Goditja e Euros do thotë goditje e Ekonomisë shqiptare

1358
Prof. Alqi NAQELLARI
Së fundi janë bërë shumë shkrime, nga autorë të ndryshëm mbi pasojat e de-euroizimit në ekonomi, si përgjigje të masave të marra nga BQ-ja mbi orientimin e kufizimit të saj në një sërë transaksionesh dhe në normën e rezervës së detyrueshme. Në këtë shkrim do të japim mendimet tona se cilët janë faktorët që ndikojnë në kurset e euros dhe si duhet trajtuar ajo në mënyrë që të bëhet një faktor nxitës në rritjen e ekonomisë shqiptare. Në këtë analizë të de-euroizimit do të shikojmë tendencat e kurseve të këmbimit në funksion të faktorëve që i përcaktojnë ato. Cilët janë faktorët që përcaktojnë kurset e këmbimit në Shqipëri? Kemi faktorë nga ana e Kërkesës për Valutë dhe Faktorë nga ana e Ofertës. 
Nga ana e kërkesës kemi:
-Të gjitha firmat e huaja që operojnë në Shqipëri fitimet e tyre i nxjerrin jashtë jo në lekë por në valutë. Keni parasysh që në Shqipëri të gjitha kompanitë e telefonisë mobile janë të huaja, Vodafon, AMC, Eagle, Plus etj.. Këto nxjerrin me qindra milionë euro jashtë Shqipërisë në formë të fitimeve. -Kompanitë e huaja në sferën e prodhimit dhe të shërbimit, në fushën e prodhimit dhe të eksportimit të materialeve të gatshme dhe të përpunuara. Kompani të tilla të huaja janë me qindra ku dominojnë kompanitë greke, italiane, turke, gjermane etj..
-Kërkesat e Kompanive të Huaja që fitojnë tenderë në ndërtimin e veprave strategjike brenda territorit të Shqipërisë. Në këtë grup përfshijmë kompanitë turke, greke, maqedonase, etj që kanë marrë përsipër kryerjen e punimeve në akset rrugore, kompanitë e huaja që kanë marrë përsipër ndërtimin e Hidrocentraleve apo TAP. Në mënyrë të vazhdueshme këto kompani bëjnë presion negativ mbi kursin e këmbimit të lekut shqiptar. 
-Kërkesat për të shitur tokën ose kapitale të tjera në valutë.
-Pagesa e një pjese të personelit të kompanive të huaja që veprojnë në Shqipëri në valutë.
-Kërkesa e Kompanive të huaja që marrin me koncesion shërbime e punime të ndryshme.
-Qytetarët shqiptarë që kalojnë pushimet jashtë Shqipërisë.
-Qytetarët shqiptarë që kanë investuar valutën e tyre në bankat jashtë territorit të Shqipërisë.
-Qytetarët shqiptarë që kanë investuar apo investojnë kapitale në vendet e tjera.
-Të gjitha shërbimet e qeveritarëve dhe të biznesit jashtë territorit të Shqipërisë.
-Qytetarët që kërkojnë të blejnë të mira që tregtohen në valutë.
– Bankat e huaja që veprojnë në Shqipëri nxjerrin jo vetëm fitimet e tyre, por edhe investojnë në produkte të ndryshme bankare apo direkt në biznese të huaja jashtë territorit të Shqipërisë.
– Kompanitë e importeve, etj, etj.
Nga ana e Ofertës kemi:
-Valuta që vjen nëpërmjet eksportit të të mirave dhe shërbimeve.
-Valuta që vjen në formën e remitancave prej emigrantëve dhe refugjatëve shqiptare që punojnë jashtë vendit.
-Valuta që vjen nëpërmjet investimeve të huaja në Shqipëri.
-Valuta që vjen prej turistëve dhe burimeve të tjera ligjore.
Të gjitha këto zëra janë të pasqyruara në forma të ndryshme në Bilancin e Pagesave. Nëse krahasojmë të dhënat e Raporteve Statistikore të BQ-së të hyrjeve dhe daljeve të valutës nga Shqipëria konstatohet lehtë se daljet janë më të larta sesa hyrjet, në një kohë që BQ-ja ka rritur rezervat e saj valutore. Bilanci Tregtar është rritur në 2017 pavarësisht nga rritja e eksporteve, po kështu edhe Bilanci i Llogarisë Kornete.
