Ku shkuan 1,6 milionë euro të BE-së?

540
Sigal

Projekti për regjistrimin e pasurive në JUG nuk u zbatua. Përfaqësues të OSBE-së dhe supervizori i projektit shpallen të padëshirueshëm në komunën Lukovë

Bregdetasit e Jugut të Shqipërisë kanë ende shumë pikëpyetje mbi projektin prej 1.6 milionë euro, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Zvicerane, Çeke e Greke, për regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme në Jugun e Shqipërisë, i cili nuk u zbatua. Por më e çuditshmja është se, akoma dhe sot, ata nuk kanë asnjë përgjigje zyrtare nga BE, OSBE si monitoruese e projektit, nga qeveria vendore dhe ajo qendrore. Bregdetasit pyesin dhe sot e kësaj dite se ku shkuan 1,6 milionë euro? Komuniteti Bregdetas ka humbur besimin edhe ndaj faktorëve të huaj, pasi nuk e durojnë dot fyerjen që iu bë si dhe heshtjen, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kështu që për regjistrimin fillestar të pronave në Bregdetin Jugor të Shqipërisë ata shtrojnë pyetjet: Çfarë do të bëhet, si do të bëhet, kur do të bëhet dhe kush do ta bëjë? Ata i sugjerojnë qeverisë që për kryerjen e këtij procesi të përdorin dokumentet e mbledhura në fazën e parë të këtij projekti.

Projekti

Në dhjetor të vitit 2010 me fonde të Bashkimit Europian e të Qeverive Greke, Zvicerane e Çeke, nën monitorimin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, kompania spanjolle “Trecasa” nisi projektin për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme në Himarë, Lukovë, Aliko e Xarë. Për kryerjen e regjistrimit u angazhuan kompanitë shqiptare “Lorenco e Land-co” dhe “CRCD” duke hapur zyra për informimin e pronarëve në Vlorë, Dhërmi, Himarë, Lukovë, Aliko e Xarë. Drejtori i projektit ishte z.Jack Kiffi nga ana e OSBE- së. Projekti do të realizohej në dy faza:

– Faza e parë, regjistrimi i pasurive të paluajtshme që ndodheshin në Zonën Kadastrale Urbane, pra, banesat (shtëpitë), godina e objekte ndërtimore etj., si dhe troje që rrethonin shtëpitë apo objektet publike, fazë që do të përfundonte në muajin Maj 2011.

-Faza e dytë, regjistrimi fillestar i të gjithë territorit (tokë bujqësore, kullota, pyje) duke pranuar çdo pretendim e dokument, për pronësinë. Kjo fazë do të përfundonte në muajin shtator 2011 dhe përfundimet do të jepeshin në muajin dhjetor.

Faza e parë u realizua në të gjitha zonat e programuara, duke u shoqëruar me konsultime e takime me komunitetin, publikimi dhe afishimi në çdo fshat i të dhënave të përftuara nga regjistrimi, grumbullimi i vërejtjeve etj.. Vlen të theksohet interesimi i jashtëzakonshëm i pretenduesve, jo vetëm të atyre brenda territorit të Shqipërisë, por shumica që erdhën nga diaspora (Greqi, ShBA, Itali, Australi, etj.) dhe kërkesa e vetme ishte të finalizohej sa më parë edhe faza e dytë dhe dhënia e certifikatave të pronësisë.

 Gënjeshtra e ish Ambasadorit të OSBE, Wolfarth

Por çfarë ndodhi? Faza e dytë nuk filloi në muajin qershor dhe po ashtu edhe në korrik. Madje në fund të muajit Korrik 2011, sipas pronarëve bregdetas, ish Ambasadori i OSBE Mr.Eugen Wolfarth zhvilloi dy takime në Himarë dhe në Lukovë me pushtetin vendor, me aktorët e projektit dhe me shoqërinë civile. Pati mjaft diskutime, ku u shpreh mirënjohje për punën e kryer si dhe pse nuk filloi faza e dytë (regjistrimi i tokës, kullotave etj.), duke thënë se do të fillonte në muajin shtator. Të njëjtën gjë premtoi edhe ish drejtori i projektit z.John Kiffi në Aktivin e zgjeruar të shoqatës “Bregdeti”, më 12 gusht 2011 në Dhërmi. Por, çuditërisht, sipas bregdetasve, në muajin shtator u vu re një ngadalësim deri në ndërprerje totale të punës si dhe një mungesë informacioni, madje drejtori i projektit ishte larguar.

