Prof.Dr.Sokol Mati/ Minierat e oligarkëve dhe taksa e Rentës Minerare

1110
Sigal

Mineralet janë dhuratë e natyrës si rrjedhin prej shfrytëzimit të tyre fitimet duhet të ndahen ndërmjet të gjithëve

Efektet në biznesin minerar të taksës së Rentës Minerare

Evropa është pothuaj 100 % deficitare për metalet, por përsëri i ka të larta përqindjet e rentës

– Këto vende e shohin më shumë industrinë minerare me prioritet si promotor të zhvillimit të tyre ekonomik,

Prof.Dr. Sokol MATI

Legjislacioni fiskal minerar është një instrument i rëndësishëm në aspektin financiar për ndarjen e të ardhurave midis shtetit dhe subjekteve minerare dhe atë zhvillimor pasi ai shërben si një mjet në duart e shtetit për të orientuar, promovuar, nxitur dhe mbështetur veprimtarinë e kompanive minerare në përputhje me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm minerar dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Shpenzimi për taksat si pjesë e kostos në analizën ekonomiko-financiare të investimeve minerare është një faktor kritik për suksesin apo dështimin e një veprimtarie minerare, aq me tepër rritet ndikimi nëse ndodh ndryshimi i tyre përgjatë jetëgjatësisë së aktivitetit. Sipas vendeve apo rajoneve ekzistojnë sisteme taksimi të ndryshëm për sektorin minerar dhe do të ishte e vështirë të behej një përshkrim i hollësishëm i tyre, por në përgjithësi në shumicën e vendeve me industri minerare aplikohet taksa e rentës minerare si një taksë specifike vetëm për industrinë nxjerrëse.

Teoritë me të rëndësishme ku historikisht është bazuar fiskaliteti minerar marrin në konsideratë konceptin, që mineralet janë dhuratë e natyrës në përfitim të të gjithëve pra fitimet, që rrjedhin prej shfrytëzimit të tyre duhet të ndahen ndërmjet të gjithëve. Për me tepër, meqë depozitat minerare janë të shterueshme e të papërsëritshme, vendi duhet të mbledhë kompensimin për shfrytëzimin e mineraleve, (mbi këtë teori bazohet vendosja e taksave specifike për industrinë nxjerrëse si: Renta minerare-Royalty dhe e drejta e uljes së vlerës së aseteve – Depletion tax, që pak aplikohet nga subjektet tona minerare kryesisht ato që kanë filluar të aplikojnë IFRS, në bilancet e tyre).

Renta minerare (ROYALTY) aplikohet si taksë e veçantë e sektorit të industrisë nxjerrëse pasi nënkupton si koncept taksën për shfrytëzimin e pasurive natyrore, apo të përdorimit nga një subjekt i caktuar privat ose shtetëror të disa të mirave materiale të vendit, të përcaktuara nga pronësia e tokës dhe vetë rezervës minerale, që mund të jetë e mbretit, (me pare vetëm pronë e mbretit ndaj dhe është emërtuar ROYALTY), shtetit, ose personave privat. Në legjislacionin minerar shqiptar burimet minerale përcaktohen si pronë e shtetit shqiptar: “Mineralet në trajtë natyrore, që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në sipërfaqen nënujore, shtratit dhe nënshtratit të hapësirës detare shqiptare, përtej detit territorial, të përcaktuar sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, i përkasin shtetit dhe janë prona publike”.

Fakti, që taksa e rentës minerare është vetëm për sektorin e industrive nxjerrëse bën, që si taksë e veçantë të ketë historinë dhe sistemin e vet juridik, grupet e interesit, që e përcaktojnë nga nivelet e zhvillimit ekonomik, nevojat për të ardhura e zhvillim, institucionet, që e aplikojnë dhe e vjelin, si dhe domosdoshmërisht është e varur nga rezervat dhe prodhimi i mineraleve për interesin publik.

Renta minerare (e varur nga modeli, baza e vlerësimit, mënyrës si përllogaritet, përqindjet, që aplikohen) përcaktohet si balance midis nevojës për përfitim financiar  të menjëhershëm  apo afatgjatë, dhe kërkesës apo vizionit të zhvillimit të biznesit (të përcaktuar nëpërmjet indikatorëve ekonomike), ndaj është e përcaktuar në mënyra të ndryshme në botë.

