtyn përpara.
Kemi të drejtën të themi se shërbimi shëndetësor publik është në gjendje kome. A mund të themi se kjo vjen ngaqë nuk kemi mjekë të mirë, siç duan të pohojnë dikush?
Unë jam rritur në një familje, ku një nga prindërit, babai ka qenë kirurg dhe në shtëpinë tonë, mbaj mend, që s’mungonte asgjë, përsa i përket ushqimit. Nga ana tjetër, kudo që shkonte, mjafton të thoshte kush ishte e të gjithë ngriheshin në këmbë e i mbaronin punë me shumë respekt. Kaq shumë e respektonin, sa mbaj mend njëherë, kur ishte kirurg në Kukës, na kishin ftuar në një dasëm. Sapo hymë brenda, të gjithe dasmorët u ngritën në këmbë e filluan të brohorisnin, sikur të kishte ardhur vetë Sekretari i Parë. Kjo përmblidhet vetëm me një fjalë: mirënjohje! Nga ana tjetër, një miku im italian më thotë një ditë: unë në Itali dy njerëzve ju ngrihem në këmbë edhe kur flas në telefon, avokatit e mjekut të familjes. Pra ky ka qenë mjeku në komunizëm e ky është mjeku në të gjithë botën. Fatkeqësisht, mjekësia te ne, sot po kalon ditët më të vështira të saj. Ajo paragjykohet e përflitet aq shumë, sa ndonjëherë na vjen turp të themi se jemi mjeke. Kjo sigurisht është e pa drejtë. Unë mendoj se ne duhet të jemi krenare për profesionin tonë dhe të them të drejtën me keqardhje dua të pohoj se të gjithë këtë situate e ka krijuar vetëm politika, e cila, jo vetëm që nuk ka investuar asgjë për mjekët e shëndetësinë, por vazhdon që t’i shohë ata si armikun e jo si aleatët e saj. Duke dashur të tërheqë vëmendjen nga problemet e mëdha të korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes, politika mendon se po e lufton atë, duke goditur fort dhe vetëm mjekësinë. Kjo është e pafalshme dhe me pasoja të mëdha për kombin tonë, pasi mjekët janë e duhet të jenë elita e një vendi, maja e piramidës të një shoqërie, shtresa ku duhet të mbështetet populli e qeveria.
Ju mund të më kujtoni cili urim ju nga mbetur i paharruar, nga pacienti, pasi ju e keni kuruar? 
Të them të drejtën, urimet që kam marrë nga pacientet dhe pacientet janë të shumta dhe sëcila ka qenë emocionuesedhe mbreslenese, e veçantë për mua. Para disa ditësh isha me nënën time dhe vajza e një pacientes i tha nënës time: Të jesh e lumtur për vajzën që ke. U ndjeva krenare dhe e lumtur. Dikush më ka bërë motër, disa tj tjera shoqe, me të cilat takohem shpesh, pimë kafe e diskutojmë për gjera të ndryshme, pasi sëmundjen e kemi mposhtur dhe ajo nuk është më temë e bisedave tona. Të bukura e plot frymëzim janë shpesh sms- të nga pacientë dhe familjarë. Ja si më shkruan dikush: Ju jeni simbol i femrës dinjitoze, guximtare në kufijtë e arësyes, me integritet të padiskutueshëm. Në çdo moment Ju rrezatoni qytetari, brishtësi dhe politesë, që mjerisht realiteti shqiptar jo gjithmonë i vlerëson… Po kështu, një çift nga Vlora, sa herë vinë më puthin dorën e më ka bërë vajzë, duke ju zëvendësuar atë të tyren që e kanë larg në Kanada. Përgjegjësi e madhe për një mjeke. A nuk është mallëngjyese kur pacientja më thotë: “ Le të vdes në dorën tënde. Kam besim vetëm tek ty”. Përsëri përgjegjësi. Para një viti, kur një paciente e familjarët e saj midis trajtimit jashtë shtetit, trajtimit në një spital privat dhe spitalit shtetëror pjesë e të cilit jam dhe unë, zgjodhën këtë të fundit, pra ekipin tim, kam ndjerë emocionin dhe përgjegjësinë më të madhe në jetën time, si mjeke. Pra asgjë nuk vlen më shumë se këto urime e këto vlerësime. Jam vërtet krenare për këtë që jam e këtë që kam arritur në jetën e karrierën time si kirurge onkogjinekologe, si e vetmja e tillë në Shqipëri. Një kirurg, mësuesi im thoshte një shprehje: Kirurgjia është profesion për burra. Por ato gra që bëhen kirurge janë burrëresha. Dhe për mua ky është vlerësimi më i madh. Është motoja që më shtyn përpara.
-Faleminderit!
Sigal