Dita Ndërkombëtare Rome, Ilir Meta merr pjesë në aktivitetin “Fëmijët bisedojnë me politikanët”

406
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta morri pjesë në aktivitetin “Fëmijët bisedojnë me politikanët” që Kuvendi i Shqipërisë organizoi në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Rome. Ky aktivitet, që u mbajt në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA, Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare, YËCA, Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si edhe me mbështetjen e UNICEF. Në takim ishin ftuar edhe deputetë nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, nën/komisioni i të Drejtave të Njeriut dhe nën/komisioni i të Miturve, barazisë gjinore dhe dhunës në familje, si edhe përfaqësues nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit e Sportit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, etj.. Kryetari i Kuvendit ka bashkëbiseduar me fëmijët e komunitetit rom të pranishëm dhe u është përgjigjur pyetje të ndryshme që ata i drejtonin. Gjatë bashkëbisedimit me z. Meta, fëmijët kanë ndarë shqetësimet mbi problematikat, si edhe rastet e suksesit të integrimit të komunitetit rom në shoqëri. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit ka vizituar edhe një ekspozitë me foto dhe piktura të realizuar nga fëmijët e këtij komuniteti. Ndërkaq, një grup me përfaqësues nga komuniteti rom kanë vizituar sallën e seancave plenare, ku janë shoqëruar nga punonjës të Kuvendit të Shqipërisë. Ata kanë drejtuar pyetje dhe janë interesuar për mënyrën e funksionimit të seancave plenare, si duhet vepruar për të ndjekur punimet e parlamentit dhe punimet e komisioneve parlamentare, etj. Gjithashtu, nga përfaqësuesit e komunitetit rom u lexua edhe një letër e hapur që i drejtohej Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erjon Veliaj. Në këtë letër ata shprehnin shqetësimet, me të cilat përballet komunitetit rom dhe kërkonin zgjidhjen e disa prej çështjeve më akute, siç janë shkollimi dhe regjistrimi i fëmijëve në gjendje civile e deri te trajtimi shëndetësor, mbështetje me psikologë këshillimorë e rikonstruksioni i shtëpive të amortizuara. Përveç kësaj, ata propozuan që në tekstet shkollore të përfshihet edhe historia e komunitetit rom.