Gjithmonë krenare për origjinën dhe identitetin tim shqiptar

473
Sigal

INTERVISTA/ Flet nga Franca poetja dhe mësuesja Enkelejda Kondi: Poezinë e parë ja kam kushtuar mësueses së fillores

Një poet që për çdo ditë ka tërhequr vëmendjen e kritikës. Për çdo vit ajo jo vetëm boton poezi në organe të ndryshme shtypi, por e ka çuar në tre numrin e botimeve të librave poetik. Në jetën e saj si mësuese ajo çka të tërheq vëmendjen është se  ka fituar të drejtën e të qenit mësuese në një shollë në Francë duke gëzuar po atë status si mësueset vendase duke fituar me konkurs këtë të drejtë. Dhe pse e martuar në Francë ajo se harron kurrë atdheun, por shkruan për të dhe mban lidhje me shumë gazeta me botimet e saj cilësore.

-Si nisi rruga e krijimtarisë për Enkelejdën?

Fare rastësisht, në moshën fëminore, kur mbresat, gëzimet e jetës, evenimentet, lenë gjurmë dhe një ditë të bukur, shkruan me sinqeritetin e moshës një hartim të bukur, më pas një poezi që lë mbresa tek mësuesja, prindërit dhe t’a thonë mes falënderimeve, që kjo që ke shkruar është shumë e bukur, të inkurajoj të vazhdosh të shkruash, sigurisht në fletë të bardha, ose në ndonjë fletore modeste të asaj kohe. Në fakt do të kisha dëshirë t’i kisha ruajtur, por kush e mendonte se më pas për mua do të ishte fillimi, referimi i një rruge të gjatë (qesh).

-Përse studiuat për Gjuhë- Letërsi, ishte dëshirë apo një rastësi?

Nuk ka qenë aspak rastësi. Zgjedhja mendoj ishte bërë shumë herët, e para dëshirë të isha mësuese dhe më pas letërsia, pasioni që kam pasur qysh herët për të lexuar. Lexoja shumë qysh fëmijë, shkoja shpesh në bibliotekën e qytetit për të marrë libra, por dhe nga librat që më blinin prindërit, apo shkëmbenim mes shoqesh. Kur mbarova shkollën e mesme, u vu si kriter përzgjedhja e degës, por me konkurs. Konkurrova në Universitetin Eqrem Çabej në degën Gjuhë-Letërsi dhe e fitova të drejtën e ndjekjes së studimit deri në diplomim në vitin 1996, si mësuese e gjuhës dhe letërsisë.

-Cila ishte poezia juaj e parë dhe si jeni ndjerë pas botimit të saj?

Poezia e parë ka qenë një poezi kushtuar mësueses së fillores, poezi me naivitet fëmije, por që më kujtohet se luajti mirë rolin e saj në ditën e 7 Marsit, pasi u pëlqye. Në atë kohë nuk flitej ende për botim, por si stimul ishte publikuar në Këndin e Letrarit të Ri për disa ditë dhe unë sa herë ngjisja shkallët në katin e dytë, ndalesha para asaj stende, për ta lexuar sërish e sërish dhe më dukej aq e bukur ajo ç’ka kisha shkruar.

-Sa libra poetik keni botuar dhe si ka reaguar kritika ndaj tyre?

Unë jam autore e tre vëllimeve me poezi, respektivisht: “Ëndrra e një vajze”, botuar në Korrik 2010, “Shtegtim ndjenjash”, botuar në Shkurt 2011, dhe vëllimi i fundit me poezi, shqip-anglisht “Loti është grua”, Gusht 2012. Vetë fakti që unë jetoj e punoj jashtë atdheut, angazhimi im në jetën profesionale, nuk më lejon të jem e pranishme në aktivitete të shumta që zhvillohen në kuadrin e letërsisë, konkurse poetike, promovime apo të jem në kontakt me njerëzit e letrave. Nuk e di nëse vërtet në Shqipëri ekziston një kritikë e mirëfilltë, preferoj të jem e rezervuar në këtë pikë, por di të them që nëpërmjet internetit (e vetmja mënyrë komunikimi), më kanë ardhur mesazhe vlerësimi, inkurajimi nga dashamirës, lexues të thjeshtë, njerëz të artit dhe besoj se për momentin kjo më mjafton, është mirënjohja më e madhe për mua si krijuese.

-Çdo të thotë të kesh bashkëshort një francez?

Do të thotë një zgjidhje që bëra në një moment të caktuar të jetës sime, do të thotë sakrifica e lënies së atdheut, prindërve, miqve, profesionit, jetës së këtushme, do të thotë mall dhe largësi. Nga ana tjetër do të thotë mundime, për tu adaptuar, integruar, mësuar një gjuhë të huaj për të qenë e merituar emrin e qytetares evropiane, për të justifikuar nderin që Franca më bëri duke më dhënë nënshtetësinë e saj. Por do të thotë dhe përzierje kulturash, dhe kjo është pasuri e madhe, vlerësim për gjithë sakrificat, dashuri që fal një bashkëshort dhe vatra familjare.

