Andrea Çupa: Në Sarajet e Qeverive është kanceri, oktapodi në Pallatin e Drejtësisë janë shtrirë metastazat, tentakulat

642
Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë
– Në diktaturë kryetari i Partisë të pushkatonte fizikisht, sot të pushkaton politikisht dhe ekonomikisht, gazetarët tigra i kthen në dele 
– Kur nuk funksionon vota e lirë, zgjedhjet e lira në partitë politike, nuk ka sesi të funksionojë ajo në zgjedhjet parlamentare, lokale e referendume! 
Koncepti i qeverisjes është shumë më i gjerë se qeveria. Për këtë arsye qeveria mund të shihet si një nga institucionet kryesore qendrore të qeverisjes, pasi mban peshën kryesore të saj (qeverisjen). Pra, funksionet qendrore të qeverisjes janë: të bëjë ligjet (legjislacioni), të zbatoj ligjet (ekzekutimi) dhe të interpretoj ligjet (gjykimi). Në këtë vështrim, nëse qeverisja është e suksesshme, meritën kryesore e ka pa diskutim qeveria, por nëse qeverisja është e dështuar përgjegjësinë e ka po qeveria. Për shkak të trashëgimisë të së shkuarës komuniste, demokracitë e reja të lindjes, ku futet dhe Shqipëria, klasifikohen si gjysmë-demokraci. Nëse Shqipëria është gjysmë demokraci apo është katandisur një çerek demokraci, kjo mbetet për tu analizuar. Mendoj se ky vend me sa duket dhe analizohet, për mbi 25 vjet po vuan zinxhirin e së keqes në rritje. Krimin dhe korrupsionin, mafien dhe drogën, skamjen dhe mjerimin dhe po kalbet nga indiferentizmi intelektual. Gjendja është më e rëndë se sa duket. Oligarkia e organizuar, më e organizuar se vetë liria, nuk tregon asnjë shqetësim, kur ka pllakosur heshtja e varrit, në një shoqëri të nënshtruar pa kushte, një shoqëri në reanimacion, ku ka humbur besimi dhe shpresa

