Lame: Në vitin 2013 u legalizua ajri e mure polisteroli

    503
    Sigal

    ALUIZNI/ Abuzime me legalizimet, rastet më flagrante në prokurori. Ja kryeabuzuesit

    Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame në një konferencë për mediat me teme “Legalizimet dhe korrupsioni” bëri me dije shumë raste, ku legalizimet janë bërë në kundërshtim me ligjin. “Në sportelet tona ka rreth 1680 kërkesa në javë, kjo një shifër jashtë çdo kapaciteti dhe faji është i administratës së shkuar, që në 8 vite ka prodhuar vetëm probleme”. Sipas Lames, për t’u veçuar është viti 2013-të, ku shkeljet janë mëse flagrante. Në çdo dosje ka mbi 20 shkelje.

    “Janë dhënë leje abuzive sidomos ato të dhëna në 2013. Këtu ka shkelje pafund dhe rastet më flagrante do t’i dërgohen Prokurorisë”, vijoi Lame. Lame shtoi se, në 6 vite janë legalizuar, edhe sipërfaqe, ku nuk ka fare objekt, ka legalizime në parqe kombëtare, në zona të mbrojtura historike, në zona bregdetare, në oborre shkolle, spitali etj.. “Jemi përballë një situate të paparashikuar”, -shtoi ai. Për disa prej legalizimeve abuzive të dhëna në kryeqytet, Lame akuzoi edhe disa punonjës të Bashkisë së Tiranës si përgjegjës. Që të frenohet rrënimi i mëtejshëm, Lame u shpreh se, janë larguar nga puna krerët e ALUIZNI-t në rrethe, e punonjës të tjerë, të cilët PD do t’i rikthejë në punë, sipas tij.

    Artan Lame

     Siç jeni në dijeni, duke filluar që nga ditët e para të janarit, të 14 sportelet e Drejtorive të ALUIZNI-t që mbulojnë të gjithë territorin e Republikës, kanë filluar kryerjen e procedurave për legalizimin e objekteve. Duke filluar nga 1 shkurti, grupet e ngritura nga ana jonë kanë filluar daljen në terren për përgatitjen e dokumentacionit për legalizim drejtpërdrejt pranë qytetarëve.

    Pas diskutimit dhe miratimit në Kuvend të ndryshimeve ligjore, do të kthehet në masive shkuarja e punonjësve tanë pranë qytetarëve për kryerjen e procedurave. Por ndërkohë, nga momenti që qytetarët kanë filluar të kuptojnë se institucioni po funksionon seriozisht, ne po gjendemi përpara një situate të paparashikuar. Sportelet tona po përmbyten nga një valë e paimagjinueshme ankesash, protestash, denoncimesh për atë çka ka ndodhur në vitet e fundit tek ALUIZNI.

    Aktualisht në sportelet tona trajtohen rreth 1680 ankesa në javë, shifër kjo jashtë çdo kapaciteti trajtues. Dhe këtu faji nuk është i qytetarëve, por i administratës së shkuar, e cila në 8 vjet vetëm ka prodhuar vetëm probleme.

     Problematikat kryesore të ankuesve:

    -Pronarë trojesh që kërkojnë përjashtim nga legalizimi ose pezullim procedurash për objektet informale të ndërtuara në pronat e tyre;

    -Denoncime për legalizime objektesh që janë në prona publike, që nuk respektojnë distancën nga objekte të tjera, etj;

    -Ankesa në lidhje me posedimin e objektit informal, njoftime që janë në proces gjyqësor, etj;

    -Kërkesa/ankesa të vetëdeklaruesve për përshpejtimin e procedurave të legalizimit;

    -Kërkesa për vetëdeklarime të papërfshira në proces.

    KORRUPSIONI

    Sot e them me përgjegjësi, se një pjesë e madhe e 22.000 lejeve të legalizimit, të dhëna në këto 6 vjet, janë abuzive, korruptive, dëmprurëse për qytetarin dhe për shtetin. Veçanërisht kjo vlen për legalizimet e kryera gjatë vitit 2013.

    – Janë kryer legalizime në parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura mjedisore.

    – Janë kryer legalizime në zona arkeologjike dhe zona të mbrojtura historike të qyteteve.

    – Me sebepin e legalizimit, janë shitur sipërfaqe të mëdha trojesh në zona ku nuk kishte asnjë shans ligjor, ku të kryheshin procedura ligjore të tilla.

    – Është deformuar në themel qëllimi i ligjit të legalizimeve, duke iu shitur parcela toke shumë të mëdha personave të veçantë.