Më datën 14 Tetor 2011, OSBE-ja, nëpërmjet znj.Nielsen, njofton se:

a-Përfundimi i regjistrimit fillestar në bregdetin jugor të Shqipërisë është një nga rekomandimet prioritare të BE-së ndaj Qeverisë Shqiptare dhe duhet të përfundojë brenda vitit 2011;

b-Për shkak të volumit të madh të punës, nivelit të konfliktit që ekziston në zonën bregdetare, OSBE-ja ka marrë vendimin taktik për të bërë regjistrimin fillestar në zonat kadastrale që përfshijnë Palasën, Gjilekun, Dhërmiun, Iliasin, Vunoin, Himarën, Pilurin, Lukovën, Nivicën, Sasajn, Fterën, Çorajt, Çukën dhe Caushin;

c-Ju sigurojmë se ky vendim nuk do të thotë që aktivitetet e regjistrimit në zonat e tjera do të harrohen,megjithëse burimi financues për fazën aktuale të këtij projekti skadon në fund të vitit 2011-ës;

d-BE-ja dhe Prezenca e OSBE-së janë të angazhuara për të vazhduar mbështetjen në arritjen e reformës së pronës;

 e-Për zgjidhjen e konfliktit ekzistues në zonën bregdetare dhe garantimin e të drejtave pronësore kërkohet asistencë e mëtejshme, prandaj kemi filluar diskutime paraprake për një projekt vijues;

 i- Problematike është regjistrimi i tokës bujqësore, që konflikti për këtë tokë vazhdon dhe përfshin disa aspekte, nuk ka një konsesus për zgjidhjen e tij, veç kësaj procedurat e Zyrës së Regjistrimit të Pronës së Paluajtshme (ZRPP) nuk ofrojnë udhëzime dhe specifikime të plota teknike për regjistrimin e kësaj toke. Projekti po diskutohet me ZRPP dhe kontraktuesin;

k-Prezenca e OSBE-së do t’ju njoftojë menjëherë;

j-Do të doja t’ju falënderoja për durimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe t’u siguroja se OSBE-ja është e vetëdijshme për rëndësinë dhe mbështetjen e këtij procesi.

Pas kësaj përgjigjeje e deri më sot nuk ka asnjë njoftim zyrtar, se çfarë u bë me të dhënat e grumbulluara për regjistrimin e banesave e trojeve (ku as ish- Ambasadori nuk dha asnjë përgjigje dy letrave të tjera të pronarëve të 2 dhe 27 Majit 2012).

