“Lista e zezë” e tatimeve: 26 mijë biznese nën sekuestro në 2019-n

165

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve, vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti, u rrit me 30% numri i bizneseve ndaj të cilëve u mor masa e bllokimit të pasurive dhe nisja e mbledhjes me forcë të detyrimeve të prapambetura, ndërkohë që biznesi i vogël jep alarmin për rrezikun e falimentimit nga aksioni anti-informalitet

Qershori i këtij viti ka shënuar një shifër rekord të bizneseve të cilëve u është vendosur masa e barrës siguruese apo hipotekare nga ana e administratës tatimore. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në qershor rezultojnë mbi 26 mijë biznese nën regjimin e bllokimit të pasurive të luajtshme e të papajtueshme. Shifra rezulton me rritje rreth 30% krahasuar me verën e shkuar, kur numri i barrëve tatimore ishte rreth 20 mijë. Drejtoria ka bërë publike listën e 23 mijë tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre. Në qershor të vitit të shkuar, numri i barërave hipotekore apo siguruese ndaj bizneseve debitore ishte diçka me shumë se 20 mijë, për të shënuar një rritje me afro 30% këtë verë. Vendosja e barrës siguruese apo hipotekore është një prej formave të mbledhjes me forcë të borxhit nga ana e administratës tatimore. Bizneset e publikuar në listën e Tatimeve nuk mund të kryejë asnjë transaksion më pasuritë e tyre deri në shlyerjen e detyrimit tatimor. Vetë Administrata Tatimore sqaron se publikimi i listës bëhet në mënyrë që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.