Zef Preçi*/ Inferioritet ndaj të huajës, mosbesim ndaj vendores apo korrupsion?

162

(Një pyetje për të cilën nuk kam përgjigje të qartë…)

Si qytetar, taksapagues dhe votues nuk mund të jem indiferent ndaj mënyrës se si janë shpenzuar dhe shpenzohen paratë publike. Kështu, shpesh dëgjoj në informimin publik lajme të tilla si “Ministria e….” bëri të ditur se konkursi ndërkombëtar për …., “U zhvillua konkursi ndërkombëtar për ….” , etj.. E fundit në këtë linjë ishte gjatë javës së shkuar për të famshmen “Lungomare” në Qytetin e Vlorës. Të qenit vend i hapur ndaj konkurrencës së lirë është diçka normale dhe e gjithë pranuar për vendet demokratike me ekonomi tregu dhe Shqipëria aspiron të jetë e tillë. Por, problemi qëndron në masën apo në shkallën në të cilën e huaja (e quajtur ndryshe “ndërkombëtare”) vihet përballë shqiptares (përndryshe “vendore”). Fokusimi te gjithçka e huaj, që në thelb do të ishte mirë ta quanim në mënyrë konvencionale si “joshqiptare” pa asnjë kuptim pexhorativ, por thjesht konvencional,  sipas meje shpreh një mentalitet të dëmshëm për dobinë shoqërore të mjeteve monetare publike që harxhohen çdo ditë në vendin tonë. Së pari, një qëndrim i tillë mendoj se shpreh inferioritetin që individë me dhe pa pushtet ushqejnë gabimisht, shpesh herë pa qëllim, ndaj gjithçkaje të huaj – joshqiptare. Ishte e justifikueshme në fillimet e tranzicionit të mbivlerësoje gjithçka vinte nga jashtë, por mbas 25 vjetësh tranzicion me arritje dhe dështime të pafund, mbajtja gjallë e një mentaliteti të tillë më shumë dëmton se ndihmon në qëllimin e mirë, edhe kur ky qellim ekziston në të vërtetë. Sepse nëse e analizojmë problemin në përmbajtjen e vet, rezulton se janë të pakët ata të huaj që jetojnë e punojnë në vazhdimësi këtu (megjithëse kostot 5-10 herë më të shtrenjta se vendasit për punë të ngjashme) – shumica e punëve bëhen nga “argatet” d.m.th nga shqiptarët kundërparte… të tyre ose ndryshe nga “partnerët lokalë”. Domethënë shumë firma të huaja, me emër ndërkombëtar, thjesht “shesin emrin”, por edhe korrin frytet e majme të punës në një vend kaq të varfër sa i yni. Së dyti, një qëndrim i tillë shpreh mosbesimin jo të vogël që individë, kësaj radhe besoj se edhe me pushtet, kanë ndaj klasës menaxheriale shqiptare, përfaqësues të së cilës shkëlqejnë në studiot e botës, punojnë në kompani të mirënjohura të botës, por pak ose aspak gjejnë hapësira me Shqipërinë tonë. Në fakt, nëse e shohim problemin në tërë dimensionin e vet, personalisht mendoj se nëse një vend, kudo qoftë në rruzullin tokësor, për 25 vjet nuk arrin të ndërtojë klasën e vet drejtuese (jo vetëm në politikë) duke përfshirë edhe atë menaxheriale, në art, në shkencë, në teknologji, etj, ka probleme serioze të ekzistencës së vet, ose po rrezikon shumë për shkak të kozmopolitizmit që ka kapluar klasën e vet drejtuese. D.m.th dikush duhet t’i vendosë gishtin kokës për pasojat që krijon një sjellje e tillë të paktën me fondet publike. Nuk po flas për borxhet që shteti merr nga institucionet financiare ndërkombëtare sepse ato rregullohen me procedurat e njohura të këtyre institucioneve, por gjithsesi përzgjedhja e kompanive që ofrojnë mallrat dhe shërbimet është përgjegjësi e plotë juridike e kushtetuese e autoriteteve shqiptare. Dikush mendon se kjo sjellje mund të ketë edhe një arsye të tretë: Përpjekjet për të favorizuar firma të caktuara vendase (p.sh sponsorë fushatash elektorale apo me lidhje të fuqishme politike) ose të huaja të lidhura me njërin apo me tjetrin drejtues të lartë publike qendror apo vendor. Duke ditur imazhin e klasës politike vendase dhe mosbesimin e gjerë publik ndaj integritetit të kësaj klase, nuk dëshiroj të spekuloj edhe unë me këtë argument. Gjithsesi, kam bindjen se, nëse klasa politike e drejtuese e vendit ka për synim zhvillimin e këtij të fundit (siç nuk lë rast pa u përbetuar) – pra mirëqenien e qytetarëve të vet, atëherë besoj se do të kishte më shumë vëmendje që paratë që burojnë nga buxheti i shtetit minimalisht të mbeteshin brenda vendit sa më shumë që të jetë e mundur. E nëse bëhet fjalë për nxitjen e hyrjes së kapitalit të huaj, gjë për të cilën jemi fort të interesuar të gjithë, bota përreth njeh përvoja mjaft të suksesshme si p.sh: Kushtëzimi me pjesëmarrjen në tender të kësaj natyre të kompanive që kanë seli të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, ose me kompani që kanë partner vendor me kushte pjesëmarrjeje të specifikuara gjithashtu, ose thjesht për përcaktimin e pjesës së fondeve që do të shpenzoheshin brenda vendit. A nuk bëri thirrje z. Obama qysh në fillimet e krizës (2009) “Buy American dhe në fakt ai e kishte fjalën për të nxitur kërkesën e brendshme për të blerë mallra të prodhuara në territorin e SHBA-ve si çelik, tekstile dhe mallra të manifakturës. E pra ai ishte dhe është në krye të vendeve që nxitin dhe promovojnë globalizmin në botën e sotme moderne. Në fakt, siç tregojnë të dhënat e sapopublikuara të vitit që sapo u mbyll për të ardhurat nga tatime-taksat dhe doganat, kriza aktuale ekonomike, më shumë se gjithçka, ka goditur pikërisht kërkesën e brendshme konsumatore. Çfarëdo shpenzimi publik brenda territorit shqiptar nuk bën gjë tjetër veçse shton stimujt për rimëkëmbjen e kësaj kërkese. Ndoshta edhe këtu një ditë, (meqë Obam-izmi është kthyer në modë) dikush fillon të mendojë si z. Obama.

*Ekspert ekonomie