Prof.As. Dr. Kseanela Sotirofski: “Misioni i shkollës, përballimi i sfidave të botës globale”

776
Sigal

INTERVISTA/  Flet dekania e Fakultetit të Edukimit në Universitetin  “Aleksandër Moisiu”, Durrës

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës duke qenë Universiteti më i ri publik në vend, ka avantazhin e të pasurit një staf akademik të ri në moshë dhe të kualifikuar kryesisht në universitete të huaja. Ky staf i ri është dinamik dhe di t’i përgjigjet ndryshimeve dhe kërkesave në fushën e shkencës dhe mësimdhënies. Por nuk mungon dhe eksperienca e vyer e pedagogëve me eksperiencë akademike, e cila ndërthuret më së miri me dëshirën e madhe të stafit të ri akademik. Një gjë të tillë e mëson nga dekania e Fakultetit të Edukimit, Prof. As. Dr. Kseanela Sotirofski.

Cilat janë realizimet më të mëdha të Universiteteve publike Shqipërisë duke e krahasuar me Universitetet private?

Mendoj se nuk duhet të ndajmë universitetet publike dhe private me një vijë të trashë. Në fund të fundit, misioni i universitetit, qoftë ai publik apo privat, është të rrisë individë të aftë për të përballuar sfidat e shoqërisë së dijes. Universitetet në thelb i ndan cilësia e mësimdhënies, kërkimi shkencor, cilësia e të diplomuarve… dhe jo statusi publik apo privat. E vërtetë është që në Shqipëri, si në shumë vende të tjera fqinje e më tej, ka një shpërthim të universiteteve private, fenomen i cili do kalojë shumë shpejt në sitën e cilësisë dhe do mbijetojnë më të mirët. Për momentin mund të them se Universitetet publike janë më të konsoliduara dhe me traditë.

A është e vështirë sot të jesh pedagoge në universitetin shtetëror dhe pse?

Nuk mendoj se është e vështirë, ose me lejo të them se është një punë shumë fisnike, por me përgjegjësi shumë të madhe. Misioni ynë është edukimi dhe formimi. Edukim për t’u bërë qytetar i denjë dhe për t’i shërbyer vendit dhe formim për t’u bërë profesionist i mirë dhe për të përballuar sfidat e botës globale. Përmbushja e këtij misioni më duket pjesa më e “ngarkuar” e profesionit tim si pedagoge.

Flitet se ekziston mitmarrja në radhët e pedagogëve, si mund të luftohet ky fenomen?

Po, flitet dhe mësojmë dhe raste të identifikuara. Mendoj se ka mënyra të shumta për ta luftuar këtë fenomen. Po përmend disa që me vijnë menjëherë në mendje. Fillimisht mendoj se duhet të ketë pasoja të rënda ligjore për ata që përfshihen në këtë fenomen, por për të dyja palët. Transparenca, është një element i rëndësishëm gjithashtu. Nëse drejtuesit e të gjithë hallkave në universitete nxisin transparencën kryesisht në zhvillimin dhe vlerësimin e provimeve, mendoj se ky fenomen do të zhduket. Dhe më e rëndësishmja, është e turpshme që sot brezi i ri, e ardhmja e vendit është një nga palët e këtij fenomeni. Nëse ne e konsiderojmë mitmarrjen si një stigëm sociale, njerëzit do të shmangen nga ky fenomen.

Ku ju gjeti demokracia dhe cili ishte pozicioni i juaj në atë periudhë?

Në periudhën kur po bëhej ndërrimi i pushteteve, ose më mirë në momentet kur sapo kishte filluar ai, si çdo bashkëmoshatar i asaj kohe, gjendesha përballe atij ekrani të vogël, që ishte TVSH. Në atë kohë mundohesha të kuptoja duke dëgjuar dhe duke parë prindërit e mi të cilët me entuziazëm dhe me frikë po përjetonin ato çaste. Isha një nxënëse që isha rritur me dëshirën për t’u bërë pioniere dhe për pak çaste ato që na ishin thënë dhe kishim dëgjuar nuk ishin më të vërteta, nuk ishte toka e premtuar, por krejt e kundërta. Mbaj mend që njerëzit që më rrethonin ishin entuziastë, të gëzuar. I vështrova për një kohë të gjatë dhe nuk mund të them që kuptova kushedi se çfarë, por pashë në sytë e tyre lirinë e fituar.

Cila ka qenë dita më e vështirë në periudhën e nderimit të dy sistemeve?