Pyetja shtrohet: Kush janë përgjegjësit kryesorë për këtë gjendje??
Dihet se dëshmia dhe përgjegjësia bëhen dhe mbahen në mënyrë individuale. Të deklarosh hapur radhazi, me mllef, pasion, arrogancë dhe cinizëm se: “Pushteti Gjyqësor (drejtësia) është më i korruptuari në Evropë, është kanceri…, do të thotë ti hedhësh hi syve shoqërisë dhe popullit, të mashtrosh për të mos mbajtur vetë përgjegjësinë kryesore për gjendjen. Kush është përgjegjësi kryesor në këto 27 vjet, që më shumë se 14 procese zgjedhore kanë qenë të kontestuara, janë vjedhur dhe blerë? Përgjigja: Pushteti ekzekutiv me në krye shefin e ekzekutivit. Kush i ka shkaktuar krizat politike dhe sociale (e ’90 dhe ’97), ngjarjet e dhunshme, shumë të rënda, ajo e ’98 dhe ajo e 21 Janarit 2011? Kush përgjigjet për mbulimin me drogë të të gjithë territorit të Republikës? Kush përgjigjet që po e “çmend”, e mbyt Evropën me drogë? Kush përgjigjet për zhdukjen e 1300 kontejnerëve me mbetje kimike? Kush i ka futur kriminelët, të korruptuarit, injorantët në Parlament dhe në Qeveri? Kush është përgjegjës për shpërthimin e Gërdecit? Kush është përgjegjësi kryesor për shkatërrimin masiv, ndotjen e Komunës Zharrëz, në Fier? Kush është përgjegjësi kryesor për grabitjen e pasurisë kombëtare? Kush është përgjegjësi kryesor për koncesionet dhe tenderët e paligjshëm? Kush është përgjegjësi kryesor për masakrën urbane e në pyje? Kush është përgjegjësi kryesor për masakrën e gjirit të Durrësit? Kush është përgjegjësi kryesor për reformën e dështuar arsimore e shëndetësore? Kush është përgjegjësi kryesor për prishjen e programit të doktoraturave me tematikë elitare në dobi të integrimit dhe zhvillimit strategjik? Kush është përgjegjësi për shkatërrimin e Këshillit të profesorëve në Akademinë Ushtarake të FA? Kush është përgjegjësi kryesor që në Shqipëri qarkullojnë mbi 11 mijë diploma fallso? Kush është përgjegjësi kryesor për emigrimin masiv të rinisë nga Shqipëria? Kush përgjigjet që korrupsioni është përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes sipas DASH? Nga kush dhe përse kanë frikë prokurorët dhe hetuesit që nuk hetojnë zyrtarët e lartë? Kush i bëri presion në zyrë Prokurorit të Përgjithshëm? Kush përgjigjet që hetohen vetëm zyrtarët e ultë, pse jo të pafajshëm dhe të pambrojturit? Kush është përgjegjësi kryesor i vjedhjes së thesarit në Kërrabë të Tiranës (vjedhja e floririt)? Kush përgjigjet që partitë politike funksionojnë me metoda totalitare (në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e RSH)? Kush është përgjegjësi kryesor për mjerimin, papunësinë, krimin, pasigurinë në Shqipëri? Kush e ka vene në rresht dhe e komandon me dorë të hekurt parlamentin? Kush firmos VKM pa prezencën e Këshillit të Ministrave? Kush e ka shkatërruar drejtësinë? Kush është përgjegjësi kryesor, për faturën qindra milionëshe, “dhënë nga buxheti i shtetit, nëpunësve të larguar pa ligj nga puna? Kush është përgjegjësi kryesor, që Shqipëria po rrëshqet gjithnjë e më shumë drejt totalitarizmit, drejt sistemit të modelit Putin dhe Erdogan? Kush është përgjegjësi kryesor që me ligj, pakica vjedh shumicën dhe njëri vjedh tjetrin? Kush është përgjegjësi kryesor që me ligj lejohet vjedhja dhe abuzimi? Do të vijonim pa fund me pyetjet Kush? Kush? Kush?Me vendosmëri, këmbëngulje, zell të themi të vërtetën. Është pushteti ekzekutiv, më i korruptuar në Shqipëri dhe në Evropë, jo Gjyqësori! Natyrisht që është pushteti gjyqësor, stacioni i fundit ku jepet drejtësi dhe, absolutisht ka gjynahet e veta, por pas ekzekutiv-legjislativit. Drejtësia është trashëgimia më e çuar e një kombi dhe ndjeshmëria ndaj saj është shumë e lartë. I dhimbshëm është mjerimi, por nuk ka më të dhimbshme se padrejtësia për një popull! Me këtë ndjeshmëri kërkon të manipulojë opinionin publik pushteti i ekzekutivit. Logjika të çon në përfundimin se, është ekzekutivi, që në këto 27 vjet ka prodhuar me shumicë, radhazi padrejtësi, duke mos dhënë vet drejtësi dhe, kjo padrejtësi masive ka përfunduar tek pushteti gjyqësor, si stacioni i fundit ku jepet drejtësi. Aktualisht vendi është në një krizë politike dhe institucionale, në rritje e cila pranohet nga palët, në një krizë besimi të popullit tek klasa politike dhe, një mosbesim i hapur të të tre forcave kryesore politike, të liderëve të tyre tek njeri tjetri. Alternativa më e mundshme e zgjidhjes përderisa pranohet kriza nga palët do të ishte një qeveri kombëtare, një koalicion i madh ku të përfshihen të gjitha partitë kryesore, që mund të emërtohet Qeveri Teknike, Qeveria e Besimit, etj, natyrisht me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Doktrina e shkencave politike në demokracitë liberale perëndimore mëson se kur ka kriza zgjidhja është zakonisht qeveri kombëtare me një koalicion të gjerë. Ajo që ka rëndësi vendimtare për vendin është se: a do të mundet klasa politike e majta, sallakja e majtë, e djathta) të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme? A do të mundet të bëjë shtet? A do mundet të bëjë Republikë të Re?

