Përparim Halili: Shtetarët gallatë në facebook. Shpenzimet e helikopterit më të mëdha se pakot me ndima

484
Sigal

Shpenzimet për të dërguar ushqime e pajisje në zonat e bllokuara, rezulton 5 herë më e madhe se vlera e ndihmave

Në muajt e verës shtetarët bëjnë gallatë në “Facebook”, në dimër ua hedhin bukën me helikopter

Këto dimri të ashpër me dëborë e ngrica, që kanë izoluar jo vetëm zonat malore në Veri e Veri-Lindje, në Jug-lindje, por edhe qytetet dhe qendrat e njësive administrative, shikojmë ekranet e TV-ve që transmetojnë kronika në të cilat tamam si në “video-klipe” shfaqen shtetarë me “veshje si populli”, duke u hipur helikopterëve, madje të shoqëruar edhe me gazetarë të medieve të “oborrit të Rilindjes” dhe nisen drejt zonave izoluara nga dimri, për t’u çuar pako me ndihma ushqimore, veshmbathje e pajisje të tjera që janë nevojë emergjente minimale në këto ditë të acarta dimri! Duke parë këto “videoklipe” me përmbajte demagogjie shtetërore të ministrave e deputetëve të zonave, pamje që tregojnë shpërfilljen ndaj sigurisë së jetës dhe mbijetesës ekonomike e shëndetësore të banorëve të zonave, shtrohet pyetja: Përse shteti vepron tani, që zonat janë bllokuar nga dimri me afro 1 metër dëborë, duke bërë edhe show ekraneve të televizioneve të blera, gjoja sikur i “digjet barku” për banorët e bllokuar e në varfëri ekstreme?

Në muajt e Verës bëjnë gallatë në “FB”, në dimër ua hedhin bukën me helikopter

Buka, batanijet, rrobat e përdoruara të markës “Gabi” dhe disa pako me ilaçe, të cilat thuhet se janë të skaduar, po u hidhen banorëve tani në dimër nga ajri, sepse shteti nuk krijon rezerva në stinët e verës e pranverës! Konkretisht, mbi fshatrat e bllokuar në Kukës, Mirditë, Lezhë, Shkodër Malësi e Madhe, Pukë, Dibër, Bulqizë, Burrel, Korçë e Librazhd, po fluturojnë helikopterë të mbushur me pako ushqimore, të cilët para se nisen nga Tirana, filmohen bashkë me ministrat dhe pakot e ndihmave ende pa u ngarkuar, për të krijuar imazh fals për gjoja “kujdesin e qeverisë” ndaj popullatës së bllokuar prej dimrit. Se sa dhe çfarë ushqimesh, veshjesh e ilaçesh u hidhen banorëve nga ajri, kjo është për t’u verifikuar nga organet e hetimore të anti-krimit ekonomik e njerëzor. Sot, po flasim për skandalin që zonat e bllokuara janë lënë pa rezerva shtetërore ushqimore për raste e situata emergjencash, ndërkohë që këto rezerva duheshin krijuar pa nisur dimri! Në të 12 qarqet e vendit, ka qendra shtetërore me depo të shumta e gjigante për rezervat, por ato janë bosh, ose kanë disa pako e thasë ushqimesh dhe pajisje të tjera të sekuestruara nga bizneset dhe bota e krimit ekonomik, të cilat shiten në treg të lirë me ankande! Përse nuk mbushen këto depo qysh në muajt prill-shtator, me ushqime dhe pajisje të domosdoshme për mbijetesë e siguri jete të njerëzve. Kjo duhet bërë sepse e detyron edhe ligji për emergjencat civile, sipas të cilit duhen marrë masat e plota për të përballuar rastet dhe situatat e emergjencave të dimrit, përmbytjeve, tërmeteve, zjarreve, rrëshqitjeve të qendrave të banuara! Sepse ndryshe, ndodh siç ka ndodhur në çdo rast emergjencash e siç po ndodh edhe në këto ditë dimri të ashpër, që në muajt e verës shtetarët bëjnë gallatë në “Facebook”, ndërsa në dimër ua hedhin bukën njerëzve me helikopter si në Siri, Irak e Afganistan ku bëhet luftë me “ISIS”! Sepse ndodh, si në këtë emergjencë mbijetese ekonomike e njerëzore, që “helikopterët e propagandës” së ministrave nuk po hedhin dot bukë, ujë, dyshekë e veshje as nga ajri, mbasi mjegulla dhe dëbora kanë mbuluar qendrat e banuara! Sipas informacioneve që kanë ardhur në “Telegraf”, mësohet skandal-turpi, që shteti nuk ka në depot e rezervave të tij asnjë kokërr fasule, asnjë kokërr oriz, asnjë “dorë” miell e kripë, asnjë bidon ujë, asnjë palë pantallona, asnjë pelerinë plasmasi, asnjë palë çizme e asnjë pako aspirina për t’ua dhënë banorëve të zonave të bllokuara në këto ditë krize ekonomike dhe rreziku për jetën!