Disa pasoja negative të lejimit të qarkullimit lirshëm të valutës:
Së pari, duke futur valutën në qarkullim, me të drejtën e mjetit të pagesës pa kufizim, me kurs këmbimi fleksibël, rritet në mënyrë artificiale kërkesa për valutë. Çmimi i apartamenteve në Shqipëri reklamohet në euro dhe asnjëherë në lekë. Kështu qytetarët janë të detyruar ti drejtohen tregut të valutës për të bërë këmbimet përkatëse. Duke pasur parasysh që në një vit shiten me mijëra apartamente sasia e kërkuar e valutës rritet në mënyrë të dukshme duke ndikuar në zhvlerësimin e monedhës vendase. Krahas këtij produkti, kemi një sërë produktesh të tjera që tregtohen në valutë si, toka, automjetet, tarifat e pagesës së studentëve në universitetet private, pagat e një sërë punonjësve të ndërmarrjeve të huaja që operojnë në Shqipëri, etj.. Së dyti, duke futur valutën në qarkullim fragmentarizohet tregu monetar, ku një pjesë e zë leku, një pjesë e zë euro dhe pjesën tjetër e zë dollari. Ku shikohet ky fragmentarizim? Ky fragmentarizim shikohet në strukturën e depozitave dhe atë të kredive. Nëse do t’i referohemi të dhënave të Bankës Qendrore kemi këtë pamje: Depozitat në valutë në raport me ato në lekë janë 50% me 50%(2017). Kreditë në valutë janë mbi 50% të kredive gjithsej. Së treti, Banka e Shqipërisë në këto kushte nuk mund ta kontrollojë dot tregun monetar. Duke mos kontrolluar dot tregun monetar ajo nuk arrin të kontrollojë dot as normën e inflacionit i cili është edhe objektivi i saj kryesor i tanishëm dhe i perspektivës. Pse nuk e realizon dot këtë objektiv? Arsyeja është se ajo aplikon instrumente monetarë indirekt që kanë të bëjnë me lekun dhe jo me valutën. Norma e interesit të Euros përcaktohet nga BQE ndërsa e Dollarit nga Fed-i. Këto i mbajnë normat shumë më të ulëta se NBI-ja e lekut. 
Kush fiton dhe kush humbet nga zhvlerësimi i monedhës vendase?
-Humbet biznesi, sepse stimulohen importet;
-Humbasin ata që marrin pagën në euro; 
-Fitojnë importuesit, sepse zhvlerësohet euro, me pak lekë blejnë më shumë euro;
-Fitojnë personat që kanë marrë kredi në banka;
-Fitojnë ata që blejnë pasuri të paluajtshme si apartamente, tokë etj;
-Përfitojnë ata persona që bëjnë pagesat në euro;
-Përfiton qeveria në shlyerjen e detyrimeve që ka për borxhet sepse ulet kostoja e lekut etj Këto janë disa konsiderata në funksion të analizës së kurseve të këmbimit të euros.
Në këtë material kemi paraqitur të dhëna për kurset e këmbimit për katër vite dhe shoqërimin me grafikun përkatës.
Kursi këmbimit sipas muajve: lekë për 1 euro.
Kursi këmbimit sipas muajve: lekë për 1 euro.
Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nëntor Dhjetor
Viti 2014 140.44 140.14 140.27 140.08 139.86 139.52 139.02 139.44 139.89 139.27 140.1 140.14
Viti 2015 139.72 140.36 140.34 140.53 140.98 140.29 139.59 139.73 139.39 139.18 138.15 137.28
Viti 2016 138.68 138.24 138.77 138.29 138.29 137.33 136.18 137.52 137.33 136.54 135.86 135.23
Viti 2017 136.39 135.08 136.13 135.03 134.19 132.59 133.5 133.7 133.42 133.64 132.95 133.44

Dinamika e kursit të këmbimit të lekut për vitet 2014-2017
Nga të dhënat e tabelës dhe të grafikëve përkatës shikojmë tendencat e kurseve të këmbimit të euros sipas muajve. Çfarë tendencash vërejmë? Në vitin 2015 ka një luhatje të vogël në kursin e këmbimit sipas muajve, vetëm me 1.42 pikë (140.44-139.02), janari me dhjetorin luajnë vetëm me 0.30 pikë. Nga muaji maj deri në nëntor ka rënie dhe në fund të viti rritet. Në vitin 2015 deri në muajin maj ka rritje të kursit në 140.98 ndërsa në vijim vjen në rënie me 137.28 në dhjetor (diferenca 3.7 pikë).Në vitin 2016 në muajin korrik ka ardhur me tendencë rënëse 136.18, pas muajit korrik është rritur në muajin gusht me 137.52 dhe më tej ka ardhur në rënie (diferenca midis muajit mars 138.77 dhe muajit korrik është është 2.59 pikë. Në vitin 2017 kursi këmbimit ka ardhur në rënie deri në muajin qershor me 132.59, është rritur në muajin korrik dhe thuajse ka mbetur i tillë deri në muajin tetor, ka rënë në nëntor dhe ka ardhur prapë në kuotën e mëparshme. Diferenca midis ekstremeve janar 136.39 dhe 132.59 në qershor është 3.8 pikë. Cilat janë karakteristikat e përbashkëta dhe tendencat e tyre?E para, kursi këmbimit në vite ka ardhur në rënie, kjo do thotë se euro është zhvlerësuar në mënyrë të vazhdueshme, për të katër vitet në dhjetor ka qenë 2014-140.14, 2015-137.28, 2016-135.23 dhe 2017-133.44 pikë. 