    – Është deformuar në themel qëllimi i ligjit të legalizimeve, duke lënë të presin për vite me radhë qindra mijtë e hallexhinjve, duke u marrë me legalizime objektesh luksi, klube e restorante.

    – Është deformuar në themel qëllimi i ligjit të legalizimeve, pasi në vend që të ulej numri i konflikteve me ish-pronarët, në fakt ne po përmbytemi nga ankesa pronarësh të rinj e të vjetër, të cilët kërkojnë pezullimin apo anulimin e lejeve të legalizimit.

    – Janë bërë legalizime objektesh e shtesash nëpër oborre shkollash e kopshtesh, spitalesh e qendrash shëndetësore, stadiumesh e zonash sportive, nëpër ndërtesa bashkish e deri edhe nëpër mure bashkish.

    – Janë bërë legalizime nëpër zona bregdetare, në zall të detit, në breg të detit, në breg të përrenjve, e deri edhe sipër përrenjve.

    Dhe natyrisht një administratë që e kalonte ditën duke bërë legalizime të tilla, nuk kishte kohë të merrej me legalizimet në zonat e mirëfillta informale Bathore, apo në Paskuqan, në Kënetë apo në Bradashesh, në rrethinat e Shkodrës apo të Vlorës, ku mijëra dosje presin ende të paprekura për trajtim që prej 8 vjetësh. I rikujtojmë çdo qytetari se fatura e korrupsionit, që rëndonte mbi secilin prej hallexhinjve që kishin punë me ALUIZNI-n, është hequr njëherë e përgjithmonë nga shpina e tyre.

    Vjet në tetor, Këshilli i Ministrave vendosi VKM 931 dt.09.10.2013 “Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e  territorit”. Në këtë kuadër edhe ne ndërmorëm masat tona.

     Kush e ka bërë korrupsionin

     Janë përfshirë në këto shkelje përveç punonjësve të ALUIZNI-t, edhe punonjës bashkish e komunash, konstruktorë që jepnin deklarata të rreme dhe noterë që vulosnin deklarata fallco, janë përfshirë punonjës të hipotekave dhe të Institutit të Monumenteve dhe të lloj-lloj institucioneve të tjera që, në vend të mbronin interesat e shtetit dhe të qytetarëve, i kanë nxjerrë në treg këto interesa. Në këto kushte, është shumë e thjeshtë të thuhet “t’i kalojnë Prokurorisë”, por këtu nuk bëhet fjalë për disa dhjetëra raste, por më mijëra raste korruptive, të cilat i ka prodhuar një Agjenci e tërë për 6 vjet rresht.

    Në kushte normale, do t’i kisha propozuar Kryeministrit ngritjen e një agjencie paralele, me emër “Agjencia e zhbërjes së dëmeve të sjella nga ALUIZNI”, por meqenëse nuk jemi në situatë normale, do të përpiqemi që rastet më flagrante, më të dukshme dhe më dëmprurëse t’ia kalojmë Prokurorisë, ndërsa ne të shikojmë përpara për plotësimin e misionit tonë. Njëkohësisht, dyert e ALUIZNI-t do të mbeten të hapura për çdo Institucion kontrlli.

    LARGIMET NGA PUNA

     I gjithë ky dëm i madh ka emra e mbiemra të përveçëm, të cilët u larguan nga puna, pikërisht për zullumet që kishin bërë, zullume të cilat duke u zbuluar të reja dita ditës na bindin për drejtësinë e veprimeve që kemi bërë. Tani na kërkojnë që, pikërisht këtë kategori zyrtarësh të abuzues dhe të korruptuar, ta rikthejmë në punë, se qenkan hequr me pa të drejtë. Le të më thonë se cilin prej tyre duan të kthejnë në punë, me emër e mbiemër, por nga ana tjetër të kenë parasysh se janë me mijëra qytetarët që iu dridhen mishtë, kur kujtojnë se ç’kanë hequr për vite me radhë, nga njerëz si këta. Kjo është lista e drejtorëve dhe shefave kryesorë të larguar nga puna nga ALUIZNI, të cilët tani PD-ja po kërkon që të rikthehen në punë:

    ADRIATIK MINO

    ALBERT KAÇULI

    ARBEN MUJA

    ARTUR SKELA

    BESNIK KASTRATI (SH)

    BRISIDA BILALI

    ENGJELL MURRIZI

    ERJON JAKOVA (DR)

    FLORIAN HAJDINAJ

    GAZMEND DOMI

    IBRAHIM KASHARI

    ILIR DERVISHI (KR)

