Rritet akciza e gazit, Bode: “Do bëhet evazion, pasi rrjeti i shpërndarjes është i njëjtë”

747
Sigal

Paketa fiskale për 2017-ën kaloi me votat e mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë, ndërsa opozita ishte kundër, me argumentin se ndërhyrjet kanë karakter klientelist dhe nuk mbështesin ekonominë. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode tha se vendosja e akcizës mbi gazin e lëngshëm për automjetet do të nxisë evazionin.

“Do bëhet evazion, pasi rrjeti i shpërndarjes është i njëjtë. Nuk është koha e rritjes së gazit, pasi është alternativë e energjisë elektrike”, – tha Bode. “Pikat e mbushjes së gazit për gatim dhe për ngrohje për qytetarët do të jenë pika specifike dhe jo kudo. Nuk kemi vendosur akcizë për gazin për gatim apo për ngrohje”, – tha Ahmetaj.

Përveç vendosjes së një akcize prej 13 lekësh për litër për gazin e lëngshëm për automjetet, paketa fiskale parashikon heqjen e taksës doganore për lëndën e parë për fasonët dhe qymyrgurin koks. Gjithashtu uljen e vlerës nga 7 në 5 milionë lekë për kategorizimin e makinave të luksit.

Për mineralet metalore që përpunohen në vend, renta përgjysmohet nga 6 për qind që është aktualisht në 3 për qind. Taksa tjetër që ulet është akciza për duhanin e përpunuar, që kultivohet në Shqipëri, nga 4.400 lekë për kilogram, në 2.500 lekë për kilogram. Po ashtu do të ndryshojë skema e trajtimit të akcizës së karburantit për anijet e peshkimit, e cila, nga përjashtimi kalon në rimbursim.

Paketa fiskale
Paketa e re fiskale e qeverisë parashikon, duke filluar nga viti tjetër, vendosjen e një akcize për gazin e lëngshëm për automjetet në vlerën 13 lekë për litër. Qeveria miratoi paketën e re fiskale, ku përcakton aplikimin e akcizës për gazin e lëngshëm që përdorin makinat në masën 13 lekë për litër.

Bëhet fjalë për gazin e lëngshëm që shitet në pikat e karburantit dhe jo për gazin e lëngshëm për konsum familjar. Në relacionin e paketës fiskale, qeveria argumenton se aplikimi i akcizës për gazin e lëngshëm për automjete në nivelin 13 lekë/litër bëhet me qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt.

Deri më sot, gazi i lëngshëm për automjetet është përjashtuar nga akciza, por në të gjitha vendet e Europës ai taksohet si produkt energjetik, pra si nafta dhe benzina. Sipas të dhënave që jepen në paketën fiskale, llogaritet që importi vjetor i këtij produkti të jetë 25 mijë tonë në vit.

Ndikimi në çmim
Ndryshimi i akcizës, duke përfshirë edhe TVSH-në, pritet të ndikojë në rritjen e çmimit të gazit në 15 lekë për litër. Aktualisht, çmimi i shitjes së gazit për automjetet është 45 lekë deri në 50 lekë për litër. Aplikimi i akcizës do të sjellë shtrenjtim të çmimit, i cili pritet të variojë nga 60 lekë deri në 65 lekë për litër. Duke qenë se importi vjetor i gazit të lëngshëm për përdorim nga makinat është rreth 25 mijë tonë në vit, qeveria llogarit se efekti në të ardhurat buxhetore pritet të jetë 0.5 miliard lekë nga akciza dhe 0.1 miliard lekë nga TVSH-ja. Efekti total në të ardhura vlerësohet plus 0.6 miliard lekë.