E dyta, në muajin janar janë në kuota të larta, që do thotë se euro është e vlerësuar maksimalisht. E treta, viti 2014 me vitin 2017 kanë kurba me tendenca të njëjta, me ndryshim në kurs. Deri në qershor kanë ardhur në rënie dhe në muajt e tjerë kanë pasur thuajse stabilitet me tendenca rritëse. E katërta, kurbat e vitit 2015 dhe kurbat e viti 2016 janë thuajse me tendenca të njëjta, kanë rënie deri në muajin korrik, rritje të dukshme në gusht dhe përsëri rënie deri në fund të vitit. Nëse iu referohemi këtyre tendencave dhe dy elementëve që ndikojnë në shtimin e valutës në Shqipëri, Turizmit dhe Emigrantëve mund të nxjerrim këto konkluzione: E para, rënia e përgjithshme e kursit të këmbimit nuk është e lidhur as me emigrantët dhe as me turistët, sepse ndryshimi në tre vitet e fundit është i madh dhe nuk mund të ndikojnë vetëm këto element. E dyta, dinamika e kursit pasqyron flukset e hyrjes së turistëve dhe të emigrantëve. Në muajt e verës, qershor dhe korrik kemi zhvlerësim të lekut dhe mbivlerësim të valutës. Këtu shikohet fluksi i turistëve dhe emigrantëve. Fluksi i emigrantëve shihet edhe në fund të vitit. Nëse kjo është e vërtetë për vitin 2015-2016 nuk është e vërtetë për vitin 2014 dhe 2017 sepse në dhjetor kemi rritje të kursit. E treta, madhësia e ndryshimit të kurseve nuk pasqyron flukset e hyrjes së turistëve dhe emigrantëve. Këto tendenca dhe analiza e faktorëve që ndikojnë në Kërkesë dhe Ofertë për valutë tregojnë se krahas tyre ka edhe faktorë të tjerë ku faktori kryesor janë paratë e pista që shumë kush nuk dëshiron ti paraqes si faktor ndikues. Në fakt qenia e parave të pista në qarkullim është pohuar me qindra herë nga të huajt por pak nga autoritetet e BQ-së si faktor ndikues. Më së shumti këta të fundit e shpjegojnë ndryshimin e kursit të këmbimit, qëndrueshmërinë e zhvlerësimit të euros për 3.5 vite me radhë, me hyrjen e turistëve dhe emigrantëve. Të dhënat tregojnë se këta janë faktorë por është edhe paraja e pistë ajo që ka ndikuar në zhvlerësimin drastik të euros. Është kjo arsye që BQ-ja duhet të marrë masa që për llogari të kursit të rritë dukshëm depozitat e saj në valutë. Lufta ndaj fenomeneve të tilla si droga, prostitucioni etj do bëjë që euro të kufizohet ndjeshëm në qarkullim dhe kjo do ta kthejë atë në faktor destabilizues të ekonomisë shqiptare. BQ-ja ka shansin për ti dalë përball këtij fenomeni. Menjëherë duhet të frenojë daljen e euros nga Shqipëria me çfarëdo lloj forme, përcaktimin e kursit të këmbimit me kufij ashtu siç ka vepruar me inflacionin. Të shikojë mundësinë e krijimit të një banke tregtare me kapital shtetëror, sepse bankat e huaja janë të prirura të ushtrojnë aktivitetin e tyre për llogari dhe interes të bankave mëma dhe të euros dhe jo në favor të lekut shqiptar. Ato kanë ardhur të fitojnë dhe jot ë humbasin në Shqipëri. Gjendja e tyre financiare, shkalla e kredive të këqija dhe perspektiva e kredive duhet te vendosin në alarm këtë bankë. De-euroizimi është një masë shumë e vonuar dhe e pa nevojshme për ti bërë kaq reklamë, reklama e bërë është në dëm të ekonomisë sonë. Banka Qendrore duhet të punojë në drejtim të kanalizimit të euro në ato drejtime që ti shërbejë ekonomisë shqiptare dhe jo të bëhet pengesë në rritjen e saj. Euroizimi i ekonomisë shqiptare ka dhjetëra vite që është realizuar dhe do thuajse po aq vite që të ndryshojë, por në kohën që ai do ndryshojë Shqipëria do bëhet gati për të Hyrë pikërisht në zonën e saj. Atëherë si duhet vepruar? Të largohet apo jo euro, të kufizohet apo jo euro? Për gjykimin tim ajo duhet të shihet si partner i besueshëm dhe i fuqishëm i qarkullimit monetar ndaj së cilës nuk duhet shpallur asnjë luftë, përkundrazi ajo duhet të drejtohet në kanalet e duhura për tu kthyer në nxitës të ekonomisë.
Sigal