Av. Ndue Pjetra/ Ligji për detektivin privat, një domosdoshmëri!

974
Sigal

Jemi mësuar ta shohim figurën e detektivit privat si një figurë sureale, që ekziston në vendet e tjera, por tek ne, jo. Duke filluar, që nga filmat vizatimorë me të famshmin Inspektor Gadxhet e me filmat triller si Sherlock Holmes, kurioziteti dhe habia jonë lidhur me mënyrën se si disa persona hulumtojnë dhe hetojnë lidhur me çështje të ndryshme mbetet ende si pamja e disa fëmijëve, që mrekullohen me risitë e të paimagjinueshmes. Po çfarë nënkupton termi detektiv?
Detektivi është një hulumtues, qoftë ky anëtar i agjencisë së zbatimit të ligjit, ose një individ privat. Më parë termi “detektiv” përdorej për të përcaktuar një hulumtues privat ose siç quhej ndryshe “Private eyes” (përshtatur: syri privat).
Në terma të thjeshtë, dhe kryesisht në letërsi apo në filmat triller, një detektiv është çdo person i licencuar ose jo, që zgjidh krimet, duke përfshirë këtu ato të kaluara ose që këqyr regjistrat apo të dhënat e regjistruara. Në disa departamente policie, pozicioni i detektivit nuk është i përcaktuar. Është një pozicion, i cili arrihet nëpërmjet një testi me shkrim, pasi personi ka plotësuar kriteret për të qenë një oficer policie. Gjithsesi, në vende të ndryshme, procedurat e kualifikimit për detektivë ndryshojnë. Në Shqipëri, që nga koha e komunizmit e deri më sot, pavarësisht se në mënyra krejtësisht të ndryshme funksionimi jemi njohur vetëm me të ashtuquajturit agjentë sekretë, të cilët informojnë. Informojnë instancat përkatëse, lidhur me të dyshuar, të cilët aludohet se kryejnë veprime të jashtëligjshme. E megjithatë, se sa të besueshëm dhe se sa profesionalë janë këta agjentë, kjo është një çështje tjetër.
Ne si “Shoqatë e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare” jemi të mendimit se në Shqipëri ka ardhur koha, që vendosja e një ligji për profesionin e detektivit privat, mund të konsiderohet si një domosdoshmëri.
Hetimi, lidhur me një vepër penale është ende në një fazë fillestare. Në fund të fundit, prokurori përpiqet të marrë një vendim, lidhur me provat që mund të mbledhë në mënyrë automatike; ekspertiza ligjore mundohet të kryejë funksionin e saj në mënyrë automatike dhe kaq. Krijohet një pseudo – analizë hetuese, në rastin më të mire. Por sa efikase dhe sa hulumtues është ky hetim, që kryhet? Ky mbetet ende në kornizat e një dyshimi.
Detektivi është ai person i licencuar, i cili ka tagër dhe aftësi të hetojë dhe të hulumtojë, kryesisht për një vepër penale. Nëpërmjet hetimeve paraprake dhe analizës së hollë, ku shqyrtohet dhe analizohet çdo detaj, arrihet në një konkluzion më të saktë dhe mjaft të konsoliduar, lidhur me arsyen dhe autorin e kryerjes së një vepre penale.
“Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare” e konsideron vendosjen e një ligji për detektivin privat, si një domosdoshmëri, për arritjen e një hetimi gati në perfeksion, duke eliminuar fajësinë e të pafajshmëve, dhe duke fajësuar autorin e vërtetë të një vepre penale. Ky ligj do të ndihmonte hetimet e oficerëve të policisë gjyqësore dhe të prokurorisë. Por nga ana tjetër do të ishte një shpenzim më pak për pagesat e atyre të ashtuquajturve “agjentë”, të cilët paguhen nga taksapaguesit dhe e vetmja gjë që bëjnë është të denoncojnë dhe fajësojnë të pafajshëm në shumicën e rasteve, edhe pse nuk kanë asnjë provë konkrete fajësie. Ka ardhur koha, që shteti shqiptar të avancojë. Jemi të vetëdijshëm, që kodet tona ligjore janë si një copy-paste i kodeve të shteteve të tjera si Italia, Franca etj. Nuk i fajësojmë sepse për kohën kur janë ideuar ka qenë e vetmja zgjidhje. Ajo çfarë na ngelet ne është ta përshtatim legjislacionin botëror në përgjithësi me rrethanat në të cilat ndodhet shoqëria jonë, dhe të marrim pjesën më të mirë të tyre, për ta përshtatur me kushtet tona.
E megjithatë, figura e detektivit nuk mbetet vetëm në kornizat e një detektivi privat, që hulumton lidhur me vepra penale. Ka edhe detektivë pranë komisariateve të policisë apo detektivë, që merren me çështje civile apo administrative. Roli i detektivit privat në Shqipëri është një domosdoshmëri për aktualitetin shqiptar, i cili do të ishte një avancim në përsosjen e legjislacionit dhe vendosjes së drejtësisë në vend. Ajo çfarë duhet theksuar është, që nga ana e “Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare”, është ideuar një projektligj dhe po përgatitet projekti përfundimtar për ta kaluar për diskutim këtë çështje. Mbetet vetëm një konfirmim dhe një përgjigje pozitive nga instancat kompetente për ta shqyrtuar dhe për ta marrë në konsideratë si një çështje të rëndësishme. Nëse duam të luftojmë korrupsionin dhe të punojmë të gjithë për avancimin e ligjit, nuk mjaftojnë vetëm institucionet shtetërore, por edhe opinioni publik, shoqëria civile dhe shoqata serioze dhe të preokupuara si e jona lidhur me çështjet e drejtësisë në Shqipëri.