Format e aplikimit dhe përllogaritjes së kësaj takse (baza e tatueshme, përllogaritja) në vende të ndryshme (tabela 1), janë të bazuara:

Në përqindje të përfitimit ekonomik nga veprimtaria minerare (kjo me përqindje të ndryshme në shtete të ndryshme, në varësi të investimit, prodhimit, të ardhurave), procedure e cila ka si avantazhe, pasi përcaktohet mbi vlerën reale të përfitimeve të sektorit, dhe dis-avantazhe   pasi kërkon një nivel të lartë të informatizimit të sistemit të taksave, nivel të lartë profesionalizmi të administratës, korrupsion në nivele të ulta dhe transparence të procesit të vjeljes dhe shpërndarjes apo përdorimit të taksës.

Në përqindje të vlerës së tregut të mineraleve të shitura (kjo me mënyra përllogaritje të ndryshme në shtete të ndryshme, në Shqipëri vlera e tregut monitorohet dhe përcaktohet nga institucionet doganore dhe Komision AD-HOC për vlerësimin e rentës minerare), procedure e cila ka si avantazhe, pasi përcaktohet mbi vlerën reale të tregut të mineralit në momentin e nxjerrjes së tij; behet marrja e vlerës së taksës sipas çmimit real në kohe të shfrytëzimit të mineralit; pëlqehet nga biznesi sepse paguhet në momentin e shitjes, duke mos renduar kostot gjatë operimit, dhe dis-avantazhe   pasi krijon konfuzion gjatë përllogaritjes nga organet tatimore ose doganore; jep mundësi kompanive të punojnë për optimizmin e bazës së taksimit, duke krijuar fenomenin e transferimit të çmimit (Transfer Pricing) nëpërmjet shpërndarjes së kostos, mbi/nën faturimit ndërmjet kompanive nënë-bije, faturimit nëpërmjet kompanive ndërmjetëse në vende me regjim taksimi të ndryshëm, luhatjes në çmimin e shitjes së produktit; merret me vonesë dhe pse minerali mund të jetë nxjerre në kohe të mëparshme, krijon mospërputhje në të ardhurat e siguruara nga kjo taksë nga një subjekt në tjetrin për të njëjtët minerale. Për të bere efektive këtë metode dhe eliminuar disavantazhet kërkohet profesionalizëm dhe nivel i lartë bashkëpunimi midis institucioneve (Ministritë, AKBN, SHGJSH, Dogana, Tatim-Taksat) për të përcaktuar e vlerësuar Çmimin e Transferuar dhe çmimet e transaksioneve “arm’s length”, si dhe gjithë kostot/çmimet e shitjeve, duke përdorur një bazë fitimesh të pranueshme në çdo fazë të zinxhirit të veprimtarive të një produkti të përfunduar që është i gatshëm për t’u shitur dhe për t’u nxjerrë në treg, me përdorimin e metodave të Çmimit të Krahasueshëm të Pakontrolluar (CUP), Kostos Plus, Fiksimit të Çmimit, etj.

Në një vlere fikse mbi njësinë e prodhuar të mineralit, procedure e cila ka si avantazhe pasi taksa përcaktohet lehtësisht; është lehtësisht e kontrollueshme dhe e mbledhshme nga organet tatimore dhe doganore; ka një përcaktim të saktë të të ardhurave në buxhet pasi nuk është e varur nga ulje-ngritjet e çmimeve në kohe; pëlqehet nga organet e tatim taksave dhe strukturat e buxhetit, dhe dis-avantazhe pasi nuk pëlqehet nga kompanitë pasi është kosto fikse pavarësisht fluktuacionit të çmimeve, në momente të caktuara mund të ndihmoje kompaninë por në momente të tjera mund të behet barre; mund të dekurajoje investimet sidomos në momentet e kërkim-zbulimit; krijon të ardhura fikse por mund të mos i përgjigjet vlerës reale të mineralit dhe nuk reflekton fenomenet e zhvillimit; është jo koherente dhe nuk reflekton vlerën reale në kohe të produktit duke dëmtuar kështu herë buxhetin, herë bizneset.

