Kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve të fillojë vetëm me ndryshimin e Kushtetutës

491
Sigal

Unioni i Gjyqtarëve jep vërejtje dhe propozime rreth draftit të projektligjit për heqjen apo kufizimin e  imuniteteve

 Unioni ka diskutuar edhe më parë lidhur me çështjen e imuniteteve dhe, në parim, opinioni tyre ka qenë dhe është se, për momentin historik dhe shkallën e zhvillimit aktual të institucioneve, nivelin e zbatueshmërisë së ligjit, respektimit të parimeve të sistemit demokratik e të shtetit të së drejtës në Shqipëri, mund të ndërmerren nisma, pikësëpari kushtetuese, vetëm në drejtim të kufizimit të imunitetit për gjyqtarët. Në çdo rast vlerësohet se nuk ka aspak vend të diskutohet e te vendoset vetëm për heqjen apo kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve, përpara se një gjë e tillë të vendoset për funksionarët e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Unioni ka bindjen se nuk janë pjekur ende kushtet e domosdoshme për të shkuar drejt heqjes tërësore të imunitetit nga ndjekja penale për gjyqtarët. Nuk janë larguar nga realiteti jonë arsyet e ekzistencës së mbrojtjes që, imuniteti nga ndjekja penale ofron për gjyqtarët. Jo sepse gjyqtarët janë një kaste e cila patjetër duhet të gëzojë privilegje mbi të tjerët. Jo sepse gjyqtarët janë të paprekur nga fenomenet negative sikurse edhe funksionaret e tjerë. Por, sepse imuniteti i gjyqtarëve bazohet në një ekuilibër, që vlerësohet në varësi të fazës historike të zhvillimit të shtetit e shoqërisë sonë, mbi nevojën për pavarësi e paanshmëri nga njëra anë, si dhe nevojën për përgjegjshmëri e llogaridhënie të gjyqtarëve nga ana tjetër. Prandaj, imuniteti nga ndjekja penale nuk është një privilegj për në (gjyqtarët), por një garanci për qytetarin. Unioni është i bindur se, është në dobi të të gjithëve të pranojmë hapur se edhe institucionet tona të ngarkuara me zbulimin dhe hetimin e shkeljeve të ligjit dhe të veprave penale, agjencitë e ndryshme ligjzbatuese, përfshire edhe hallkat e policisë e të prokurorisë, nuk janë ende të formuara profesionalisht aq sa duhet, për të garantuar se, në veprimtarinë e tyre nuk ndikohen në mënyrë të papërshtatshme dhe se mund t’i rezistojnë presionit të atyre, që kanë pushtet politik, ekonomik apo mediatik. Për rrjedhojë, vështirë të besohet se, këto hallka do të garantonin vendimmarrje të pjekur, profesionale e të pandikuar në lidhje me kryerjen e atyre veprimeve, që i përkasin hetimit por, që njëkohësisht lidhen me vete thelbin e dinjitetit dhe autoritetit të gjyqtarit, pikësëpari për shkak të këtij funksioni por edhe si qenie njerëzore, sikurse janë paprekshmëria e personit, zyrës dhe banesës së tij. Akoma më tej, tek ne, ka raste të cilat vijojnë të përsëriten në përmasa serioze, ku edhe vetë politikanët, të çdo niveli, ndërkohë që janë palë në një proces penal apo civil, nuk e kanë për gjë që të marrin hapur, publikisht, edhe pozitën e atij, që i jep të drejtën vetës të akuzojë, hetojë e gjykojë pikërisht gjyqtarët, të cilët sipas Kushtetutës e ligjit janë të ngarkuar posaçërisht me gjykimit e tyre. Kjo përbën një agresion e dhunë të pastër verbale të individit me pushtet kundër gjyqtarit, i cili është duke përmbushur detyrën e tij. Është e vërtetë se imuniteti i plotë nga ndjekja penale i gjyqtarëve nuk i lejon organet e ndjekjes penale të fillojnë veprimtarinë e tyre hetimore pa një autorizim paraprak nga organi kompetent, për shkak të imunitetit nuk mundësohet veprimi dhe përdorimi i menjëhershëm dhe në kohën e duhur të teknikave bashkëkohore të hetimit, të cilat për vetë specifikën e këtyre krimeve, janë vendimtare për objektivitetin, efektivitetin dhe suksesin e ndjekjes penale ndaj personave të veshur me pushtet, përfshirë këtu edhe gjyqtarëve. Dëshirojmë të theksojmë se, nisma për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve duhet të fillojë vetëm me ndryshimin e Kushtetutës dhe për rrjedhojë e pas kësaj mund e duhet të ndryshohen ligjet e tjera. Përndryshe, kjo nismë do të ishte dukshëm e papajtueshme me Kushtetutën. Kushtetuta e ligji duhet te ofrojnë garanci të qarta mbi paprekshmërinë e personit, zyrës dhe të banesës. Duhet përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe të detajohet me norma procedurale të hollësishme dhe ezauruese në ligj që, kufizimi i lirisë së gjyqtarit, me përjashtim të gjendjes së flagrancës për krimet, nuk mund të aplikohet paraprakisht por, duhet të vendoset vetëm pas pëlqimit a miratimit të organit kompetent, i cili në rastin konkret duhet të jetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Po kështu, kontrolli fizik, kontrolli i zyrës apo/dhe i banesës së gjyqtarit duhet të lejohen vetëm mbi disa garanci e procedura të parashikuara hollësisht nga ligji. Gjithashtu, është me vend të rishikohet dhe mundësisht të hiqet parashikimi i bërë ne nenin 29/3 të ligjit nr.9877, dt.18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Kjo dispozitë parashikon se, gjyqtari pezullohet nga detyra në rast se ndaj tij ka filluar ndjekja penale dhe qëndron pa punë derisa vendimi penal për çështjen në ngarkim të tij të marr formë të prerë. Mendojmë se, në këto raste duhet mbajtur parasysh parimi i “prezumimit të pafajësisë” dhe jo i “prezumimit të fajësisë”. Sipas K.Pr.Penale, pezullimi nga detyra është një ndër masat ndaluese me karakter personal dhe si e tillë mund të vendoset vetëm me vendim gjykate. Në këtë mënyrë do të siguronim një trajtim të barabartë të funksionarëve të lartë shtetërorë në rastin e fillimit të ndjekjes penale ndaj tyre. Nëse një deputet, apo ministër ndaj të cilit ka filluar ndjekja penale, është i lirë të ushtrojë funksionet e tij në Kuvend apo në Qeveri, mendojmë se nuk ka arsye që gjyqtari të ndalohet të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij.