Veprimtaria luftarake e çetës “Plakë” të Mallakastrës

2956
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(75 vjet më parë)

Pse u quajt çeta “Plakë”
Në vazhdën e traditave luftarake të krahinës së Mallakastrës dhe për të ripërtërirë në një fazë të re çetat patriotike, u formua çeta “Plakë” e Mallakastrës. Inaugurimi i saj u bë në fshatin Klos, më 4 shkurt 1943. Ajo përbëhej nga luftëtarë të rinj dhe të kalitur në formacionet e njësiteve partizane të fshatrave të Mallakastrës, të formuar që me fillimin e lëvizjes. Në ditën e parë të inaugurimit në radhët e çetës u rreshtuan 25 luftëtarë, por shumë shpejt efektivi i saj do të shumëfishohej. Komandant i çetës u caktua luftëtari me emër në Luftën e Spanjës të vitit 1936, Mehmet Shehu, që ishte kthyer në Shqipëri nga gushti i vitit 1942 dhe zëvendëskomandant trimi dhe luftëtari i sprovuar, në mjaft aksione të guximshme, Dervish Hekali. Në çetë vepronte dhe celula e partisë me komunistë Mehmet Shehu, Idris Seiti, si dhe dy komunistë të ardhur nga Vlora. Zona e veprimeve luftarake e çetës përfshinte gjithë krahinën e Mallakastrës, dhe baza kryesore e çetës ishte në fshatin Hekal. Çeta në fillim zhvilloi mjaft veprimtari të gjerë propagandistik, për vendin dhe rolin që kishin këshillat nacionalçlirimtare, për luftë kundër fashizmit, për daljen partizan, si dhe kreu disa veprime luftarak në fshatra të Mallakastrës.

Çeta “Plakë” në aksionin e Patosit
Aksioni i parë luftarak nisi më 10 shkurt 1943, ku luftëtarët e kësaj çete, së bashku me luftëtarët e çetës “Plakë” të Vlorës, morën pjesë në Luftën e Patosit, si dhe ndërmorën një sulm të menjëhershëm kundër kantierin vajguror të Patosit. Këto dy çeta kishin një efektiv prej rreth 80 luftëtarë. Ato, sipas një plani taktik të studiuar, në mënyrë të fshehtë ju afruan kantierit dhe e sulmuan në mënyrë të befasishme e të papritur për fashistët. Luftimet që u zhvilluan ishin tepër të ashpra dhe të shpejta. Fashistët italianë ishin vendosur në pozicione të parapërgatitura, të fortifikuara dhe bënë një qëndresë të fortë. Por zjarri i armëve ishte i fuqishëm nga të dy palët. Armiku luftoi më të gjitha forcat dhe mjetet e nuk po dorëzohej. Më në fund, një grup luftëtarësh nga të çetave iu afruan barkas, me zvarritje dhe në mënyrë të fshehtë, prenë telat dhe e sulmuan me bomba dore çerdhet e zjarrit, në të cilat ishin të vendosur një top dhe tre mitraloza të rëndë të armikut. Mitralozat e rëndë heshtën. Edhe aeroplanët që dërguan fashistë për bombardim dhe mitralim, nga shtëllungat e larta të tymit që lëshonte benzina e djegur, nuk mundën të uleshin në lartësi të vogla për të gjuajtur pozicionet e luftëtarëve të të dy çetave. Kjo u dha mundësi të gjithë luftëtarëve të hidheshin në sulm dhe pas pak minutash qendra e minierës së Patosit ishte në duart e tyre. Në këtë luftim të shpejtë dhe të befasishëm fashistët italianë u shpartallua dhe pësuan mjaft dëme të rënda. U zunë robër rreth 80 ushtarë fashistë italianë, si dhe shumë të tjerë u vranë. Gjithashtu, u kapën 3 mitraloza të rëndë mjaft fishekë, pushkë, automatikë, revolverë, bomba dore, dhe materiale të tjera luftarake e ushqimore etj. Me çlirimin e qytetit të Patosit nga partizanët e çetave, komanda e të dy çetave dhanë urdhër për të shkatërruar çdo gjë që i shërbente armikut. Kështu u ndezën dy puse aktivë, u minua centrali elektrik, u dogjën makineritë, automjetet dhe mjaft fuçi me naftë e benzinë. Nga humbja që pësuan, fashistët italianë morën veprime sulmuese ndëshkimore në të gjithë zonë. Kështu në zonën e patosit u dërguan forca të shumta të shoqëruara edhe me tanke. Por, në këtë kohë luftëtarët e çetave, pasi kishin kryer detyrën, ishin tërhequr në bazat e tyre për t’u përgatitur për veprime të tjera luftarake. Fashistët bombarduan dhe mitraluan me aviacion e autoblinda në mënyrë të vijueshme qytetin e Patosit, si dhe fshatrat që ndodheshin rreth tij.

