Ku kanë shkuar 2,1 miliardë dollarët e shëndetësisë?

536
Sigal

32,1 milionë euro të tjera për shëndetësinë, Banka Botërore: Lehtësojmë të varfrit. Pagesat nën dorë, të zakonshme për spitalet publike

Mbi 2,1 miliardë dollarë ka përfituar vendi ynë që prej anëtarësimit të Shqipërisë në Bankën Botërore (BB) në vitin 1991. Pas këtij bilanci, të bërë nga BB, shëndetësia, së paku, nuk duhej të kishte këto problematika që ka sot. Gjithë këto projekte, të zbatuara nga qeveritë shqiptare përgjatë këtyre viteve, duhej të kishin lënë shenjën e tyre, duke përmirësuar dukshëm sistemin shëndetësor. Nëse kjo shumë marramendëse do të ishte investuar në 10 spitale në vend (210 milionë dollarë për çdo spital), sot shqiptarët do të merrnin një shërbim shëndetësor model nga spitale model, ku nuk do të mungonte asgjë. Porse, edhe një tjetër fond prej 32, 1 milionë euro, i miratuar nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore 2 ditë më parë, vjen për Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri. Kostoja totale e projektit është 36.1 milionë Euro dhe pjesa tjetër (4 milionë euro) bashkëfinancohet nga Qeveria shqiptare. “Projekti do të mbështesë përmirësimin e efikasitetit të kujdesit në disa nga spitalet në vend, atë të menaxhimit të informacionit në sistemin shëndetësor si dhe rritjen e aksesit financiar për shërbimet shëndetësore” thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.

 Problemet e sistemit të shëndetësisë dhe përfitimet nga projekti

“Pagesat nën dorë mbeten të zakonshme, sidomos në spitalet publike” thuhet në njoftimin e BB, e cila shton se vetëm gjysma e të varfërve janë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore dhe shpenzimet në rritje për shëndetin kanë çuar më shumë familje drejt varfërisë. “Reformat e sektorit shëndetësor janë komplekse dhe ende ka shumë punë për t’u bërë”, është shprehur Tahseen Sayed, Drejtore e Bankës Botërore për Shqipërinë. Edhe pse, sipas BB, treguesit kryesorë që lidhen me sistemit shëndetësor në Shqipëri flasin për rezultate të ndryshme, cilësia e kujdesit përbën një shqetësim domethënës. “Sektori vuan nga mungesa e efikasitetit dhe nga pabarazitë. Shpenzimet nga xhepi të pacientëve përbëjnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve në shëndetësi” thuhet në njoftim. “Projekti i ri do të mbështesë reformat në sektorin shëndetësor duke synuar përmirësimin e aksesit dhe të efikasitetit në shërbimet e kujdesit shëndetësor”, ka thënë Sayed. Projekti është në vazhdën e angazhimeve të mëparshme të Bankës Botërore në këtë sektor. Aktivitetet e projektit do të mbështesin reformimin e sektorit spitalor, përmirësimin e monitorimit dhe menaxhimit të cilësisë dhe efikasitetit të shërbimit, përmes krijimit të një sistemit të menaxhimit të informacionit shëndetësor dhe reformimit të sistemit të financimit duke përfshirë këtu vlerësimin e alternativave për të zgjeruar mbulimin nga sigurimet brenda hapësirës ekzistuese fiskale. “E gjithë popullsia e Shqipërisë do të përfitojë në përgjithësi nga projekti, sidomos nga përmirësimet në efikasitetin e shërbimeve të kujdesit spitalor”, është shprehur Lorena Kostallari, Drejtuese e Lartë e Projektit. “Nga fundi i projektit pritet të racionalizohet me 800 numri total i shtretërve në spitale të vogla në rrethe, sipas Masterplanit Spitalor, duke përmirësuar paralelisht shërbimet në spitalet kryesore rajonale. Si rezultat i reformës në sektorin farmaceutik, parashikohet një ulje prej 25 për qind i çmimit mesatar për 10 barnat më të përdorura me recetë dhe për 10 barnat më të shtrenjta spitalore. Kjo do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen financiare nga shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Projekti do të mundësojë një rritje, deri në 65 për qind të mbulimit nga sigurimet shëndetësore të të varfërve”.

Sipas BB, gjithashtu, do të përfitojnë nga përmirësimi i kujdesit parësor dhe nga pagesat e ulura me bashkëfinancim për barna kryesore, grupe specifike të popullsisë, si ata me sëmundje kronike prioritare. Kjo do të ulë shpenzimet për pagesat nga xhepi për pacientët. Edhe aktorë të tjerë të sektorit shëndetësor do të përfitojnë nga përmirësimi i kapaciteteve: rreth 700 punonjës të institucioneve të kujdesit shëndetësor, përfshirë këtu edhe Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) dhe spitalet rajonale do të përfitojnë nga trajnime dhe veprimtari për ngritjen e kapaciteteve.

Që prej anëtarësimit të Shqipërisë në Bankën Botërore në vitin 1991, vendi ka përfituar 84 projekte me vlerë mbi 2.1 miliardë USD në kredite të IDA-s dhe grante e hua të IBRD-së.

2.1 miliardë USD, ka përfituar vendi që nga viti 1991

84 projekte gjithsej për përmirësimin e shëndetësisë që nga ‘91

36.1 milionë Euro, vlera e projektit të radhës në përmirësim të kujdesit shëndetësor

800 shtretër do shtohen në spitalet rajonale në fund të projektit

700 bluza të bardha do të trajnohen deri në fund të projektit

25 % do jetë ulja e çmimit të 10 barnave spitalore më të shtrenjta spitalore dhe 10 barnave që merren me recetë

65 % e të varfërve do të mbulohen me sigurime shëndetësore në fund të projektit