Çfarë kërkojmë për zgjidhje në proces:
Së pari, vënia në veprim e institucionit të dëgjimit të njerëzve, në veçanti, specialistëve, ekspertëve me përvojë të të gjitha fushave, etj. E drejta për të folur është fillimi i lirisë, por nevoja për të dëgjuar është ajo që i jep shumë rëndësi kësaj të drejte. Klasa politike duhet të dëgjojë, se tek njerëzit e zakonshëm ka mundësi të jashtëzakonshme, ka mendim progresiv. Tek arroganca ka vetëm hipokrizi dhe nuk ecet përpara, siç vijon të ndodh aktualisht;

Së dyti, Reforma në drejtësi si prioriteti kryesor strategjik, kusht i vendosur ndaj politikës shqiptare nga ndërkombëtarët dhe i pranuar nga politika progresive dhe shoqëria shqiptare. Zvarritja e saj pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, në thelb tregon se ne nuk kemi kaluar dot nga sistemi i partisë shtet, apo shteti i partisë, në sistemin e shtetit ligjor të së drejtës;.

Së treti, reformimi i sistemit politik. Kufizimi i pushtetit të Kryetarit të partisë politike, shefit të ekzekutivit (Kryeministrit) me dy mandate 4 vjeçare e sanksionuar me ligj. Një nga parimet themelore të demokracisë që dallon dhe ndan sistemin demokratik nga sistemi totalitar. Sistemin e shtetit ligjor të së drejtës, nga sistemi i partisë shtet (diktaturës), është kufizimi i pushtetit. Ky parim duhet të implementohet me ligj në të gjitha nivelet e larta të të tre pushteteve. Dihet se nga partia apo partitë politike që fitojnë zgjedhjet burojnë pushtetet, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Ajo (partia) konsiderohet në teorinë politike si element kryesor i sigurimit të pushtetit. Aty është burimi i pushtetit dhe aty duhet të filloj zgjidhja e gjendjes aktuale. Arsyetimi racional të çon në përfundimin logjik se: kufizimi i pushtetit të shefit të ekzekutivit (Kryeministrit) me dy mandate 4 vjeçare sjell ndarjen reale, balancimin dhe pavarësinë e tre pushteteve. Ne duhet që nëpërmjet ligjit, teknologjisë moderne institucionale, ti presim tentakulat, kthetrat e ekzekutivit që janë shtrirë në pushtetet e tjera. (parlamentin, gjyqësorin, presidencën, institucionet e pavarura, median).

Së katërti, reforma zgjedhore, çështje madhore e pa zgjidhur në këto 27 vjet, e thellë dhe e gjerë, është prioriteti i rëndësishëm strategjik, si pjesë themelore e reformës në drejtësi, për të mundësuar zgjedhje të lira të drejta dhe të ndershme, si zemra e procesit politik. Në qendër të këtij koncepti qëndron parimi i përfaqësimit real të qytetarëve. Reforma zgjedhore duhet të shtrihet në të gjithë shoqërinë e organizuar dhe jo vetëm për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe referendume. Duhet të përfshijë partitë politike dhe organizata shoqërisë civile, etj. Të pretendosh se me reformën zgjedhore të radhës vetëm për zgjedhje parlamentare, lokale e referendume, zgjidhet problemi madhor për të cilën opozita proteston, pa zgjidhur atë të votës së lirë në partitë politike dhe në të gjithë shoqërinë e organizuar, është si të kërkosh të kthesh një vezë të zier në të pazier. Në këto 27 vjet partitë politike (të mëdha dhe të vogla) nuk kanë zhvilluar brenda tyre zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, që është themeli i demokracisë, nuk ka funksionuar vota e lirë. Ky fenomen është në të gjithë shoqërinë civile ku absolutisht nuk funksionon vota e lirë. (PS nuk zhvillon zgjedhje. Kryetari aktual ja mori me puç partin paraardhësit të tij dhe e mënjanojë; vijon të mos bëjë zgjedhje brenda partisë dhe përjashton këdo që mendon dhe vepron ndryshe. Në diktaturë kryetari i Partisë të pushkatonte fizikisht, sot të pushkaton politikisht dhe ekonomikisht, gazetarët tigra i kthen në dele. Partia Demokratike zhvilloi vetëm njëherë zgjedhje, por që u përfolën brenda saj. Kryetarët e partive të vogla, PSD e Gjinushit, PR e Mediut, PDS e Milos, Partia e Starovës, Partia e Ngjelës, Partia e Shehit, LSI e Metës, Partia e Idajet Beqirit, Partia e Dules, etj, janë kthyer në sekte politike, që nuk kanë asnjë lidhje me parimet e demokracisë liberale. Kryetarët e tyre kanë mbi 20 vjet prijësa dhe i përdorin ato (partitë) si biznesin pa taksa në politikë. Kur nuk funksionon vota e lirë, zgjedhjet e lira në partitë politike, nuk ka sesi të funksionojë ajo në zgjedhjet parlamentare, lokale e referendume!Këtu kemi të bëjmë me shkelje flagrante të nenit 9 të Kushtetutës në mënyrë masive dhe në sistem prej 25 vjetësh dhe, askush nuk flet! Organizimi i tyre (Partive) nuk përputhet me parimet demokratike. Veprimtaria e partive aktuale mbështetet në metoda totalitare, nuk bëjnë zgjedhje të lira që janë themeli i demokracisë, nuk zbatojnë parimin e rotacionit, nuk funksionon parimi i kufizimit të pushtetit, etj. Kushtetuta nuk lejon veprimtari të partive që mbështeten në metoda totalitare, ashtu nuk lejon shtyrjen e zgjedhjeve!! Neni 18 i Kushtetutës “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.Mendoj se duhet të implementohet me ligj modeli i procesit zgjedhor i SHBA-ve, ku vota e lirë vlerësohet dhe numërohet me një standard, si në konkurrimin brenda partive ashtu edhe ndërmjet kandidatëve të majtë dhe të djathtë për President (shefi i Ekzekutivit), i cili i ka të përcaktuara me Kushtetutë kufizimin e pushtetit (kufizimi i mandatit), kriterin e moshës që duhet të ketë mbushur moshën 40 vjeç, kohën e lindjes dhe të qëndrimit në SHBA.

