KLD rrëzon kërkesën e ministrit Naço për shkarkimin e Gjin Gjonit

70

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar kërkesën e Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për shkarkimin e gjyqtarit Gjin Gjonit. KLD ishte mbledhur prej mëngjesit të djeshëm për të shqyrtuar tetë propozime të ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për procedim ndaj gjyqtarëve, mes të cilëve është edhe Gjoni, i akuzuar për fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre nga prokuroria e Elbasanit. Kërkesa për procedimin e Gjonit, gjyqtar i Apelit Tiranë, i cili njëherazi është dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është depozituar nga Naço, rreth 2 muaj më parë. Ndërsa vetë anëtari i KLD, Gjin Gjoni e cilëson një sulm politik kërkesën e Nasip Naços për procedim ndaj tij. Sipas Gjonit asnjë prej akuzave nuk qëndron pasi nuk është zhvilluar asnjë procedurë qoftë nga ILDKP apo nga MD. “Po sulmohem politikisht në mënyrë të koordinuar për shkak të gjykimeve të mia ndaj ministrave aktualë. Po sulmohem për të më bërë presion për procese gjyqësore që ende kam në proces ndaj eksponentëve të lartë politik. Asnjë procedurë nuk është zhvilluar, qoftë nga ILDKP apo nga MD, asnjë akuzë nuk qëndron”,- është shprehur Gjoni në mbledhjen e KLD që po zhvillohet me dyer të mbyllura. Në vijim të mbledhjes Gjoni ka shtuar se çdo gjë është farsë, pasi ILDKP nuk ka bashkëpunuar me KLD apo me Prokurorinë. “Çdo burim i të ardhurave të mia dhe bashkëshortes sime janë deklaruar korrektësisht sipas ligjit. ILDKP nuk pranoi të bashkëpunonte me inspektoratin e KLD apo me prokurorinë për të vënë në dispozicion materialet provuese, kjo vërteton që çdo gjë është farsë”,-shtoi Gjoni. KLD është mbledhur prej mëngjesit të djeshëm për të shqyrtuar tetë propozime të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço për procedim ndaj gjyqtarëve, mes të cilëve është edhe Gjin Gjoni, i akuzuar për fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre. Kontrolli i Lartë i Drejtësisë ka shqyrtuar propozimet e ministrit Nasip Naço ndaj 8 gjyqtarëve. Kështu, KLD ka rrëzuar procedimin e Ministrisë së Drejtësisë për gjyqtarin Markelin Kuqja, të Gjykatës Korçë. Për gjyqtarët Shtjefën Lleshi të Gjykatës Pukë, Ilir Pashai i Gjykatës Elbasan, dhe Bujar Musta i Gjykatës Elbasan, është shtyrë shqyrtimi i procedimit disiplinor për në një seancë tjetër. Ndërsa, për gjyqtarin Andi Ymeri të Gjykatës Korçë, KLD pas shqyrtimin të procedimit disiplinor ka marrë masën vërejtje me paralajmërim.

Gjyqtarët ndaj të cilëve u shqyrtohet procedimi në KLD

Ilir Pashai, Gjykata Elbasan

Bujar Musta, Gjykata Elbasan

Andi Ymeri, Gjykata Shkodër

Shtjefën Lleshi, Gjykata Pukë

Gjin Gjoni, Gjykata e Apelit Tiranë

Klotilda Çela, Gjykata Tiranë

Ken Dhima, Gjykata Vlorë

Makelin Kuqja, Gjykata Korcë

Gjykata e Elbasanit dhe e Durrësit rrëzuan Prokurorinë për pezullimin e Gjonit

Paçka kërkesave të organit të akuzës për pezullimin e Gjin Gjonit nga funksioni i tij si gjyqtar, do të ishte si fillim gjykata e Elbasanit e më pas ajo e Durrësit që do të rrëzonte kërkesat e Prokurorisë duke i dhënë të drejtë Gjonit të vazhdonte detyrën dhe pse ndaj tij rëndojnë dy akuza të rënda. Vetë Gjoni ka mohuar publikisht akuzat e ngritura ndaj tij, si dhe ka kërkuar që të pezullohet nga KLD deri në përfundim të hetimeve.

Gjin Gjoni në akuzë për fshehje të pasurisë 2 milionë euroshe

Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjykatësi i apelit Gjin Gjoni u padit në Prokurori nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, pasi nga verifikimet e kryera ILDKP njoftoi asokohe se Gjoni kish fshehur një pasuri prej afro 2 milionë euro. Por, interesimit të medias se pse nuk ndërmerret një masë ndaj gjyqtarit Gjoni dhe pse ai ka kërkuar publikisht të pezullohej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ky Këshill deri të premten e kalua kish vendosur t’i përgjigjej me heshtje deri sa njoftoi se në mbledhjen e 7 Korrikut do të shqyrtohet procedimi ndaj Gjonit dhe 7 gjyqtarëve të tjerë.