Dëmi nga tërmeti, kompanitë e sigurimit e vlerësojnë paraprakisht në 12 milionë USD

252

Kompanitë e sigurimit kanë administruar deri më tani 1943 dosje lidhur me banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe që rezultojnë të siguruara pranë tyre. Kjo shifër është dinamike ditë pas dite duke u rritur por paraprakisht dëmi vlerësohet për pjesën që kanë dorëzuar pretendimin pranë kompanive në vlerën 12 milionë dollarë. Në një takim me kompanitë e sigurimit mbajtur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe me praninë e ish-Ministrit të Financave Arben Ahmetaj janë dhënë edhe detajet lidhur me situatën.“Tashmë ka një të dhënë zyrtare shumë të vlefshëm për ta përmendur që në tërmetin e 21 shtatorit kompanitë e sigurimit deri më sot kanë paguar rreth 5 milionë dollar pra 506 milionë lekë. Kjo shumë nuk i është paguar shtetit as nuk ka qenë një konsekuence ligjore por një konsekuence e marrëdhënies që kanë kompanitë me bankat dhe qytetaret.  Në bazë të llogaritjes dëmi total shkon gati 12 milionë USD. Mesa kam dëgjuar në diskutime nga kompanitë dëmi total mund të shkojë deri në 25 milionë euro por s’dua ti referohem kësaj shifre se mund të rezultojë më pak ose më shumë. Do ti referohem asaj parapake dinamike që ka të bëjë me as gjysmën e banesave dhe që thamë se është 12 milionë USD” tha Ahmetaj.Avni Ponari nga kompania Sigal u shpreh se kompanitë funksionojnë pëmes risigurimit dhe duke qenë se Shqipëria është e ekspozuar ndaj risqeve është me vend që të shihet mundësia që të blihet një mbulim i mirë në tregjet ndërkombëtare. “Me një shumë 25 milionë euro blejmë një mbulim 300 milionë euro. shkalla e mbulimit varet nga risku. Ne ju propozojmë që ta shihni me vëmendje pasi edhe pse nesër mund të dalë dielli apo të mos ketë tërmet kjo nuk e zbeh faktin që Shqipëria është e ekspozuar ndaj këtyre risqeve” tha Ponari. Kurse Klaidi Citozi drejtuesi i Sigma Interalbanian- Viena Insurance Group njërës prej kompanive më prestigjioze sot në botë, me pronar austriak u shpreh se tetë kompani në tryezë dhe që kanë aktivitet në produktet e jo-jetës kanë kapitale mbi 40 milionë euro. Këto kapitale janë të mjaftueshme për të përballuar këtë ngjarje. Ndërkohë të gjithë marrëveshjet që kemi me partnerët ndërkombëtare lidhur me risigurimet janë të audituar nga AMF. Lidhur me situatën unë do të bëja thirrje që gjithë klientët të raportojnë sa më shpejt. Ata që hasin vështirësi apo ankesa t’i drejtohen edhe AMF” tha Çitozi.