Së pesti, pastrimi i legjislacionit nga ligjet dhe aktet nënligjore që lejojnë vjedhjen, grabitjen dhe abuzimin me ligj. Ne hasim sot ligje të shtrembëruara, boshllëqe, zgavra në to dhe, forcën e institucioneve të shtetit të deformuara bashkë me to. Konstatojmë ligje, akte nënligjore, pse jo edhe vendime gjykatash, që janë bashkautor në padrejtësi. Tek ne, ligji ka vendosur forcën kolektive në dispozicion të një grupi njerëzish të paskrupullt, oligark, ka shndërruar plaçkitjen, vjedhjen, abuzimin diçka normale, ka shndërruar mbrojtjen ligjore në krim. Ka prova dhe fakte që vërtetojnë fenomenin e frikshëm të rritjes së vjedhjes me ligj. Në një shoqëri nuk mund të ketë të keqe më të madhe se sa shndërrimi i ligjit në instrument grabitje dhe abuzimi. Fenomenet që pakica grabit shumicën, secili grabit tjetrin, janë më prezent. Mendoj që, sistemi ligjor, zinxhiri i reformës ligjore, duhet të implementojë idenë madhore, strategjinë afatgjate që: Askush të mos grabis askënd, të mos vjedh askënd. Askush të mos abuzoj me askënd. Ky është parimi i drejtësisë, i paqes, i rendit, i stabilitetit, i harmonisë. Qëllimi i reformës ligjore duhet të kërkohet të jetë që ajo të pengojë në maksimumin e mundshëm mbërritjen e padrejtësisë. Kështu ne do të vlerësojmë dhe vendosim në proces drejtësinë si trashëgimia më e çmuar e shoqërisë njerëzore. 

Së gjashti, duhet të sanksionohet me ligj që “vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë, marrja pjesë në procesin e votimit (hedhja e votës në kutinë e votimit), është detyrim ligjor për demokracinë dhe shoqërinë e organizuar. E drejta e votës nuk ushtrohet vetëm për vete, por edhe për secilin, për të gjithë ata që nuk marrin pjesë në votime për arsye të moshës, etj. Perëndimit i janë dashur mijëra vjet që të arrijë në lirinë dhe të drejtën politike që çdo shtetas ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Fjala është për votim të përgjithshëm që do të thotë votim i përgjithshëm i të aftëve. Pjesëmarrjen e detyruar me ligj në zgjedhje, në votime, e kanë shumë shtete demokratike, si Italia, Belgjika, Norvegjia, Australia, Greqia, etj. Dihet se mafia dhe partitë e mëdha në Shqipëri, janë të interesuara që pjesëmarrja në votime të jetë sa më e vogël, pasi vidhen dhe manipulohen më lehtë. Është fatkeqësi që, nga 4426963 votues shqiptar me të drejtë vote (brenda dhe jashtë vendit), që ka aktualisht Shqipëria, të pranojmë një pushtet me 23% të votave të të gjithë shqiptarëve! Në këtë rast nuk ka votë popullore por votat e një pakice militantësh dhe të blerësh.