Në ato momente nuk mund të them se realizoja me të vërtetë se cili ishte momenti me i vështirë gjatë asaj periudhe. Por tani, shumë vite më vonë, duke lexuar dhe dëgjuar, mendoj dhe besoj që pa dyshim ishte lëvizja e studentëve të dhjetorit sepse ishte momenti më delikat. Ata kishin ndezur shpresa e zjarr në zemrat e qytetarëve dhe nëse kjo nuk do të realizohej, nuk e di se çfarë mund të ndodhte. Prandaj, e vendos këtë moment si një nga momentet më të vështirë të kësaj periudhe, sepse ishte hera e parë pas shume vitesh që idetë e lira dilnin nga muret e frikës ku ishin fshehur, nga ku ishin gllabëruar dhe ku kishin disa kohë që prisnin të shpërthenin.

Çfarë është politika për ju dhe cili ka qenë pozicioni ndaj politikës në përgjithësi?

Politika për mua është një ndër shtyllat mbartëse ku bazohet i gjithë sistemi social, është një bashkësi aktivitetesh të cilat i bëjnë njerëzit të përballen ndërmjet tyre dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut. Fillimisht kam qenë dyshuese rreth saj, por me kalimin e viteve kam realizuar se si ajo është një element shumë i rëndësishëm i ndërtimit të së ardhmes sonë. Mendoj që çdo qytetar duhet të jetë me aktiv. Në sensin, jo që të marrë pjesë në mënyrë direkte në politikë duke kandiduar për një parti ose një koalicion, por duke u interesuar ndaj problemeve të politikës dhe duke dhënë gjykimin moral në momentet e përcaktuara nga ligji. Për sa i përket pozicionit tim ndaj politikës; deri sot nuk e kam menduar të jem pjesë e politikës dhe nuk mendoj se do të jem pjesë aktive e saj deri sa të besoj vërtet se nëpërmjet saj unë mund të kontribuoj sado pak dhe seriozisht në zhvillimin e vendit ku jetojmë.

Modeli i politikanit, sipas jush?

Mund të flas për tre modele; modelit të politikanit; është ai person i cili arrin të bashkojë moralin me politikën, një sipërmarrje tërësisht e vështirë. Modeli i studiuesit të politikës; i cili arrin të futet në politikë dhe të kontribuojë për të, duke u munduar për të gjetur kompromise midis grupeve të ndryshme, pra edhe kjo një sipërmarrje e vështirë. Modeli i politikanit vizionar; i cili arrin të shikojë të ardhmen duke e bazuar atë në zgjedhjet e bëra prej tij.

Tejzgjatja e Shqipërisë në BE, ku e ka zanafillën?

Edhe ky moment, sipas meje, e ka zanafillën në momentin kur po krijohej Shqipëria pluraliste, shumë njerëz kërkonin të merrnin pjesë në politikë duke përdorur slogane të ndryshme, duke filluar që nga ai i integrimit evropian. Në vendet e tjera ish komuniste ky proces ndodhi ndryshe, sepse partitë politike u formuan pas ideve ndërsa tek ne, shumica e ideve politike u formuan pas partive. Kjo gjë, sipas mendimit tim po shikohet akoma dhe sot ku një vend i vogël si ky i yni e ka të vështirë të arrijë një kompromis në të mirën e përgjithshme. Në fakt, sot ka ardhur koha ku idetë të formojnë partitë, ku partitë politike të lenë mënjanë mëritë e vjetra e të punojnë në të mirën e qytetarëve dhe ku çdo parlamentar të jetë përfaqësues i denjë i qytetarëve dhe jo një njeri që i sakrifikon ata për të arritur një objektiv politik.

Po politika shqiptare a ka lënë hapësirat e nevojshme për femrat?

Vitet e fundit politika shqiptare ka punuar shumë në këtë drejtim dhe mendoj se në zgjedhjet e ardhshme do të kemi akoma dhe më shumë femra që do të jenë aktive në politikë. Besoj që figura e femrës është qendrore për politikën, ashtu si figura e politikës është qendrore për sistemin social. Femrat kanë treguar se mund të arrijnë kompromise për një të ardhme sa më të mirë të fëmijëve të tyre.

Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Nuk është se kam një moto të veçantë, por çdo mëngjes mundohem të falënderoj Zotin që zgjohem me shëndet dhe humor të plotë. Të jetosh me gëzim dhe optimizëm është e rëndësishme për mua.

Ku preferoni t’i bëni pushimet?

Pushimet, aty ku çlodhem, larg zhurmave dhe afër natyrës.

Veshja e preferuar?

Ajo që më bën të ndihem rehat dhe përdorimi i ngjyrave.

Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Në marrëdhëniet me njerëzit, kam pritshmëri të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Kjo varet nga raportet që unë kam me ta. Vlerësoj pjesën e përgjegjshme të njeriut që kam përballë për aq raporte sa unë kam me të. Kritikoj (jo me zë të lartë), njerëzit që kanë gjithmonë një problem ose një pengesë dhe asnjëherë nuk dinë të gëzohen për ato pak të mira që kanë në jetë.