270 milion vjedhje dhe abuzime nga Bashkia e Durrësit

220

KLSH dërgon për kallëzim penal dy Zv.Kryetarë të Bashkisë Durrës, 9 punonjës të Bashkisë Durrës dhe ish-Kryetarin e Bashkisë Sarandë gjatë viteve 2003-2011

 Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 197/1, datë 25.03.2013, dhe programit shtesë nr. 197/3, datë 06.05.2013, ka ushtruar auditim në Bashkinë Durrës, ku ka konstatuar shkelje të rënda ligjore në lidhje me zbatimin e procedurave të prokurimit në “Rikonstruksioni i bulevardit kryesor Dyrrah”, zhvilluar në vitin 2011, me dëm ekonomik në vlerën 19,327,868 lekë dhe në prokurimin “Gjelbërimi në qytet”, zhvilluar në vitin 2012, me dëm ekonomik në vlerën 7,084,896 lekë. Në të dyja prokurimet, shkeljen kryesore e përbën fakti që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar operatorët ekonomikë (OE) me ofertë më të ulët dhe ka kualifikuar padrejtësisht OE me vlerë më të lartë, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik Bashkisë.

1. Skualifikimet/kualifikimet e kryera janë të papajtueshme me kërkesat specifike të tenderit, si dhe përcaktimet e parashikuara në nenin 1 “Objekti dhe qëllimi”, të ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar;

2. Operatorët ekonomikë të kualifikuar (në veçanti fituesit) kanë pasur mangësi serioze në dokumentacionin ligjor kualifikues, për të cilat duhej të ishin skualifikuar;

3. Operatorët ekonomikë të kualifikuar (në veçanti fituesit) nuk kanë plotësuar kushtet e veçanta të Kontratave, si automjete, certifikata cilësie dhe autorizime shoqëruese, etj.

Për të gjitha shkeljet e konstatuara, në prokurimin për “Rikonstruksioni i bulevardit kryesor Dyrrah”, me dëm ekonomik në vlerën 19,327,868 lekë, mbajnë përgjegjësi Zh. V., ZvKryetar i Bashkisë, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, dhe D.B., I.S., M.L. dhe K.T., në cilësinë e anëtarëve të Komisionit, të cilët gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale, kanë skualifikuar dhe kualifikuar padrejtësisht operatorët ekonomikë, veprime këto të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 258 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Për të gjitha shkeljet e konstatuara në prokurimin për “ Gjelbërimi në qytet”, me dëm ekonomik në vlerën 7,084,896 lekë, mbajnë përgjegjësi A. Ç., ZvKryetar i Bashkisë, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe E. K. dhe K. T., në cilësinë e anëtarëve të Komisionit, të cilët gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale, kanë kualifikuar padrejtësisht operatorët ekonomikë, veprime këto të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 258 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale te “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Po kështu, KLSH ka kryer kallëzim penal për Grupin e ngritur për “Kolaudimin dhe marrjen në dorëzim”, pasi nuk ka zbatuar e plotësuar procedurat ligjore në përmbushje të kritereve teknike të vendosura në kontratën e furnizimit me palma, sipas specifikimeve teknike të kërkuara nga autoriteti kontraktor në tenderin me objekt “Gjelbërimi në qytet”, duke i shkaktuar dëm ekonomik Bashkisë  në vlerën 21,960,000 lekë. Për këtë mbajnë përgjegjësi z. E.L, V.Sh., S.Gj. dhe A.Gj, anëtarë të Grupit të Kolaudimit. Përsa më sipër, për të gjithë këta drejtues e punonjës, në të tria këto raste, KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurori. Gjithashtu, nga auditimi, KLSH konstatoi shkelje të akteve ligjore në fuqi për llogaritjen dhe arkëtimin e taksave vendore, duke i shkaktuar të ardhura të munguara Buxhetit të Bashkisë në vlerën 110,952,000 lekë.

 Nuk janë zbatuar procedurat ligjore ndaj 1,026 subjekteve debitorë të Bashkisë për mospagim detyrimesh për taksat vendore, duke krijuar mosarkëtimin e detyrimeve të llogaritura me vlerën 100,938,000 lekë për vitet 2011-2012, si dhe nuk janë zbatuar procedurat ligjore të Ligjit Nr. 9780 dt. 16.07.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit”, për 20 subjekte, në vlerën 31,200,000 lekë.

 Shkelje dhe në Bahkinë Sarandë

Grupi i punës i KLSH realizoi gjithashtu  kontrollin e sigurimit të cilësisë, për auditimin e kryer në Bashkinë Sarandë, të përfunduar në Dhjetor 2012. Referuar numrit të konsiderueshëm të shkeljeve të dispozitave ligjore në fushën e urbanistikës dhe shitblerjes së trojeve, me pasoja social-ekonomike dhe mjedisore, në vijim të kallëzimit të bërë nga institucioni në dhjetor 2012 për 3 ish-Drejtorë të Drejtorisë së Urbanistikës të Bashkisë Sarandë, 2 juristë të Drejtorisë së  Urbanistikës dhe ish-Kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor, KLSH vendosi të kallëzojë në Prokurori dhe ish-Kryetarin e Bashkisë Sarandë E. GJ, në detyrë gjatë viteve 2003-2011, i cili gjatë përmbushjes së detyrës funksionale, ka kryer veprime apo mosveprime të kundërligjshme, të cilat referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 248 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Shkeljet e dispozitave ligjore konsistojnë në shitjen e trojeve dhe dhënien e lejeve të sheshit dhe të ndërtimit nga Bashkia Sarandë.