BB: Koncesionet, jo vetëm për nevojat e privatëve

Banka Botërore kritikon Partneritetin Publik Privat të qeverisë shqiptare dhe kërkon që të merren parasysh nevojat e vendit dhe të popullit

Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, Maryam Salim, ka folur në një intervistë për planin e qeverisë për të aktivizuar projektin “1 miliard euro” në veprat infrastrukture nën modelin e koncesioneve apo siç njihet ndryshe Partneritetit Publik Privat (PPP). Ajo ka theksuar për “SCAN”, se pavarësisht nevojës së madhe për investime, modeli PPP nuk duhet të konsiderohet zgjidhje për secilin problem. “Partneritetet Publike Private janë të njohura në të gjithë botën, sepse gjithnjë e më tepër qeveritë kanë tendencat e tyre të përdorin këto partneritete në mënyrë që të përmbushin nevojat e shumta në infrastrukturë. Me qenë se shikojmë ndryshime të shumta në fushën demografike apo klimatike, do të shikojmë që ka gjithmonë e më shumë një nevojë në rritje sa i përket programeve infrastrukturore. Në zhvillime të tilla, për një vend është e pamundur që t’i përmbushë të gjitha nevojat e kohës, por nga ana tjetër partneriteti me sektorin privat, së bashku me kapitalet sjell edhe ekspertizën e vyer dhe është një bashkëpunim shumë i madh për të ardhshmen. Por Partneritetet Publike Private nuk janë zgjidhje për të gjitha problemet që mund të kenë qeveritë”, u shpreh zyrtarja e BB-së. Sipas saj, “për qeveritë është e rëndësishme që së pari të identifikojnë prioritetet kryesore, domethënë çfarë prioritetesh ka qeveria për sa i përket investimeve, cilat janë ato prioritete që i japin më shumë vlerë të shtuar ekonomisë, njerëzve dhe vendit në përgjithësi”. “Por në momentin kur mendohet për partneritetin publik privat, Autoriteti Kontraktual që është qeveria në këtë rast, do të duhet të hartojë marrëveshje që jo vetëm i përmbush nevojat e sektorit privat, por është e rëndësishme që të merren parasysh nevojat e vendit dhe të popullit”, tha Salim. Përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Maryam Salim ka renditur kriteret kryesore sipas së cilave duhet të aplikohen programet PPP. “Jo të gjitha projektet infrastrukturore duhet t’i lihen në dorë Partneriteteve Publike Private. Disa prej tyre duhet të menaxhohen nga qeveria, ndërkohë që disa prej tyre janë të destinuara për sektorin privat. Një tjetër faktor i rëndësishëm që duhet të merret parasysh është eksperienca që ka qeveria ose eksperienca e sektorit privat. Nëse njëri nga të dy partnerët ka më shumë eksperiencë atëherë duket sikur njëri prej tyre ka më tepër epërsi. Po ashtu është e rëndësishme të mendohen në detaje edhe implikimet fiskale, sepse në fund të ditës privatët do të marrin përsipër projekte të caktuara, atëherë do të duhen të paguhen borxhet private, ndërkohë që këto borxhe apo shpenzime dalin nga buxheti i shtetit. Kështu është e rëndësishme që t’i kushtohet rëndësi edhe aspektit të transparencës dhe llogaridhënies. Së fundmi më lejoni të them se nga ana e BB po punohet ngushtë me Ministrinë e Financave, në mënyrë që të rishikojmë investimet, në mënyrë që të shqyrtojmë edhe një herë risqet dhe potencialet për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”, tha zyrtarja e Bankës Botërore, e ngarkuar me Shqipërinë. 

Klima e biznesit 
Lidhur me raportin “Doing Business” dhe zbritjen e Shqipërisë me 7 vende, Maryam Salimu shpreh se vendi ynë ka pasur përmirësime për sa i përket frontit rregullator. “Jo vetëm kaq, por ka pasur edhe shkurtim të distancës nga vlerësimi me pikë maksimale dhe faktori kryesor dhe këtu është aksesi në kreditim, që është një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit privat”, tha ajo. Përfaqësuesja e Bankës Botërore nënvizoi se “një tjetër indikator i rëndësishëm që duhet të mbajmë parasysh dhe që është pjesë e panoramës është përmirësimi i aspekteve rregullatore të punës”. “Janë bërë rregullime të reja për sa i përket numrit të orëve të punës së qytetarëve gjatë javës, pra është reduktuar numri i orëve të punës. Më e rëndësishmja është se qeveria ka miratuar legjislacionin, i cili parashikon si gratë edhe burrat duhet të paguhen njëso për punë të ngjashme. Më duhet të them se këtu kemi një zhvillim shumë domethënës, sepse ka shumë vende që nuk e kanë miratuar një legjislacion të tillë, në kuadrin e brendshëm juridik. Shqipëria duhet të jetë vërtetë krenare për këtë realizim. Për sa i përket renditjes më poshtë të Shqipërisë në raportin e “Doing Business”, këto kanë ardhur nga rafinimet dhe përmirësimet e metodologjisë. Për sa i përket indikatorit të pagimit të taksave, Shqipëria është renditur sivjet në vendin e 127 nga vendi 97 që ishte në vlerësimin e mëparshëm. Kështu, është e rëndësishme të theksohet se nuk ka hapa prapa, por ka një rafinim, përmirësim ose shtjellim të mëtejshëm të metodologjisë. Ndryshimet e përdorura mbi metodologjinë kanë pasur ndikim në të gjitha vendet që kanë qenë pjesë e raportit “Doing Business”, u shpreh përfaqësuesja e Bankës Botërore. Sipas saj, “ka fusha të tjera ku Shqipëria nuk është se ka arritur progres aq shumë të madh, e kam fjalën më specifikisht për elektricitetin, për pronat, për lejet e ndërtimit dhe pagimin e taksave”.