Së shtati, kërkohet që parlamenti i Shqipërisë të përbëhet nga 100 deputet të zgjedhur direkt nga populli. Për këtë vend kaq të varfër është luks të mbahen 140 deputet. Shkurtimi i numrit të deputetëve do të ndikonte në rritjen e cilësisë së kuvendit, në vendin ku duhet të flitet me mend “Parla-mente”. Nëse lidershipi politik vizionar është i rrallë, që i mungon Shqipërisë, lidershipi ligjvënës, vizionar është akoma më i rrallë dhe, pushtetari duhet të ndjekë modelin që krijon ligjvënësi. Ukraina me afro 45 milion banor ka një parlament me 120 deputet, Italia tentoi që senatin me 300 veta ta bënte me 100 veta, shembuj këto që tregojnë se numri i deputetëve duhet dhe mund të shkurtohet. Ideja që Presidenti i Republikës të zgjidhet direkt nga populli, është shumë herë më i drejtë, më demokratik se modeli ekzistues. Politikan dhe intelektual progresiv e kanë artikuluar dhe argumentuar shpesh herë këtë ide. Mendoj se këtë e mbështesin shumica e shqiptarëve, pasi kjo do të na jepte një President të fortë dhe të pavarur, që do të përfaqësonte realisht unitetin e popullit, do të ishte pjesë e rëndësishme e qeverisjes e cila bazohet në ndarjen dhe balancimin real të pushteteve. 

Së teti, reformimi dhe shkurtimi i administratës së shtetit. Le t’i referohemi Ligjit nr.152/2013 “Për nëpunësin civil” që është propaganduar si ligj i mirë. Këtij ligji i mungon neni kryesor, koha e qëndrimit në një pozicion pune, afatet. Nuk përcakton se kur nëpunësit civil i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas kohës së qëndrimit në një pozicion pune dhe për të fituar pozicionin pasardhës. Për rrjedhojë ne kemi fenomenin masiv në këto 25 vjet, që deputet, kryeministra, ministra, kryetar bashkie, në pozicione të larta drejtuese e vendimmarrëse, kanë bërë guidë militantë 25-30 vjeçarë, pa përvojë, pa librezë pune, pse jo edhe të paaftë, mediokër dhe injorantë. Nuk ka të keqe më të madhe se injoranca në pushtet. Kërkohet që të zbatohet kriteri që arsimimi, kualifikimi, karriera dhe mosha të ecin paralel, shkallë-shkallë. Në vijim të logjikës arsyetuese, ne kemi ligjin nr.59/2014 “Për karrierën ushtarake” në FA-të RSH, një nëntoger në moshën 20-25 vjeç do t’i duheshin 34 vite punë dhe karriere të suksesshme që të bëhej “Gjeneral Lejtnant”. Sipas ligjit nr.108/2014 “Për policinë e shtetit”, një punonjësi policie me gradën fillestar “inspektor”, do t’i duheshin 22 vite pune dhe karriere të suksesshme që të bëhet “Drejtues Madhor”. Një gjyqtari që të zgjidhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, përveç kritereve të tjera, do ti duheshin 15 vjet përvojë pune të suksesshme. Për tu zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Lartë përveç kritereve të tjera, do të duhej të paktën 13 vite përvojë pune të suksesshme në profesion. Për tu zgjedhur prokuror i përgjithshëm do të duhej të paktën 15 vjet përvojë pune të suksesshme, krahas kritereve të tjera. Ju sjellim në vëmendje thënien e një politikani gjerman: “Do të pranohej ministër edhe një 25 vjeçar me kusht që të kishte 20 vjet përvojë pune”.