Forma të kombinuara,  metoda, që mund të kombinoje metodat e mësipërme për tipe të ndryshme mineralesh ose grupe mineralesh.

Tabela.1. Vlera e përqindjes së taksës së rentës minerare dhe format e përllogaritjes së saj në botë

Rajonet ose

shtetet

Vlera e rentës në përqindje të vlerës së mineralit të shitur Mënyra të aplikimit ne shtete të ndryshme
Shqipëria 4-10% ·         vlere kumlative sipas prodhimit  , që vilet në doganë kur eksportohet, nga tatimet kur shitet brenda vendit,

·         % e ndryshme për llojin e mineralit

Australia 2-7.5% ·       sipas përfitimit ekonomik

·       sipas prodhimit dhe kostos së përpunimit,

·       % e ndryshme për llojin e mineralit

Afrika 0-12% ·       vlere kumlative sipas prodhimit,

·       % e ndryshme për llojin e mineralit

Azia 2-3% ·       vlere  e përcaktuar në rregullore sipas vlerave të tregut,

·       e ndryshme për llojin e mineralit

Kina 1-4% ·       vlere  e përcaktuar në rregullore sipas vlerave të tregut,

·       e ndryshme për llojin e mineralit

India 0,4-20% ·       vlere  e përcaktuar në rregullore sipas vlerave të tregut,

·       e ndryshme për llojin e mineralit

Amerika e Jugut 1-5 % ·       % e ndryshme për llojin e mineralit
Amerika e Veriut 2-14 % ·          vlere  e përcaktuar në rregullore sipas vlerave të tregut,

·          sipas prodhimit dhe kostos së përpunimit ,

·          në varësi të pronësisë

·          i negociushem

·          % e ndryshme për llojin e mineralit

Kanada 5-15% ·        sipas përfitimit ekonomik

·          vlere  e përcaktuar në rregullore sipas vlerave të tregut,

·          sipas prodhimit dhe kostos së përpunimit ,

·          % e ndryshme për llojin e mineralit

·          sipas fitimit neto

·          e përzier 5 % sipas fitimit neto dhe10 % të vlerës së prodhimit

Evropa 0-15% ·          ska taksë të rentës minerare

·          vlere  e përcaktuar në rregullore sipas vlerave të tregut,

·          sipas prodhimit dhe kostos së përpunimit ,

·          % e ndryshme për llojin e mineralit

·          sipas fitimit neto

·          fikse për një ton mineral

·          sipas pronësisë

·          e përzier 3 % shtuar  sipas fitimit neto dhe zvogëluar sasisë së produktit

 

Fakti, që kemi një mori formash aplikimi të kësaj taksë apo, që disa vende e kanë disa jo, bazë të tatueshme apo mënyra të ndryshme të përllogaritjes nga vendi në vend (vlere fikse mbi njësi produkti; vlere fikse sipas vlerës së prodhimit të realizuar në një periudhe të caktuar; në varësi të fitimit të realizuar;  në përqindje të vlerës së shitur;  jo si taksë e veçantë por pjesë të taksës së përgjithshme; vlera specifike sipas tipit të vendburimit dhe madhësisë së tij; e përzier vlere fikse e shtuar me vlerën e prodhimit; me një vlere minimale të detyrueshme për raste kur mungon fitimi e shtuar në baze të prodhimit;  jo e aplikuar, etj), tregon se vlerësimi i kësaj takse është i vështirë pasi ndikon në mënyre të drejtpërdrejtë në një seri indikatorësh ekonomik të lidhur me aspektet financiare, zhvillimore dhe të perceptimit të të berit biznes, si dhe vetë klimës së biznesit në atë vend.

