Bebeka Alla me një kalendar të veçantë

644
Sigal

PORTRET/ Opera “Skënderbeu”, më e bukura me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë

Promovimi

 Para disa ditësh në ambientet e “Bar Opera”, u organizua promovimi i kalendarit të ri për vitin 2013, i grimieres, fotografes dhe piktores së TOB-it, Bebeka Alla. Në këtë promovim merrnin pjesë Drejtori i TOB-it, “Mjeshtri i Madh” Zhani Ciko, këngëtarë lirikë, gazetarë, shkrimtarë, moderatorë, piktorë. Gjithë ceremonia e promovimit u organizua në mënyrë të thjeshtë në formë kokteji, ku në ballinën e lokalit ishin varur dy kalendarë përballë njeri tjetrit. Ishte një atmosferë shumë e ngrohtë dhe miqësore, ku çdo pjesëmarrës shprehte vlerësimet e tij për këtë kalendar specifik. Gjatë gjithë promovimit Bebeka ishte nën dyndjen e pyetjeve nga pjesëmarrës të ndryshëm për vetë paraqitjen e një lloji ndryshe të kalendarit.

 E veçanta

Një kalendar sa i veçantë po aq dhe i bukur. Një kalendar që meriton vëmendje. Një kalendar me plot 16 personazhe që morën pjesë në vënien në skenë gjatë vitit 2012 të operës më të famshme shqiptare opera “Skënderbeu”.  Të gjithë personazhet e operës kanë dalë në këtë album me veshjet e tyre skenike, një veshje që bie në sy, për seriozitet, ngjyra, prerje dhe formë speciale.  Të gjitha fotot e këtij albumi janë realizuar nga fotografja, piktorja dhe grimierja pasiononte Bebeka Alla. Publikimi i këtij kalendari që është mbështetur nga Teatri i Operës dhe Baletit ka qenë edhe një rast i mirë që artistët së bashku të diskutonin për risitë që sjell një lloj tjetër kalendari larg atyre standarde dhe shabllone që gjen nëpër pikat e shitjes së gazetave

 Roli i Bebekas në TOB

Roli i saj është i heshtur, por shumë domethënës.  Një jetë të tërë në këtë Institucion, ku gjallojnë operat më të famshme të botës. Në duart e saj kanë kaluar me qindra personazhe që nga “mbretër” dhe “mbretëresha” e deri tek shkencëtarë, këngëtarë, apo dhe karrocierë. Shpeshherë ndodh që në teatër, opera, balet, personazhet tjetërsohen tërësisht në moshë dhe në karakter. Një rol mund ta luaj një aktor apo këngëtare e madhe dhe në fillim për shkak të grimit asnjë nuk e njeh. Pastaj është zëri ai që i bën spektatorët ti njohin. Pra ky është roli i
padukshëm i grimieres në skenë. Dhe pse puna e tyre është shumë e madhe, evidentimi është shumë i paktë për të mos thënë i papërfillshëm. Roli i grimieres në skenat botërore ngelet kurdoherë parësor  dhe pse ata marrin pak nga lavdia e shfaqjeve. Bebeka është lidhur pazgjidhshmërisht me TOB. Kujtimet e saj janë të pafundme. Kur pyet Bebekën se kur është ndodhur më e mrekulluar për vënien në skenë është përgjigjur me operën “Skënderbeu”.

 Konsiderata e artistëve

Ditën e promovimit autorja e kalendarit mori konsideratat më të mira kryesisht nga  artistët që ishin pjesë e Operës “Skënderbeu”. Dhe nuk ishin pak por plot 16 artistë të gjithë me emër dhe me eksperienca nga më të ndryshmet në fushën e operës.  Dhe pse jo shumë e përhapur në Shqipëri Opera po fiton për çdo ditë terren aq më tepër, kur bëhet fjalë që në shumë vepra operistike shqiptare vijnë artistë apo tenorë të huaj me famë botërore që e lartësojnë nivelin e shfaqjeve. Në rastin konkret rolin e Skënderbeut në këtë operë gjigande e ka luajtur tenori amerikan Roy Stivens. Pjesëmarrja e tij në këtë rol solli dhe një angazhim të të gjithë trupës, e cila u finalizua me një sukses të plotë e duartrokitur fuqishëm nga publiku.

Opera “Skenderbeu”

Sipas kritikëve të ndryshëm opera “Skënderbeu” është një ndër operat më të bukura dhe më të fuqishme shqiptare. Autor i kësaj opere është kompozitori i shquar Prenk Jakova. Për herë të parë kjo opera është vënë në skenë në vitin 1968 dhe prej atij viti ajo ishte lënë në harresë. Në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë ishte këmbëngulja e Drejtorit të TOB-it, Zhani Ciko që kjo vepër operistike të rivihej në skenë.  Por kjo rivënie donte shumë angazhim, shumë punë, shumë djersë pasi këtë radhë do të vihej nën  regjinë e italianit Carlo Saleti, i cili e realizoi më së miri veprën në sajë të një bashkëpunimi  në grup me të gjithë trupën.

 Emrat e artistëve në kalendar që morën pjesë në operën “Skënderbeu”

1. SKËNDERBEU  /  Roy Stevens
2.  PLAKU FLOKËBARDHË  /  Sidrit Bejleri
3. LEK DUKAGJINI  /  Armaldo Kllogjeri
4. MAMICA  /  Irida Dragoti
5. DONIKA  /  Emiliana Palushaj
6. MOISI GOLEMI  /  Luan Sula
7. DAMJAN MIROSHA  /  Riad Ymeri
8. GJERGJ ARIANITI  /  Sokol Hidërsha
9. BALË GJINAKU  /  Ogert Islami
10. DONIKA  /  Dëshira Ahmeti
11. MAMICA  /  Ivana Hoxha
12. TANUSH TOPIA  /  Pandush Koka
13. KËNGËTARI LAB  /  Denis Skura
14. FRANCESKU  /  Armando Likaj
15. ALI PASHA  /  Edvin Kastrati
16. TALIPI  /  Aurel Thëllimi

 Kalendari i katërt

Ajo që duhet theksuar në këtë promovim është se, Bebeka këtë radhë promovoi kalendarin e saj të katërt me artistë të operës që luajnë pjesë nga më të ndryshmet. Por ky kalendar ishte më sinjifikativ për vetë vitin në të cilin u realizua dhe personazhet, ku rolin e Skënderbeut e luante një artist amerikan me famë botërore. Albumi i parë i Bebekas u realizua në vitin 2010 vetëm bardh e zi. Ndërsa tre kalendarët e tjerë janë realizuar me ngjyra. Sipas Bebekës, ky kalendar do të ruhet fort në kujtesën e të gjithë pjesëmarrësve për vetë rëndësinë e operës, pjesëmarrësve dhe regjisorit. Opera të tilla me staf të kompletuar dhe me emër në këtë fushë ndodhin shumë rrallë në historinë e operistikës së një vendi.