Çmimet e zbritjet për bizneset nga vlera e tatueshme

531

Tatimet: Saktësimi i vlerës së tatueshme, zbritja e kushtëzuar në faturë dhe rregullat e përgjithshme që duhen zbatuar

 

TVSH – Ja elementët që i zbriten bizneseve për vlerën e tatueshme

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar informacione lidhur me vlerën e tatueshme. Sipas DPT-së nuk përfshihen ulje ose reduktime të çmimit që i bëhen blerësit ose klientit, në kuadër dhe për qëllime të politikave tregtare të shitësit, që lidhen me një furnizim të tilla si:

  • Uljet/zbritjet e çmimit për pagesa të hershme të kryera për furnizimin;
    • Uljet/reduktimet e çmimit për blerësin ose klientin që përfitohen në momentin e furnizimit.

 

Uljet/ zbritjet e çmimit të kryera në kushtet e mësipërme duhet të shënohen dhe evidentohen në faturën tatimore të furnizuesit. Në rastin kur zbritjet evidentohen në përputhje me këtë Ligj, ato reduktojnë vlerën e tatueshme të furnizimit.

Kujdes!
Nëse zbritjet/uljet e çmimit në momentin e furnizimit ose në formën e skontove tregtare, nuk janë evidentuar/ llogaritur, në faturën tatimore në momentin e furnizimit, nuk konsiderohen ulje, për qëllime të nenit 40 të Ligjit.

Saktësimi i vlerës së tatueshme

Për çdo furnizim të mallrave dhe shërbimeve, TVSH-ja është e detyrueshme në datën e furnizimit apo të faturimit pavarësisht datës së pagesës së furnizimit. Gjithsesi, në Ligj janë parashikuar rastet kur lejohet të bëhet një saktësim i TVSH-së së faturuar prej furnizuesit të mallit/shërbimit, në rast anulimi apo tërheqje prej furnizimit, ose një reduktim i çmimit pas momentit të kryerjes së furnizimit.

Kryerja e saktësimit të vlerës së tatueshme:
a) Për qëllime të kryerjes së saktësimit, furnizuesi do të lëshojë një faturë, e cila është faturë korrigjuese dhe sipas rastit dhe qëllimit për të cilin është aplikuar duhet të përmbajë shënimin në një nga opsionet si më poshtë:
• Faturë korrigjuese, kur nuk kërkohet që midis palëve të rimbursohen
vlerat (pagesa nuk është kryer në rast tërheqje prej furnizimit);
• Faturë korrigjuese – Notë krediti, nëse korrigjon në ulje vlerën e faturës fillestare;
• Faturë korrigjuese- Notë debiti, nëse korrigjon në rritje vlerën e faturës fillestare;

Në çdo rast, notë krediti ose notë debiti lëshohet kur prej blerësit pretendohet kthimi
(rimbursimi) i shumës nga furnizuesi.

  1. b) Me anulim apo tërheqje prej furnizimit kuptohet:
    Një furnizim do të konsiderohet i anuluar, në datën kur, pasi është bërë porosia dhe kryer parapagesa, blerësi, i cili nuk do ta vazhdojë këtë porosi, i kërkon shitësit t’i kthejë (rimbursojë) shumën e parapagesave të bëra;
    • Furnizim do të konsiderohet i tërhequr, në datën kur palët rivendosen në situatën që ishin para realizimit të furnizimit. Pra mallrat i kthehen shitësit pasi furnizimi nuk është i njëjtë me atë që ka kërkuar blerësi ose mallrat janë të dëmtuara, ose shërbimi nuk është kryer.

Zbritja e kushtëzuar në faturë

Në rastin kur ulja përfitohet më vonë, jo në momentin e furnizimit, por e kushtëzuar me datën kur do të kryhet pagesa apo çdo kusht tregtar tjetër, që të merret parasysh reduktimi i vlerës së tatueshme të furnizimit në momentin kur kushti plotësohet prej blerësit ose klientit, duhet që ky fakt të jetë evidentuar (shkruar) në faturë në momentin e furnizimit prej furnizuesit. Për të lejuar mospërfshirjen në vlerën e tatueshme të furnizimit është kusht që:

  • Në faturë të cilësohen kushtet e skontos tregtare të aplikuar;
    • Të shënohet data kur kërkohet të kryhet pagesa në mënyrë që të përfitohet skonto;
    • Të përcaktohen edhe penalitetet nëse pagesa kryhet me vonesë.

Rregulla të përgjithshme për t’u zbatuar

Për të konsideruar të saktë procedurën e kryer për saktësimin e vlerës, kërkohet që:

  1. a) Fatura e re që anulon, zëvendëson ose korrigjon të mëparshmen duhet të përmbajë referencën e saktë të faturës fillestare dhe shënimin e anulimit të kësaj të fundit, Përveç kësaj, ajo duhet të përmbajë tërësinë e informacioneve që përmban një faturë tatimore si dhe vlerat përkatëse të korrigjuara.
    b) Në rastin kur lëshohet nota e kreditit, ajo duhet të përmbajë referencën e faturës fillestare dhe të tregojë shumën e uljes së miratuar, si dhe shumën e TVSH-së korresponduese.
    c) Përveç kësaj, nota e kreditit duhet të përmbajë të dhënat identifikuese të palëve,
    si dhe vlerën e furnizimit dhe TVSH-në e detyrueshme pas zbatimit të reduktimit të çmimit. Të evidentohen qartë edhe vlerat përkatëse të zbritjes. Në të njëjtën kohë, klienti blerës i tatueshëm me TVSH, nëse e ka kryer zbritjen e TVSH-së, që figuron në faturën fillestare, është i detyruar të reduktojë (ulë) shumën e kësaj zbritjeje sipas shumës së tatimit që figuron në notën e kreditit.

Nëse zbritjet/uljet e çmimit në momentin e furnizimit ose në formën e skontove tregtare, nuk janë evidentuar e llogaritur, në faturën tatimore në momentin e furnizimit, nuk konsiderohen ulje