Drita Haxhiraj:Si më ndihmoi gjatë prezantimit këngëtari i talentuar Avni Mula

1120
Sigal

Flet Drita Haxhiraj prezantuesja që drejtoi 5 festivale në RTSH: Festivalin e shtatë e prezantova me Roland Trebickën

Që në fillimet e saj shpërtheu, si aktore dhe prezantuese. Ofertat për të ishin nga më të ndryshmet.  Fati i kishte buzëqeshur në sajë të punës dhe cilësive të veçanta. E gjatë, elegante, e qeshur, me një pamje princeshe, krenare…Flet me plot ndjenjë, sinqeritet, sikur të jetë pas një shfaqjeje. Vitet e kanë rritur në moshë, por jo në pamje dhe në zë. Ajo si tregon vitet mbi shpinë, as në pamje, as në zë, as në memorie. Fjala e saj të rrëmben…Të tërheq si me magnet…të bën për vete. Plot 52 role në skenë dhe filma. Pesë Festivale  në RTSH, si spikere. Festivalet në RTSH në sistemin monist kanë qenë evenimenti më i rëndësishëm i vitit. Ishte ndër prezantueset më me fat që ju besuan prezantimet e plot 5 festivaleve. Konkretisht Festivali i parë që ka prezantuar ka qenë Festivali i tretë i Këngës në RTSH. Këtë Festival e ka prezantuar së bashku me Vangjel Hebën. Festivalin e katërt dhe të pestë e ka drejtuar me Bujar Kapexhiun. Festivalin e gjashtë me Albert Mingën dhe Festivalin e shtatë me Roland Trebickën. Mbi 100 koncerte të drejtuara…Por ajo tashmë ka dhe pesë role të tjerë dhe në kinematografinë italiane. Një thesar i tërë, një arkiv me vete është Drita në teatrin dhe në filmin shqiptar. Por ajo me modesti sukseset e saj ja dedikon më shumë regjisorëve, skenaristëve, kolegeve, se sa vetes. Kur mbaron rrëfimin, ajo më shikon  në sy, me ata sytë e saj gjithë shkëlqim dhe duket sikur thotë: “Jeta e aktorit i ngjan një anijeje në lundrim që di nisjen, por kurrë limanin në të cilin do të ndalet. Në këtë lundrim ka valë, det të qetë, ka shtrëngata, ka tufan, ka dallgë dhe cunam, por që të gjitha bëjnë pjesë në atë shumëquajturën lojë. Kjo është jeta e aktorit”.

 Festivali i parë që ka prezantuar ka qenë Festivali i 3-të i Këngës në RTSH

Ishte një nga ditët më emocionuese të jetës së saj, madje më emocionuese se kur ka luajtur filmin e parë. Rrinte pas perdes e hutuar. Dridhej e gjitha. Kur duheshin e disa minuta që të dilte në skenë emocionet ju shtuan dhe më tepër. S’dinte se si do të dilte…në këtë moment dikush i vë dorën në sup. Kthen kokën ngadalë. Pa para vetes këngëtarin e talentuar Avni Mula. Ai si duket e pa gjendjen e saj dhe i thotë: “Drita, mblidhe veten. Për ty sot është një ditë e bukur, një ditë magjike. Ah sa femra duan ta kenë shansin tënd! Ti i ke të gjitha, komunikimin, lukun, elokuencën, zhdërvjelltësinë, trupin. Je shumë e kompletuar për t’ja dalë mbanë…Jo më kot të kanë zgjedhur ty. Ne të gjithë presim shumë nga ty sonte”. Ato fjalë ishin fjalët më të bukura që kishte dëgjuar ndonjëherë në jetë. Buzëqeshi. Ato fjalë të ngrohta i dhanë forcë, kurajo, besim… Ato fjalë i dhanë krahë, për t’u futur në skenë e sigurt. Idhulli i saj si këngëtare mbetet Vaçe Zela. Ajo dhe tani mbetet mikja e saj më e mirë. Kur ajo dridhej pas kuintave, pa se po ashtu, me po ato emocione ishte dhe Vaçe Zela. S’mund ta besonte. Por sa futej në skenë ajo tjetërsohej, çlirohej. Ajo e magjepste spektatorin. Gjithë salla ishte nën zotërimin e saj. Zëri i saj i hutonte, i magjepste të gjithë. Kështu ndodhi dhe me Dritën.