Niveli i kësaj takse në shumicën e vendeve në botë ndryshon në intervalin nga 1.5-7.5 % të vlerës së mineraleve të shitur. Kanë vlera më të larta vendet e zhvilluara, që në politikat e tyre zhvilluese aktiviteti minerar zë pjesë të vogla të GDP ose është i papërfillshëm, por ky nuk mund të quhet kriter universal pasi kjo është e kushtëzuar jo rralle dhe nga vetë rezervat e limituara të mineraleve në këto vende. Evropa është pothuaj 100 % deficitare për metalet, por përsëri i ka të larta përqindjet e rentës, politika pragmatiste e momentit është për të dekurajuar prodhimin në vend, pasi politikat ambientale janë shume me strikte, por është fakt gjithashtu, që dhe sasinë e rezervave për metale e ka të limituar. Në periudhën e rritjes së çmimit të metaleve në vitet 2009 politika evropiane u tregua më e hapur për rifillimin e veprimtarisë minerare, me iniciativa stimuluese taksash,  pra kërkohen politika pragmatiste, koherente, pasi një vlerësim fiks për këtë taksë do të shpinte në mosbalancimin e efekteve fiskale dhe atyre të zhvillimit.

Nga ana tjetër një përcaktim i tille nuk është i lidhur thjesht me nivelin e zhvillimit të këtij apo atij vendi, pasi ka vende të zhvilluara si Australia, Kanadaja, Amerika, që kanë nivele të larta të rentës minerare, që tregon se kjo është bazuar në politikat, që ndjek çdo vend për industrinë nxjerrëse, atë të përfitimit maksimal financiar të drejtpërdrejtë, apo të zhvillimit ekonomik me përfitim të tërthortë, të garantimit të furnizimit të zinxhirit të industrive të tyre dhe zhvillimit të rajoneve me mundësi të vogla biznesi, etj.

Në përgjithësi në vendet në zhvillim ku hyn dhe Shqipëria (që në përgjithësi kanë rezerva minerale të pavlerësuara dhe të pashfrytëzuara, nivele  prodhimi të pakta, teknologji të kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit  jo të avancuara, ku produktiviteti është në nivele të ulta, etj), vlera e kësaj rente ndryshon në intervalin  2% – 5%, (aktualisht në Shqipëri ndryshon në intervalin 4-10%). Këto vende e shohin më shumë industrinë minerare me prioritet si promotor të zhvillimit të tyre ekonomik, shoqëruar me atë të përfitimit ekonomik, si burim financiar të ardhurash të drejtpërdrejta e të tërthorta nga zinxhiri i industrive të lidhura me industrinë nxjerrëse, falë dhe rezervave të mëdha të mineraleve, që ato kanë. Politikat e tyre për orientim në drejtim të përpunimit në vend të mineraleve duke stimuluar me nivelin e taksave  bën, që përfitimi i tërthortë të mund të kombinohet me zhvillimin industrial, aplikimin e teknologjive të reja, zhvillimin e infrastrukturës, etj.

Në vendin tonë aktualisht kërkohet një analize për përcaktimin në këtë taksë të: 1) modelit, që kërkojmë të aplikojmë; 2) në aspektin e përqindjeve për llojin e mineralit, 3) bazës mbi të cilën kryhet përllogaritja, 4) mënyrës së përllogaritjes dhe 5) mbledhjes e shpërndarjes së saj në autoritetet qendrore e lokale.

Kjo analize duhet të marrë në konsideratë këta elementë  dhe duhet të vlerësoj njëkohësisht efektin e tyre në indikatorët ekonomike reale financiarë, të zhvillimit, si dhe ata të perceptimit për biznesin minerar.

Pas kolapsit të industrisë minerare pas viteve 90, me ligjin e ri minerar u pa e domosdoshme, që legjislacioni i ri të ndikonte në ringritjen e biznesit minerar, kalimin e tij nga një zhvillim sipas një ekonomie të centralizuar në një ekonomi të lire tregu. Mungesa totale e investimeve shtetërore në sektor atë kohë bëri, që kërkesa për investime private vendase e të huaja të ishte imediate dhe legjislacioni dhe fiskaliteti i ri  të qenë mjetet e rëndësishme për tërheqjen e tyre.