    KRESHNIK BOZHO

    LORENC HASTOPALLI (EL)

    MUSA XHUVELI

    PASHK NDOCI (LE)

    RAJMOND DERVISHI

    REZART ALIAJ (VL)

    SADRI NOKA

    SALI HIRAJ

    SAMI SELFO (VL)

    VESEL KOÇIA (SR)

    Abuzimet më ekstreme

     Mjafton t’i hedhim një sy hartës së objekteve të legalizuara në hartën e Tiranës, për të kuptuar se me çfarë është marrë ALUIZNI gjithë këto vite. Vetëm në hapësirat e Parkut të Liqenit, janë kryer legalizime baresh e restorantesh, të cilat komprometojnë rëndë hapësirat e gjelbra të tij.

    Vetëm në hapësirën e Parkut midis Korpusit të Universitetit dhe Gardës së Republikës, janë kryer 8 legalizime objektesh, shumica e të cilave në periudhën maj-shtator 2013.

    Nga shqyrtimi i këtyre 8 dosjeve, rezultojnë 164 shkelje ligjore, administrative, teknike, proceduriale.

    Ka në këto 8 legalizime:

    -legalizim objekti i cili nuk ekziston fare, pra legalizim ajri.

    -në një rast tjetër, një barangë fruta-zarzavate e privatizuar në vitin 1992, legalizohet në vitin 2013 si objekt 2 kate.

    -në një rast tjetër, legalizohet një shtesë kati e bërë shpejt e shpejt, me një strukturë prej bukë peshku dhe e lyer me bojë gri që të dukej si prej betoni.

    -në një rast tjetër, legalizohet një bar 56 m2 dhe i shiten 820 m2 park.

    Megjithëse, ky nuk është rasti ekstrem. Sapo na vjen nga Shkodra një rast që është kampion, ku për legalizim shtesë 36 m2 i jepen 950 m2 truall.

    -në një rast tjetër është bërë legalizimi dhe më pas është zhdukur fare dosja, e cila sot nuk ekziston.

    Dy herë zyrtarisht Universiteti i Tiranës i ka kërkuar ALUIZNI-t që të mos kryejë legalizime në këtë zonë, por ka folur në vesh të shurdhër. Të tilla janë legalizimet kudo që prekim dhe vëmë dorën nëpër Tiranë e nëpër qytete. Në zonën e Bllokut, në zonën e Parkut të Dajtit, në zonën e mbrojtur Arkeologjike të Durrësit (A, B, C) në Vlorë, në Shkodër, në Lezhë, e ku t’ju them tjetër.

    Gjermeni: Do të mbajmë premtimin për legalizime falas!

    Në fjalën e mbajtur, në një takim me drejtorët rajonalë të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI),  znj. Gjermeni rikonfirmoi premtimin e qeverisë për realizimin e procesit të legalizimeve falas. “Që në momentin që kam marrë emërimin si Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, një nga sfidat me të cilat do të përballemi si qeveri dhe si ministri është përmbushja e premtimit për legalizimet falas. Një premtim, të cilin kemi kurajon dhe shprehim angazhim maksimal se do ta realizojmë,” u shpreh znj. Gjermeni. Ministrja Gjermeni theksoi se, një nga sfidat më të mëdha për Ministrinë dhe institucionet e varësisë është krijimi i një modeli të ri pune me qytetarin, për qytetarin. “Ne duam që qytetarët të mos vijnë në institucionet tona për të trokitur për hallet dhe problemet që kanë, por të shkojmë ne tek ata, përmes një përqasje proaktive. Ky është një nga angazhimet më të mëdha që kemi, pasi modeli i punës që duam të kultivojmë është ai me në qendër qytetarin dhe ne të ofrojmë shërbime në favor të tij”. Znj. Gjermeni theksoi se, përgjegjësia e Qeverisë, e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe e ALUIZNI-t është rikthimi i besimit të qytetarëve te institucionet dhe te vetë procesi i legalizimeve. “Praktika e deritanishme e dështuar e legalizimeve ka thyer besimin te qytetarët që mund të legalizojnë pronat apo pasuritë e tyre. Mendoj se, kemi një përgjegjësi shumë të madhe, që pas 23 viteve, kësaj gjëje t’i jepet fund dhe procesi i legalizimeve të jetë një proces jo kaq burokratik dhe i stërzgjatur, por një proces institucional, i mirëkordinuar dhe që secili qytetar të marrë atë të drejtë që i takon,” u shpreh ministrja Gjermeni.