Marigo Posio, atdhetarja e shquar që ndrit në palët e Flamurit të Pavarësisë

5022
Sigal

Domosdo që në bisedat e shumta që bëhen në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, një vend të rëndësishëm zë edhe figura e Marigo Posio. Atdhetarja e shquar, me dorën e saj qëndisi flamurin dhe shqiponjën e Flamurit që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 Nëntor të 1912-s.

Kush është Marigoja

U largua nga vendlindja e saj Hoçishti i Korçës dhe u vendos në Vlorë. Shkak i braktisjes së vendlindjes ishte persekutimi që po i bëhej atdhetarëve nga reaksioni osman. Në vitin 1904, bashkë me të shoqin u vendos në një shtëpi të lagjes Muradie, në rrugën që mban emrin e gazetarit francez Justin Goda. Shpejt ajo u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare, por edhe me qëndismat që bënte. Kur solli plaçkat nga Korça në fund të sëndukut kish vënë një flamur të qëndisur me dorën e saj. E kishte mbuluar me gazeta të vjetra të ngjitura me brumë, që të mos diktohej në rast kontrolli. Ajo u thoshte vajzave vlonjate: “Dëgjoni vajza. Në pajën tuaj duhet të keni medoemos një flamur, atë u a qëndis unë. Kjo intelektuale e shquar, patriote e flaktë, gjente kohë të lexonte libra e shfletonte gazeta. Ishte e vetmja grua që aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës, duke u bërë edhe një shembull për masën e grave. Në shtëpinë e Marigosë, që u bë vatër atdhetare, hynin e dilnin Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Ibrahim Shyti, Jani Minga, Musa Çakërri. Në shtypin e kohës citohet se Marigo Posio, mori pjesë në Komitetin e parë që u formua në Vlorë për shpëtimin e Atdheut dhe ndihmoi me të holla.

Poezia dhe publicistika e Marigosë

Ndjenjat patriotike Margigo Posio i ka shprehur edhe në shtypin e kohës, ku ka shkruar me qindra shkrime, ashtu edhe në krijimtarinë e saj poetike. Më 28 nëntor të vitit 1918, në ditën e 7 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ajo do të ishte në ballë të demonstratës kundër pushtimi nga fqinjët dhe do të bënte thirrje në shtypin e kohës: Atdheu mbi gjithçka. Më 13 qershor të vitit 1920, kur Avni Rustemi, vrau Esat Pashën në Paris, Marigoja, do të thurte ndër të tjera edhe këto vargje: “Ti vrapove, porsi plumbi, / u bëre erë dhe hije,/ shkele, shkove dhe e shove, /Shqipërinë e shpëtove. Kjo poete patriote gjente kohë të shkruante vargje edhe për luftëtarët, që u gjymtuan në luftë dhe që nuk kishin me çfarë të jetonin: “Turp i madh, për Perëndi,/ Unë, ti dhe ai,/ Për nderin e atij gjaku,/ Qysh e lëmë e qan bonjaku…Mendimi iluminist dhe veprimtaria patriotike e shqiptares së shquar, është fiksuar në qindra artikuj dhe poezi në shtypin e kohës dhe kush i lexon ato prek patriotizmin e shqiptares së famshme Marigo Posio.

Fundi tragjik i familjes Posio në Vlorë

Bashkëshortët Jovan e Marigo Posio, do të lindnin tre fëmijë në Vlorë, vajzat Evridhiqi e Liria dhe djali me emrin Vaso. Vajza e madhe ishte bashkëpunëtore e ngushtë e nënës së saj dhe bashkërisht do të botonin gazetën “Shpresa e Kombit’. I biri ishte artist dhe merrte pjesë në koncertet kombëtare. Marigonë e ndëshkoi në mënyrën më mizore fati. Ajo do të përjetonte dhimbjen më therëse, pasi do të vdiste djali i vetëm, teksa kthehej nga Amerika. Dhimbjet do të pasonin njëra-tjetrën, pse të dy vajzat do të vdisnin nga tuberkulozi. Goditje përfundimtare është edhe për vetë Marigonë, që u sëmur nga tuberkulozi dhe u detyrua të mjekohej në Vjenë. Me gjithë dhimbjet që kishte në trup, në këtë kohë, ajo mblodhi forcat dhe bashkë me aktorin e madh Aleksandër Moisiu bënin veprimtari në dobi të Shqipërisë. Në gusht të vitit 1932, mbylli sytë shqiptarja e shquar Marigo Posio. Ajo do të përcillej me nderim të thellë nga një lum i madh vlonjatësh, ndërsa regjimi i Zogut heshti.