 Ku shkuan 1,6 milionë euro

Bregdetasit kanë një sërë pyetjesh dhe presin përgjigje sa më shpejt nga përgjegjësit e këtij projekti: Përse projekti me një vlerë prej 1.6 milionë euro u ndërpre? Dështoi apo u sabotua? Ku vajtën 1,6 milionë euro? Për sa më sipër, lindin pyetjet e mëposhtme: Përse u largua drejtori i programit zoti Kiffi që në muajin shtator, kur projekti do të mbyllej në Dhjetor 2011? Përse u larguan kompanitë “Land e Lorenco &CO” dhe “CRCD”? Përse u bë përgjegjëse për implementimin e mëtejshëm asistentja e z.Kiffi, zonja Nielsen? Përse nxjerra e përfundimeve të projektit iu dhanë kompanisë së Edmond Lekës? Zoti Leka ishte supervizor i projektit, a nuk ishte një veprim i tillë në konflikt interesi? Kompania Leka ishte fituese e tenderit të parë, por OSBE në Vjenë e anuloi tenderin +A. Nuk ishte ky një konflikt interesi, që zoti Leka të ishte supervizor i projektit të fituar nga kompania spanjolle në tenderin e tretë? Si shpjegohet që “CRCD”, e cila bëri një punë të shkëlqyer në fazën e parë, nuk e pranoi propozimin e OSBE-së në Janar të vitit 2012 për të vazhduar projektin së bashku me z. E.Leka “Për Regjistrimin Fillestar të PP në Bregdetin Jugor të Shqipërisë”. Pasi u njoh me metodikën e propozuar prej z. E.Leka, u tërhoq nga propozimi, sepse CRCD u bind se ajo që propozohej si mënyrë zgjidhjeje, ishte një tallje për popullatën dhe Pushtetet Vendore të përfshira në projekt. Përse, pa përfunduar projekti, u largua edhe zonja Darsi Nielsen, shefe e Departamentit në OSBE? Përse u larguan pa asnjë sqarim apo informim me faktorët e interesit? Sepse Projekti dështoi? Sepse projekti u sabotua? Nga kush? Përse? Si u shpenzua buxheti i projektit? Ku është transparenca? Kush mban përgjegjësi? A u mbajt ndonjë qëndrim?  Pra, lidhur me këtë projekt dalin shumë paqartësira, ku më kryesoret janë: Asnjë interesim dhe asnjë sqarim nga shteti shqiptar, si nga ai qendror edhe ai vendor. Vetë OSBE vërtitet sikur edhe ZRPP jo vetëm që nuk e ka ndihmuar, por e ka penguar. Po ashtu dihet që kompania “Edmond Leka” e fitoi në fillim tenderin, por u s’kualifikua nga OSBE-qendrore në Vjenë, po si u vu z.Leka supervizor i projektit, duke qenë 100 % në konflikt interesi? Po si shpjegohet që përsëri në janar të vitit 2012, z. Leka i jepet përsëri projekti po nga OSBE-ja? Po si u veprua nga Kompania “Leka”?

 Shtyrja e projektit

Është fakt se OSBE së bashku me Bashkimin Europian, projektit në fjalë i dhanë edhe një hapësirë tjetër prej 13 muajsh shtyrje, duke alokuar përsëri aq fonde sa kishin mbetur pa u shpenzuar deri në fund të vitit 2011, pra, u zgjat më shumë se një vit me fondin e papërdorur, gjë që tregon se fondet nuk u dogjën. Por, gjatë vitit 2012, OSBE solli një person tjetër të huaj, zotin Çarli që zëvendësoi z.Kiffi, i cili sipas pronarëve, nuk tregoi ndonjë kompetencë, por, së bashku me z.Edmond Leka arritën deri aty sa me mosrealizimet e premtimeve të tyre pranë pushteteve vendore u shpallën edhe si “të padëshirueshëm” në Komunën Lukovë. Ai paraqiti edhe mungesë përkushtimi e motivimi për të kryer punën, përveç mungesës së profesionalizmit. Në fund të vitit 2012 rezultoi se fondi i alokuar ishte mbaruar, edhe pse nuk u krye asnjë punë. Po ku vajti ai fond? Si u shpenzua? Kush e mori? Më e keqja ishte se nuk pati asnjë llogaridhënie, por ndodhi ajo që personat të cilët ishin përfshirë në këtë program dhe ata që ishin staf i OSBE-së në Tiranë, u larguan në detyra të tjera, kryesisht jashtë vendit (Darsi Nielsen drejtoreshë departamenti që mbulonte programin e regjistrimit; zoti Çarls që zëvendësoi z. Kiffi; asistentja e projektit znj.Armenika Kondi, e cila nuk kreu asnjë detyrë). Kështu mbeti vetëm z. Edmond Leka, i cili së bashku me stafin e kompanisë së tij rimbursohej sipas kontratës çdo muaj nga OSBE-ja, paçka se nuk paraqiste asnjë produkt në lidhje me programin. Po ashtu duhet theksuar se në periudhën kohore mbi bazën e shqetësimeve që pati për avancimin e projektit, Komuna Lukovë adresoi tri letra, nga të cilat dy tek znj.Darsie Nielsen dhe një Ambasadorit të OSBE-së dhe për dijeni atij të BE-së, por asnjëherë nuk mori përgjigje, veçse në një rast një delegacion nga Tirana vajti në Lukovë për të kërkuar falje për mospërgjigjen dhe aprovoi çdo gjë që ngrihej në letër, por edhe këto u bënë vetëm në mënyrë verbale dhe pas kësaj asnjë lëvizje konkrete.