Arben MALAJ/ Politikat fiskale pro zhvillimit dhe kundër thellimit të pabarazisë

909
Sigal

Studiuesit argumentojnë se rritjet nën 2% nuk krijojnë vende të reja pune

Kriza globale pati një impakt pozitiv në sensibilizmin dhe ndërgjegjësimin e studiuesve dhe politik-bërësve lidhur me sfidat e vështira të varfërisë dhe thellimit të pabarazisë.. Studimet vërtetojnë një lidhje të fortë midis papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë. Thellimi i pabarazisë nuk duhet  të jetë një debat për disa shifra, por një debat për etikën e zhvillimeve tona, për efiçencën e burimeve të zhvillimit dhe për cilësinë e zhvillimeve  edhe politike. Debatet rreth varfërisë janë  shumë të hershme, Confuci do të theksonte se: “Në një vend që mirëqeveriset, varfëria është diçka për të cilën turpërohesh, në një vend që keqqeveriset, pasuria është diçka për të cilën turpërohesh”. Në studimin e sapo publikuar tw FMN-së  me titull “Rishpërndarja, pabarazia dhe rritja”, theksohet se që nga vitet 80 u rrit mbështetja për programet kundër varfërisë. Ish drejtori i FMN-së Michael Camdessys, do të theksonte tre aspekte kritike të  kesaj sfide duke deklaruar se: “Thellimi i diferencës ndërmjet të pasurve dhe të varfërve brenda kombeve, është moralisht i turpshëm, ekonomikisht inefiçient dhe nga pikëpamja sociale potencialisht shpërthyes”.  Sot  ne përballemi më shumë se kurrë me sfidat, morale, ekonomike dhe politike të shoqërive të tejpolarizuara. Nobelisti Joseph Stiglitz do të fokusohej në çmimin e thellimit të pabarazisë duke kërkuar një angazhim kundër këtij fenomeni kërcënues. Disa ekonomistë argumentojnë se një shkallë e caktuar e pabarazisë shërben për krijimin e incentivave për rritje ekonomike, ndërsa të tjerë argumentojnë se thellimi i pabarazisë e bën të pamundur zhvillimin e qëndrueshëm social e politik. Vlen të qartësojmë dallimin midis barazisë së mundësive nga barazia e të ardhurave. Sot diskutohet për rritjen ekonomike me rritje punësimi, për rëndësinë e klasës së mesme , diskutohet se vetëm niveli i të ardhurave për frymë nuk mat dot nivelin real të zhvillimit të vendeve të ndryshme. Në themel të strategjive për reduktimin e pabarazisë dhe varfërisë qëndron rritja e barazisë së mundësive, çka kërkon rritje të cilësisë së arsimit dhe shëndetit, rritje të  mundësive për biznes, ristrukturim të tregut të punës, skemës së asistencës sociale dhe pensioneve. Rritja ekonomike me ritme më të larta, të qëndrueshme dhe më përfshirëse, edhe nëpërmjet shpërndarjes më të ndershme të barrës së taksave  dhe sistemeve të mbrojtjes sociale vetëm për grupe të mirë targetuara, janë kolonat kryesore mbështetëse të çdo strategjie kombëtare për reduktimin e pabarazisë dhe varfërisë. Ngadalësimi i rritjes në ekonominë globale u shoqërua me humbjen e miliona vendeve të punës duke rritur në këtë mënyrë ndjeshëm papunësinë. Studiuesit argumentojnë se rritjet nën 2% nuk krijojnë vende të reja pune. Me qëllim uljen e papunësisë  kërkohet një reformim i tregut të punës në përgjithësi dhe masa specifike për mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm. Pjesë e strategjive kundër varfërisë e pabarazisë janë edhe politikat fiskale që mund të influencojnë nëpërmjet dy kanaleve kryesore, taksave dhe shpenzimeve buxhetore.  Studiuesit vlerësojnë se politikat  fiskale  përfaqësojnë  rreth 1/3 e impaktit pozitiv kundër pabarazisë, 2/3 nga efikasiteti i shpenzimeve sociale.

Niveli i taksimit të kapitalit dhe punës

Niveli i taksimit të kapitalit dhe punës, konsiderohet i rëndësishëm në nxitjen e investimit dhe zhvillimin e tregut të punës. Duhet ngushtuar diferenca midis pagës bruto dhe neto. Sa më e vogël kjo diferencë, aq më shumë nxitje për punë kanë punëdhënësit dhe punëmarrësit. Taksimi i konsumit apo kalimi i barrës së taksimit mbi konsumin, njihet që ul të ardhurat reale nga paga dhe përfitimet sociale. Sipas FMN-së, gjatë 20 viteve të fundit është ulur taksimi i kapitalit me rreth 1.5 për qind të GDP-së dhe në të njëjtën masë është rritur tatimi i konsumit. Kjo zhvendosje e barrës fiskale godet shtresat me të ardhura të ulëta dhe  e rrit pabarazinë. Pagat dhe përfitimet sociale pësojnë goditje të rëndë nga rritja e çmimeve dhe rritja e taksave, ndaj kjo pjesë e shoqërisë duhet asistuar me sisteme të mbrojtjes dhe asistencës sociale, më shumë se sa me politika tatimore specifike. Hartimi i politikave efiçente fiskale për reduktimin e thellimit të pabarazisë  nuk është i lehtë, ato duhet të bazohen në disa parime të rëndësishme :

–        Politikat fiskale rishpërndarëse duhet të jenë konsistonte me objektivat makroekonomikë të politikave publike.

–        Efekti i taksave dhe shpenzimeve duhet vlerësuar në mënyrë të integruar.

–        Impakti i politikave rishpërndarëse duhet të jetë efiçientë.

–        Kapacitetet administrative kushtëzojnë suksesin e reformave dhe politikave përkatëse.

Duke analizuar impaktin e biznesit të vogël dhe të mesëm në këndvështrimin e avantazheve dhe disavantazheve të tyre, studiuesit këshillojnë që fokusi i nxitjes së punësimit të ketë në qendër disa elemente me impakt të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e tyre dhe në hapjen e vendeve të punës. Këtu mund të mbahen parasysh:

  • Rritja e aksesit për burime financimi, të cilat duhet të synojnë mundësi më të mëdha dhe më të shpejta financimi, ulje të kostos së financimit, ulje të kohës dhe kostos së pengesave administrative dhe korrupsionit.
  • Subvencionimi i pagave mund të përdoret me efikasitet për periudha afatshkurtra për punonjësit e rinj, shton numrin e të punësuarve, ul barrën e përfitimeve sociale, krijon premisa pozitive për të papunët dhe personat me aftësi të kufizuara, që të zhvillojnë aftësitë për biznes dhe punë të përhershme.
  • Skema e granteve mund të përdoret me efikasitet për të nxitur zhvillimin e sektorëve, profesioneve dhe zonave të caktuara, që kanë vështirësi për t’u zhvilluar apo mund të zhvillohen më shumë. Nga skemat e financimit me kredi, grante apo subvencione të pjesshme, duhet të përfitojnë kryesisht ata që po krijojnë vende të reja pune, apo që reduktojnë shkurtimet e tyre në periudha krize.
  • Skema e garancive e cila në thelb, nëpërmjet ndarjes së risqeve midis biznesit, institucioneve financuese dhe qeverisë lokale apo qendrore, e nxit biznesin të investojë, të ketë më shumë të punësuar dhe të jetë sa më i suksesshëm.

Të katër këto instrumente duhet të jenë pjesë e reformave dhe strategjive që inkurajojnë dhe mbështesin rritjen e biznesit të vogël e të mesëm duke lehtësuar arritjen e objektivave sociale më të qenësishme të çdo vendi: rritjen e punësimit, uljen e pabarazisë dhe luftën kundër varfërisë. Duhet të ndërgjegjësohemi se nuk ka receta të gatshme për këto sfida të vështira. Na duhen studime të thelluara nga ekspertët vendas dhe të huaj që njohin dhe respektojnë faktorë të rëndësishëm të kulturës sonë institucionale. Duhet të bëjmë kujdes nga zgjidhjet e sforcuara, nuk duhet të përqendrohemi  kryesisht në nivelet konkrete të taksave apo shpenzimeve, por në parimet themelore të tyre dhe në përmirësimin rrënjësor të ambientit të biznesit dhe administrimit.

Politikat mbështetëse pro rritjes ekonomike dhe kundër thellimit të pabarazisë, duhet të kenë fokus krahun e shpenzimeve dhe jo atë të të ardhurave. Rritja e cilësisë së arsimit, cilësisë së shëndetit, trainimi dhe ritrainimi, lehtësimi i skemave të financimit dhe ndarjes së rreziqeve për biznesin e vogël dhe të mesëm ndërmjet politikave dhe fondeve përkatëse, funksionimi i shtetit ligjor, liria e pronës dhe liria nga korrupsioni, janë parakushte për suksesin e çdo reforme. Pa këto parakushte jetike rrezikohet që disa reforma të mos japin efektin e pritshëm ose sipas studimeve,  mund ta përkeqësojnë gjendjen.