Homazh veprës së saj

Në historinë e mendimit politik e shoqëror të çerekut të parë të shekullit që iku, Marigo Posio, zë një vend nderi, duke u shndërruar në një nga përfaqësueset më të denja të femrës shqiptare. Pikëpamjet e saj të përparuara janë vazhdim i mendimit më të përparuar të Rilindjes Kombëtare. Kjo grua, me gjithë dhimbjet e hallet familjare që provoi, jetoi edhe me shqetësimet e Kombit..Ajo shërbeu si forcë lëvizëse për përparimin e Shqipërisë dhe idetë e saj atdhetare janë aktuale edhe sot. Cilësimi nga shtypi i kohës si gruaja më e ditur e qytetit, e bënte atë një model të thjeshtësisë mes grave vlonjate. Veprimtaria e Marigosë në fushën e emancipimit të femrës ushtruan një ndikim mjaft pozitiv në zgjimin e fuqive të ndrydhura të vajzave dhe grave shqiptare.

___________________________________________________________________________________

MARIGOJA DHE FLAMURI SHQIPTAR

Sipas të thënave, shoqet e fëminisë, Marigonë e thërrisnin Shqiponja. Kishte një arsye që e thërrisnin kështu. Dhe një arsye më shumë, ishte se ajo qëndiste qindra shqiponja me duart e saj Gazeta “Arbëria”, që botohej në Gjirokastër, në kohën e saj shkruan: “Flamurin Kombëtar, që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga dora e Ismail Qemalit, është hartuar nga duart e Marigo Posio, mbi copën e blerë tek tregtari Diamant. Qëndisja është bërë sipas modelit të shqipes, që kishin vizatuar patriotët Don Mark Vasa dhe Petro Fotografi. Këtë fakt e dinin edhe shumë patriotë të tjerë. Me të hollat e saj, ajo punoi edhe 500 flamuj për t’i vendosur në zyrat e shtetit të ri shqiptar. Një poezi e botuar në shtypin e kohës me titull “Marigo Posio”, lexohen vargjet: “Cila dorë e pat punue”, ose Kombit ia pat kushtue, at flamur, që valoi në Vlorë”…

___________________________________________________________________________________

HISTORIANI, DR. SHKENCAVE HISTORIKE ZEKO BRAHO PËR MARIGONË

Dr. Shkencave Historike Zeko Braho në Vlorë është autori i vetëm që ka hulumtuar mbi jetën dhe aktivitetin e Marigo Posio. Ai rrëfen për “Telegraf” se kishte bërë gati për botim një libër biografik për Marigonë dhe prej shumë vitesh e mbante në sirtar, pasi nuk i a botonin. Duhet të jetë Heroinë-  thoshin drejtuesit e Shtëpisë Botuese. Atëherë- thotë ai, i shkrova një letër Rita Markos, anëtarit të Byrosë Politike, që ishte nga Korça dhe kisha shpresë se do të ndihmonte, por jo. Në vitin 1990, kur shkrimtarja Helena Kadare është njohur me përmbajtjen e librit, është prekur dhe libri menjëherë ka hyrë në shtyp. Libri është ribotuar kohët e fundit, duke e pasuruar me fakte të reja dhe ndjehem i lumtur që më në fund u gjet varri i Marigosë, që kjo grua e shquar ka një varr madhështor në Zvërnec, ka një bust tek Kali i Trojës dhe që ish Presidenti i Republikës, prof. Rexhep Mejdani, në Kuvendin e parë të Gruas së shquar, që u mbajt në Vlorë, e nderoi me Urdhrin e Flamurit. Teksa do të festojmë 100- vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në palët e Flamurit ndrit figura e Marigosë, qëndistares së Flamurit që u ngrit më 28 Nëntor të 1912-s në Vlorë.