Më vonë ajo ka drejtuar mbi 100 spektakle të ndryshme.

  Aktrimi

-Dëshira për aktrim ishte vetëm e saj, personale, sepse familja nuk e mendonte në atë kohë që ajo të zgjidhte këtë rrugë jete. Prindërit e saj ëndërronin për mjeke ose për mësuese. Kam bërë shtatëvjeçaren tek shkolla “Hoxha Tahsin”, ku  kanë pasur një udhëheqëse çete  e cila zgjidhte pionierët që ajo mendonte se recitonin bukur dhe i përgatiste në mënyrë personale. Ajo i nxiti 2-3 vetave për tu regjistruar në Pallatin e Pionierëve, në rrethin e teatrit. Ja hapi zemrën nënës dhe i tregoi se çfarë i kishin thënë. Ajo pranoi me mëdyshje…Kur u regjistrua në Pallatin e Pionierëve në rrethin e teatrit, babait i tha se do të shkonte në rrethin e rrobaqepësisë. Prindërit donin që të mësonte në shtëpi brenda, të mos merrej me aktivitete. Aty, në rrethin e teatrit u njoh me Roland Trebickën, Pëllumb Dervishin, dhe regjisor Zenulla Hatibin. U formua një grup, ku konkurruan me të gjithë shtëpitë e pionierit që ishin në atë kohë. Bëhet fjalë kur ishte 12 vjeçe. Suksesi i këtij grupi u bë me emër në të gjithë Shqipërinë. Ndjeheshin shumë krenarë. Po në shkollën “Hoxha Tahsin” vinte një specialist i operës që i zgjidhte për zërin dhe ajo ishte një nga ato më të përzgjedhurat e tij, Ai e pëlqeu zërin e saj. Ky zotëri i çonte në emisionin e fëmijëve që ishte në radio Tirana, në orën 13:00. Ishte një emision direkt. Kryesisht këndonte këngë për pionierë. Ishin krijime shumë të bukura, për fëmijë. I kujtohet se  u jepnin honorare  100 lekë në muaj dhe ajo këto 100 lekë ia çoja mamasë në shtëpi. Ajo shkonte në radio por nuk kishte radio në shtëpi.

 Kur babai u bleu radio ishte gëzimi më i madh për ata si fëmijë, ishte dhurata më e bukur. Radio.?! U dukej magjike. E pastronim, e ledhatonim. Në valët e saj e ngacmonin shumë zërat e Drita Pelingut, Margarita Xhepës, Marie Logorecit, Besa Imamit.

 Fill pas shkollës shtatëvjeçare e morën dhe e çuan në liceun artistik.  Ishte me fat se e  zgjodhi një regjisore shumë e madhe Zina Andri që kishte marrë Medaljen e Artë në Moskë. Fillimet e saj për aktrim kanë qenë me të, në Lice. Ajo ka qenë pedagogia e parë e mjeshtërisë së aktorëve. Liceu u mbyll pas dy vjetësh dhe ajo do të konkurronte në Institutin e Arteve si të gjitha shoqet dhe shokët. Por duhej të kisha mbaruar edhe të mesmen, mbasi  kishte vetëm dy vjet Lice. Ndërkohë vazhdonte të jepte edhe provimet e të mesmes dhe të lartës. E pranuan në Institut, pavarësisht mangësisë. Por…Eh…! Problemi ishte përsëri me babain. Ishin pedagogët , miqtë e saj, që biseduan me babain dhe ai e lejoi,  por kurrë nuk donte ta shikonte që  të dilte në skenë.

 Roli i parë..

