Rruga e Kombit nga sot me pagesë, skema që po zbatohet për automjetet

678
Sigal

Ka nisur sot zbatimi i tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit ashtu sikurse ishte paralajmëruar më herët nga kompania koncesionare dhe qeveria. Të gjithë ata që kalojnë në këtë rrugë do paguajnë një tarifë të paracaktuar më herët,e cila do të variojë nga lloji i mjetit që disponojnë. Kështu për automjetet 4+1 tarifa e kalimit është 5 euro apo 660 lekë. Biçikletat dhe automjetet me 3 rrota do të paguajnë 330 lekë kurse automjetet komercialë me dy akse dhe 6 rrota (furgonë) 1490 lekë. Kamionët e mesëm dhe autobusët e rëndë përfshirë mjetet me lartësi 2.7 metra do të paguajnë 2140 lekë dhe kategoria e fundit kamionët e rëndë me katër akse apo më shumë do të paguajnë 2970 lekë. Pavarësisht çmimeve standarde kompania koncesionare dhe qeveria negociuan edhe një grup të rri tarifash për ata që u quajtën përdorues të shpeshtë të rrugës. Kjo u pa e nevojshme në kushtet kur banorët e Kukësit e kundërshtuan masivisht tarifën në Milot-Morinë, diçka që u përshkallëzua deri në djegien e stacionit të pagesës. Në 4 shtator të këtij viti qeveria miratoi vendimin që sanksiononte,se cilët do të quhen përdorues të shpeshtë dhe lehtësia që do të përfitojnë ata në këtë tarifën.

Tarifat për përdoruesit e shpeshtë të rrugës

Tre janë kategoritë që cilësohen si përdorues të shpeshtë të rrugës ku,

së pari automjetet e banorëve të qarkut Kukës,

së dyti autobusët nga dhe për në qarkun e Kukësi dhe

së treti automjetet e përdoruesve të shpeshtë.

Në kategorinë e parë të automjeteve të banorëve të qarkut Kukës përfshihen klasat A e B të automjeteve për përdorim personal të regjistruara në qarkun Kukës. Këto automjete do të pajisen me OBU-në (On Board Unit) e sistemit Digital Pass dhe në OBU nuk do të regjistrohen më shumë se dy automjete për familje. Tarifa e rrugës për 1 (një) kalim për të gjitha automjetet e regjistruara në qarkun Kukës për klasën A (motocikletë) do të jetë 50 (pesëdhjetë) lekë me TVSH dhe për automjetet e klasës B (automjet 4+1)do të jetë 100 (njëqind) lekë me TVSH. Kjo tarifë do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 (dyzet e katër) kalime në muaj dhe e vlefshme për t’u përdorur brenda periudhës 1-mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime. Nëse tejkalohet numri tarifimi pas kalimit të 44 nis me tarifën normale 5 euro. Në kategorinë e dytë ku përfshihen autobusët nga dhe për në qarkun e Kukësit. Tarifa e rrugës për këta autobusë do të jetë 100 (njëqind) lekë me TVSH për 1 (një) kalim. Në kategorinë e tretë përfshihen përdoruesit e shpeshtë të autostradës Milot–Morinë, automjetet e të cilëve do të pajisen me OBU-në (kostoja e OBU-së do të përballohet nga këta përdorues të shpeshtë të autostradës) dhe nuk do të regjistrohen më shumë se dy automjete. Lidhur me kategorinë “Përdorues të shpeshtë”, pa dallim mjeti, ulja e tarifës do të bëhet për numër kalimesh, pasi sistemi do të funksionojë në mënyrë të tillë që do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo mjet, si më poshtë vijon:

  1. Nga 20 (njëzet) deri në 30 (tridhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10 (dhjetë) %;
  2. Mbi 30 (tridhjetë) deri në 50 (pesëdhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20 (njëzet) %;
  • Mbi 50 (pesëdhjetë) deri në 60 (gjashtëdhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30 (tridhjetë) %;
  1. Mbi 60 (gjashtëdhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40 (dyzet) %.