Bulqizë, shembet galeria, aksidentohet rëndë minatori

549
Sigal

Ngjarja ndodhi dje në zonën 6/2 të Bulqizës. Shkak, shkelja e rregullave të sigurimit në punë

 Një minatori është aksidentuar dje në minierën e Bulqizës dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërkohë, një grup special i prokurorisë lokale, bashkë me specialistët e RISHM-it të ardhur nga Tirana, po hetojnë shkaqet e ngjarjes. Mësohet se, ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së martës në zonën 6/2 të zonës minerare të Bulqizës. Burimet zyrtare shtojnë se, i aksidentuari në galeri është 30-vjeçari Ismet Hoxha, baba i një foshnje të lindur pak dit më parë. Mësohet gjithashtu se pas aksidentit dhe ndihmës së parë në spitalin e Bulqizës, i plagosuri rëndë është dërguar me urgjencë në spitalin ushtarak të Tiranës.

AKSIDENTI

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, aksidenti i rëndë ka ndodhur në orën 12:00 të ditës së martë në thellësi të galerisë private 6-2 në zonën D të Bulqizës. Mësohet gjithashtu se, 30-vjeçari Ismet Hoxha kishte vetëm 4 ditë që kishte nisur punë në galeri. Ai kishte disa para borxh dhe kishte nisur punën si minator në firmën private me qëllim që të shlyente borxhet dhe të siguronte të ardhura për jetesën e familjes. Ditën e djeshme, që ka qenë dita e katër e punës së Hoxhës, ai ishte në frontin e nëntokës në galeri së bashku me 12 minatorë të tjerë të firmës private. “Në një moment, kur po punohej për ngarkimin e vagonit me mineral për ta nxjerrë në sipërfaqe, papritur, është shkëputur një masiv nga tavani i minierës dhe ka zënë poshtë 30-vjeçarin. Shokët kanë nxituar që ta nxirrnin nga gërmadhat e për ta dërguar në spital. Fillimisht, 30-vjeçari Hoxha është dërguar në spitalin e Bulqizës ku i është dhënë ndihma e parë. Më pas, për shkak të gjendjes  së rëndë, është nisur me helikopter në spitalin ushtarak të Tiranës”,-shtojnë burimet për “Telegraf”

HETIMET

Menjëherë, pas aksidentit, kanë filluar hetimet për zbardhjen e shkaqeve të tij. Për këtë qëllim, specialistë të Policisë Hetimore dhe prokurorë, kanë administruar provat në vendin e ngjarjes dhe kanë marr dëshmitë e disa personave. “Për të zbardhur ngjarjen janë marr dëshmitë e shokëve të të aksidentuarit që ishin në minierë, kur ndodhi ngjarja si dhe janë shoqëruar për t’u pyetur punëdhënësit. Gjithashtu, janë bllokuar dhe dokumentet e sigurisë në minierë për të verifikuar cilësinë e instruktazhit dhe zbatimin e masave të sigurisë”,- shtojnë burimet e mësipërme. Nga hetimet e para rezulton se shkak i aksidentit ka qenë shkelja e rregullave të sigurimit në punë. Minierat e Bulqizës, për shkak të kushteve të vështira të punës, mungesë së investimeve, kanë shkaktuar shumë aksidente të rënda me pasojë vdekjen.