 Në fillim nuk e besonte. Roli i parë ka qenë në filmin “Ngadhënjim mbi vdekje”. Ishte roli i një gjimnazisteje. Ishte një moment i bukur për të që e kujton me shumë nostalgji. Ndoshta ai rol i vogël hapi dyert e saj për filmin dhe teatrin. Ishte pikërisht viti që ajo mori diplomën. Atë vit kishte dy gëzime. Roli i filmit të parë dhe gëzimi më i madh fejesa me bashkëshortin, Fatosin. Pas këtij roli, e ftuan në Dramën “Drita” me regji të Kujtim Spahivoglit dhe skenar të Mimika Luca. Ishte një interpretim modest por që u pëlqye. Këtu një ndihmë të madhe i dha aktorja e talentuar Drita Pelingu. Në këtë dramë shihte me vëmendje mënyrën se si përgatiteshin apo interpretonin aktorët me eksperiencë. Një dramë ku mësoi shumë….Gjatë xhirimit rrinte në dhomë me Edi Luarasin dhe ajo i ka dhënë shumë forcë, energji, i mësonte detaje nga sheshet e xhirimit. Ka qenë shumë emocionuese, por më emocionues dhe që ka lënë gjurmë të thellë në jetën e saj ka qenë roli tek drama “Fytyra e dytë” e shkruar nga Dritëro Agolli, dhe regjisor Piro Mani. Regjisori i besoi këtë rol, por duke ditur se do ishte me aktorë potent, ku (mama) kishte Violeta Manushi, (baba) Kadri Rroshin dhe (xhaxha) Viktor Gjokën. Të dashur kisha po të fejuarin e saj real Fatosin, ndërsa të fejuar në dramë aktorin Bexhet Nelku. Të gjithë këta njerëz e  frymëzuan dhe ja bënë shumë të lehtë punën. Ai ishte një rol shumë i suksesshëm. Atëherë spektatori ngrihej në orën 00:04, të mëngjesit për të prerë bileta.

 Një moment i vështirë

 Ja një moment, një çast dhe… “Kam rënë në skenë. Ka qenë pjesa “Komunistët”  me regji të Pirro Manit. Aty kam qenë vajza e Margarita Xhepës dhe e Robert Ndrenikës. Në momentin që  duhej të vrapoja, si duket podiumi nuk ishte i gozhduar mirë dhe këmba më futet në thellësi të dekorit, mes dërrasave…U vrava keq. Ndjeja dhimbje të llahtarshme… Margarita i thërret me të madhe  Robert Ndrenikës se na u vra goca (sikur kjo ishte pjesë në rolin tim)!” Duke parë Margaritën që po e ngrinte bashkë me Bertin i dha kurajo vetes. Askush nga spektatorët s’e mori vesh që ajo u vra me të vërtetë. Menduan se ishte pjesë e dramës. Ishte intuita e këtyre dy aktorëve të mëdhenj që e kaluan këtë situatë. Të punoje me këta aktorë ishte një fat, por edhe përgjegjësi.

 Peng?

-Peng nuk ka. Regjisorët i kanë besuar më shumë se sa ajo ka ëndërruar. Regjisori Piro Mani, Kujtim Spahivogli, Esat Oktrova, Dhimitër Pecani, bashkëshorti, Fatosi kanë pasur besim në lojën e saj. Ajo është munduar ta justifikoj besimin e tyre.  I vetmi peng është roli i një gjysheje. Kjo për vetë faktin sepse një gjyshe që e ka rritur babain e saj në Vlorë, e ka ngacmuar së tepërmi në imagjinatë, për fisnikërinë, bujarinë, burrërinë, sakrificat….Pra, do që ta luajë atë si personazh. Këtë dramë, realizimin e saj si skenarist ia kërkoi Rruzhdi Pulahës. Ai mund ta realizojë si dramë. Është një skenarist i aftë, praktik, që din të gjej detaje dhe të zbërthejë personazhe. Ka qenë dhe është gjithmonë pranë teatrit, pa mohuar punën që bëhet në film. Diferenca është se në teatër në qoftë se ke talent, dhe ke një regjisor të mirë që të drejton, zbulohesh. Kur nuk i ke këto skena të hedh jashtë. Ndërsa në film një rol mund ta bëjë edhe një amator dhe çdo njeri. Kënaqësitë më të mëdha i ka në teatër. Kontakti i drejtpërdrejtë me spektatorin, është i bukur, plot jetë, të jep sadisfaksion. Të bën më të besueshëm, më kërkues ndaj vetes…Në teatër është futur që 20 vjeç, dy vjet para shoqeve.