Kompensimi i pronarëve brenda 10 vitesh. Çdo vit do jepen 5 miliardë lekë

599
Me pr/ligjin e ri për pronat qeveria parashikon kompensiomin brenda 10 viteve të pronarëve që u është marrë toka me ligjin të 7501.
Pr/ligji i ri vendos qartësisht procedura dhe afatet e kompensimit si dhe paraqitet qartë që financimi vjetor mesatar çdo vit do të jetë rreth 5 miliardë lekë.
Kompensimi do të kryhet me para nga buxheti apo dhe nga prona të paluajtshme në pronësi të shtetit.
Gjatë fjalës së tij të mbajtur në ceremoninë e prezantimit të ligjit të ri për pronat, ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se me këtë projektligj mbyllet kalvari i pothuaj 25 viteve, “që s’kanë bërë gjë tjetër veçse, ta themi shumë hapur, e sorrollatën problemin sesa krijuan zgjidhjen e tij” dhe i jep zgjidhjen përfundimtare kësaj çështjeje. “
Sipas tij për “10 vite paguajmë pronarët sa do të paguante qeveria e kaluar për 200 vite”
Pjesë nga fjala e ministrit Cani
Cilat janë synimet e këtij projektligji:
1- Ligji respekton një të drejtë të njohur tashmë me ligj për pronarët e shpronësuar dhe vendos mekanizma konkret për të shmangur si paqartësitë, si zvarritjet apo talljen me këtë shtresë.
2- Nga pikëpamja e shpenzimeve buxhetore, vendoset një parashikim, një ekspozim konkret në buxhetin e shtetit duke shndërruar shpenzimet për kompensim nga ngjarje rastësore dhe me luhatshmëri nga viti në viti, në ngjarje të fiksuara, në shuma të fiksuara. Pra, buxheti i çdo viti, qartësisht do të ketë shuma fikse çdo vit, sa do t’u kalojë pronarëve të shpronësuar.
3- Në këtë mënyrë jemi transparent dhe të ndershëm si kundrejt pronarëve të shpronësuar padrejtësisht dikur, po ashtu vendosen qartësisht procedura dhe afatet e kompensimit, si edhe po kaq e rëndësishme është që jemi transparentë dhe të qartë kundrejt taksapaguesve, për arsye se siç tha ministri prishen apo ndreqen marrëdhënie mes shtresave të ndryshme për sot dhe për nesër. Kuptohet që me këtë ligj synohet dhe arrihet edhe saktësimi i kostos buxhetore dhe burimet e financimit.
Krijohet Fondi Financiar i Kompensimit
Në projekte të këtyre përmasave, ajo që ka rëndësi, është parashikimi i saktë buxhetor dhe i të gjitha hapave praktikë që do realizohet. Për qëllim të pagesës së pronarëve të shpronësuar krijohet fondi special.
1. Ky fond është e rëndësishme të thuhet se është i trashëgueshëm: pra nuk përfundon viti buxhetor dhe siç bëhet me të gjitha paratë e buxhetit nuk transferohen vitin e ardhshëm, këto fonde trashëgohen në vitin e ardhshëm, pra i ndërpritet rruga lojëra brenda vitit financiar duke zvarritur një shpenzim dhe duke ulur deficitin.
Burimet e financimit të fondit janë të përcaktuar qartë:
– Buxheti i Shtetit;
-Shitja në ankand e pasurive shtetërore pjesë e fondit të tokës;
-Të ardhura të tjera që mund të vijnë ose me ligje të veçanta ose me akte nënligjore, për llogari të këtij fondi
– Të ardhura të tjera nga donatorë të ndryshëm.
Transparenca për përdorimin e këtij fondi paraqitet në Kuvend, për arsye se së bashku me Buxhetin, ashtu siç bëhet për fondet e Sigurimeve Shoqërore edhe për këtë fond do të bëhet një raportim i veçantë në Buxhet çdo vit se çfarë ka ndodhur me këtë fond.
Sigal