-Ju jeni mësuese në një shkollë franceze. Si mundët të konkurroni, fitoni dhe të jeni me të njëjtën detyrë si mësueset vendase?

Franca është një shtet, që ka shumë nacionalitete që jetojnë e punojnë. Për të gjithë njerëzit që jetojnë në France, si princip i bazës është barazia e shanseve, pa dallim ngjyre, origjine, bindje etj. Kjo është një nga shenjat e demokracisë së shtetit, përveç lirisë dhe vëllazërisë. Më njohën dy vjet nga studimet që kisha bërë në Shqipëri, duke më dhënë mundësinë e vazhdimit të një viti studimesh në France e më pas konkurse e formalitete të tjera që unë të jem aty ku jam sot. Sigurisht që kjo kërkon impenjim, motivim, por isha e udhëhequr mirë në ç’do hap se ku duhet të shkoja e ç’farë duhej të bëja.

-A e keni ndjerë ndonjëherë frymën e racizmit në vendin e punës?

Jo, aspak nuk e kam ndjerë as verbalisht. Flas frëngjisht dhe ruaj gjithnjë theksin shqip, por kjo s’më ka sjellë probleme deri tani, përkundrazi, i jep sharmin gjuhës frënge dhe një mënyrë për t’ju thënë njerëzve: Hej, unë flas gjuhën tuaj, por s’jam prej këtu, jam nga të tjera brigje, në vena më kullon gjak detesh të largët. Jam dhe do të mbetem dhe në Francë, krenare për origjinën dhe identitetin tim shqiptar, që kurrë s’i kam mohuar.

– A ndihet dallimi i respektimit ndaj femrës në Francë duke e krahasuar me Shqipërinë?

Sigurisht, Franca është një vend demokratik dhe shumë më i civilizuar duke e krahasuar me Shqipërinë. Femra është më e lirë, e pavarur, qoftë në jetën sociale, në angazhimet në familje etj. Vetëm qeveria e sotme franceze në gjirin e saj ka jo pak, po 17 femra ministre. Ekziston dhe ndihma dhe përkrahja sociale për femrat në vështirësi, gjë e cila mungon plotësisht në Shqipëri, këtë e vura re këtë verë nga krimet e shëmtuara që ndodhën, ku viktimë ishte femra e pambrojtur, qoftë nga familja apo shoqëria dhe kam ndjerë keqardhje.

-Ju keni botuar vetëm poezi, keni menduar të lëvroni prozën?

Ka pak kohë që më ka lindur ideja e letërsisë për fëmijë. Do të më pëlqente të shkruaja libra me histori për fëmijë, një mendim dhe projekt që jam kam lënë së ardhmes. Tani për tani jo, besoj se do i qëndroj besnike poezisë.

-Franca konsiderohet si një djep i kulturës perëndimore. Sa ka ndikuar ky vend në krijimtarinë tuaj dhe cilët autorë francezë keni për zemër?

Jo vetëm Franca, por dhe largësia vetë, malli ka bërë që unë ta derdh në vargje e t’i ndaj këto me lexuesin. Kisha lexuar nga literatura franceze qysh në shkollë, por ato tingëllojnë ndryshe kur i lexon dhe i kupton dhe në gjuhën e Victor Hugo, Jean-Jacques Rousseau, Molieri, La Rochefoucauld, La Fontaine etj… Franca ka qenë dhe mbetet vendi i iluminizmit në letërsi. Autorët e mi të preferuar sigurisht në poezi, mbeten Victor Hugo, Charles Baudelaire, Gustave Flaubert, Jacques Prevert, por muza ime i lag buzët në gjuhën e nënës, tek poezia e poetëve shqiptarë, aty ku flet zemra e oshtijnë malet me poetë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevair Spahiu, Lasgush Poradeci etj.

-Një ditë pune e zakonshme?

Një ditë pune e zakonshme për mua është një ditë pa stres, dinamizëm, kreativitet, produktivitet, lodhje por në fund të ditës kënaqësi.

-Ku preferoni t’i bëni pushimet?

Ma kanë bërë disa herë këtë pyetje dhe pa hezitim gjithnjë jam përgjigjur, destinacioni im i preferuar atdheu, prindërit e mi, bregdeti jonë i mrekullueshëm.

-Veshja e preferuar?

Unë më tepër preferoj veshjen sport, ose e dekontraktuar veshje e përditshme kjo, kurse për raste të veçanta kam dëshirë të tregoj feminitetin me stil klas e finesë pa e ekzagjeruar me tualetin dhe dekoltetë.

-Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Sinqeritetin. I vlerësoj njerëzit e sinqertë ata që pranojnë gabimet e tyre, që flasin hapur dhe të shohin në sy. Kritikoj snobizmin, hipokritët, fallsitetin, demagogët, indiferentizmin.

-Keni ndonjë peng në jetë?

Do të dëshiroja që ndonjë nga poezitë e mija, të ishte tekst për ndonjë këngë në skenën e ndonjë festivali.