Taksa e rentës minerare sipas eksperiencës së shumicës së vendeve në botë u kërkua të aplikohej nga shteti shqiptar, krahas elementeve të tjerë si aplikimi i një baze të re ligjore, privatizimi, fillimi i funksionimit të shtetit ligjor mbi bazën e një ekonomie të lire tregu, promovimit të sektorit minerar për të krijuar një mënyre të re perceptimi dhe mundësi të reja të të berit biznes në Shqipëri, etj (vlera e taksës së rentës minerare e aplikuar (sipas modelit ad-valorem – vlera e produkteve të shitura) prej 2 % të vlerës së shitjes për të gjithë mineralet u përcaktua në mënyre krahasimore me vende të tjera në situata të ngjashme zhvillimi, mbi bazën e një balance të përfitimit fiskal por dhe atij  zhvillimor e të perceptimit të të berit biznes, të vlerësuar me metoda krahasimore dhe për nivelin e eksperiencës, që zotërohej në ato momente). Kjo reforme dhe baza e saj legjislative krahas tyre dhe përcaktimi i taksës së rentës minerare ndikuan , që industria minerare të kapërcente krizën e tranzicionit, të ringrihej, zhvillohej, diversifikohej, të ndryshonte strukture duke ju përgjigjur me mire kërkesave të tregut vendas e global e të krijonte kushte optimale për bashkëveprim rajonal dhe më gjerë. Ajo filloi të zhvillohej tërësisht me kapital privat vendas e të huaj në përputhje me kërkesat e ekonomisë së tregut duke aplikuar një strukturë të ndryshme nga ajo tradicionalja, por duke ruajtur thelbin e saj e me një perspektivë të qartë rivlerësimi në treg  me të gjithë potencialin e saj.

Përcaktimet për modelin, bazën vlerësuese, vlerën e përqindjeve, mënyrën e llogaritjes, grumbullimit  dhe shpërndarjes të taksës së Rentës Minerare (ROYALTY), në Shqipëri jepen në Legjislacionin Minerar (Në përcaktimet e nenit 40 “Renta minerare” të Ligjit Nr.10304, datë 15.7.2010 “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar,  ku është e përcaktuar modeli se: “Renta minerare llogaritet në përqindje të vlerës së siguruar nga shitja e mineralit të papërpunuar, të prodhuar nga zona e lejuar minerare, dhe derdhet në Buxhetin e Shtetit dhe në buxhetin e njësive të qeverisjes vendore përkatëse. Vlerat e përqindjeve, forma, mënyra e ndarjes dhe afatet e pagesës së rentës minerare përcaktohen në legjislacionin për taksat kombëtare”, dhe Legjislacionin Fiskal të Republikës së Shqipërisë ku përcaktohen përqindjet sipas tipit të mineraleve shtojca 2  e ligjit Për taksat Kombëtare”, i ndryshuar, ku intervali i përqindjeve sipas grupeve të mineraleve është 4-10%,  dhe në një seri vendimesh të Këshillit të Ministrave, udhëzimesh të DP Doganave , që lidhen kryesisht me procedurat e mbledhjes së kësaj takse, si dhe akteve të Komisionit AD-HOC për vlerësimin e bazës së rentës minerare dhe procedurës së përllogaritjes së saj për minerale të veçantë.

Megjithëse aktiviteti minerar sot nuk është në objektivat strategjik zhvillimor të vendit, (të ardhurat , që ai krijon karshi PBB tashme janë modeste 2-3% me dhjetra here me të vogla krahasuar me vitet 90), gjykoj , që duhet rivlerësuar dhe pare si promotor i mundshëm i zhvillimit ekonomik, pasi Shqipëria është një vend i pasur me burime minerare (pavarësisht nivelit të madhësisë së vendburimeve), vërehet një kërkesë gjithnjë në rritje për lëndë të para minerale në vend e rajon, aktualisht aktiviteti minerar është një burim punësimi dhe në zonat rurale ngelet pothuaj i vetmi burim punësimi, ndikon në përmirësim të bilancit import-eksport, është një bazë e fuqishme për veprimtari të mëtejshme në fusha të tjera të industrisë, mund të ndikoje në zhvillimin teknologjik me futjen e teknologjike të reja dixhitale, të inteligjencës artificiale, komandimit në distance dhe të behet pionier për aplikimin e tyre dhe në sektorë të tjerë. Këta indikatorë duhen rivlerësuar dhe analizuar së bashku me faktin përse tashme industria minerare është e papërfillshme në PBB, çfarë është bere keq, çfarë duhet të ndryshojmë nëpërmjet një diskutimi real e transparent.