Së nënti, kërkohet një lidership progresiv që të përgatisë një program modern të përgjithshëm zhvillimi politik, ekonomik, social dhe kulturor, mbi bazën e një strukture, që është metodë analitike, që merr si pikënisje kuptimin e realitetit njerëzor, si një tërësi elementesh të përmbajtjes dhe të formës, me qëllim që të lidh elementet e fushave të zhvillimit me të tërën. Duhet një “Program Marshall” që mungon. Është ligj i zhvillimit universal koncepti modern: Objektivi, strategjia, taktika (projekti detajuar). Ka 25 vjet që bëhet propagandë dhe demagogji me Programe Rrumpalla, pa vlerë, që nuk i lexon askush.

Së dhjeti, të rikonsiderohen objektivat themelore strategjike të zhvillimit të gjithanshëm të vendit. Forcimi dhe konsolidimi i shtetit ligjor të së drejtës, kryeobjektivi themelor strategjik i zhvillimit; zhvillimi me ritme të shpejta të ekonomisë (sociale) të tregut, si ekonomi e qëndrueshme, rritja e mirëqenies së popullit në proces, siguria kombëtare, forcimi dhe konsolidimi në proces i demokracisë politike, ekonomike dhe social moderne, bashkimi kombëtar në proces, aspirata shekullore e popullit shqiptar, si një proces i pakthyeshëm nën frymën e Preambulës së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me konceptin modern të Bashkimit Evropian. Për të arritur në proces këto objektiva madhore, kërkohet të konceptohet, formulohet strategjia e përgjithshme (vizioni i përgjithshëm) e zhvillimit politik, ekonomik, social dhe kulturor të vendit. (nuk ka të publikuar). Pa një vizion (strategji) deri profetik, një komb shkon drejt shuarjes.

Së njëmbëdhjeti, Ashpërsimi i ligjeve, ndëshkimi ligjor, dënimet fikseetj. Kjo është një çështje madhore e pa zgjidhur në këto 27 vjet, për të cilën korpusi i gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, profesorëve, lektorëve të drejtësisë, nëpunës të nivelit të lartë në fushën e së drejtës ose në sferat e tjera të së drejtës duhet të thonë fjalën e tyre me kompetencë dhe kurajë. Konstatojmë se kriminelët potencial të lidhur edhe me politikën, vrasin për motive plaçkitje e motive të tjera dhe , me paratë e shumta që fitojnë, korruptojnë, blejnë ministrin, prokurorin, gjyqtarin, drejtuesin e burgut, nëpunësit e shtetit. Ky është një motiv i mjaftueshëm që këtij “biznesi” po i rritet numri. Konstatohet duke lexuar në shtyp, dëgjuar në radio e televizione se u kap një kriminel i dënuar “y” herë për vrasje!! U lirua nga burgu një vrasës i shumëfishtë,!! Shtrohet një pyetje “heretike” “ sikur “x” të ishte dënuar me vdekje për krimin e parë, a do të kishte ndodhur krimi i dytë, i tretë etj”? Atëherë përse të jemi “human”, të butë, ndaj kriminelëve të rrezikshëm që marrin jetë njerëzish dhe largohen në drejtim të “paditur”? Ligjet tona janë shumë të buta. Për një shoqëri ende të egër si kjo e jona, ligjet e buta janë vetë nxitja e krimit, janë traseja e së keqes. Përvoja historike mëson se dhënia e dënime të buta, për mëshirë të tepruar, kanë lejuar lindjen e çrregullimeve prej ku kanë marrë hov të papërmbajtshëm vrasjet, grabitjet, etj. Mendoj se psikologjia, karakteri, mentaliteti, forca zakonore, niveli i kulturës dhe ekonomisë, faktor të tjerë të brendshëm dhe të jashtëm, janë formuar në proces për mijëra vjet dhe se shoqëria shqiptare duhet të përfshihet në studimin dhe diskutimin “heretik” të ndaluar, për rikthimin e dënimit kapital (me vdekje që shumë shtete të SHBA e kanë?) për një kategori të caktuar të veprave penale. Me durim zell dhe këmbëngulje, nëpërmjet mbështetjes së shoqërisë dhe negociatave në proces me SHBA, të kthejmë për një periudhë kohe dënimin kapital. Psikologjia dhe tradita e shqiptarëve është formuar në mijëra vjet me dënimin kapital (me vdekje) dhe, kalimi me një herë tek burgimi i përjetshëm nuk ka pasur efekt në këto 27 vjet.
Sigal