Aksioni në minierën e Selenicës
Në vazhdimin e aksioneve luftarake në zonën e Vlorës dhe të Mallakastrës, më 21 shkurt 1943 çetat “Plakë” të Mallakastrës dhe të Vlorës, sulmuan minierën e Selenicës. Komanda e çetave zgjodhi si objekt sulmi minierën e Selenicës, sepse një goditje me sukses e kësaj qendre minerale dëmtonte rëndë armikun si në aspektin ekonomik, por dhe në atë politik. Çetat luftëtare ju afruan me shumë kujdes gjatë natës objektit të sulmit. Komandat e çetave kishin studiuar terrenin të cilin luftëtarët që ishin nga këto zona e njihnin mjaft mirë. Sulmi ishte i befasishëm, duke mos i dhënë asnjë mundësi fashistëve italianë të organizoheshin për qëndresë. Luftëtarët shkatërruan menjëherë instalimet dhe makinat e minierës, dogjën gjithë ofiçinat, depot, etj., kapën dhe organizuan tërheqjen e shumë materialeve të domosdoshme për lëvizjen, si makina shkrimi, aparate telefonike, dinamit etj. Pasi kryen këtë luftim çetat u tërhoqën në bazat e tyre. Fashistët italianë, të fiksuar, nuk ndërmorën operacione ushtarake të menjëhershme dhe të përgjithshëm për ta marrë përsëri minierën dhe qytetin e Selenicën, por u kufizuan me disa masa shtrënguese kundër popullsisë. Megjithatë, fashistët italianë nuk mund të hiqnin dorë nga kjo qendër minerale, pasi ju nevojitej sera, bitumi. Më tej, duhej vënë në vend edhe prestigji i tyre luftarak dhe politik. Për këtë qëllim, pas disa ditësh, për të ripushtuar minierën, autoritetet fashiste dërguan një fuqi prej 200 karabinierësh të armatosur më së miri.

Sulmi fashist kundër çetave partizane
Ditën e parë të prillit të vitit 1943, forcat fashiste u hodhën në sulm kundër çetave partizane të Vlorës dhe të Mallakastrës. Lufta u zhvillua shumë e ashpër. Forcat partizane kundërsulmuan dhe i rrethuan forcat armike në fushën e Selenicës. Gjatë luftimeve mjaft karabinierë mbetën të vrarë. U kapën rob mbi 64 fashistë, mjaft të tjerë u mbytën gjatë orvatjes së tyre për të kapërcyer lumin e Vjosës. Mjaft robër që ishin ushtarë dhe të plagosur, u liruan, kurse pjesa tjetër u mbajtën të burgosur. Ndërmjet atyre që u mbajtën ishin një nënkolonel dhe një kapiten italian, një toger shqiptar, si dhe 48 karabinierë. Nga luftimet më kryesore të çetës “Plakë” të Mallakastrës, veçojmë edhe veprimet luftarake që u zhvillua në bashkëveprim me të gjithë popullin e Mallakastrës kundër operacionit të ndërruare nga forcat fashiste italiane në qershor e korrik të vitit 1943 në gjithë krahinën e Mallakastrës.

Çeta mbushi radhët e batalionit, grupit dhe brigadës sulmuese
Më 5 gusht 1943 mbi bazën e kësaj çete u formua batalioni “Ismail Klosi” me një efektiv prej 150 luftëtarë. Ndërsa më 8 tetor 1943, me krijimin e Grupit të Mallakastrës, që bënte pjesë në Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër 1943-1944, në përbërje të këtij grupi hynë luftëtarët e batalioneve “Ismail Klosi” dhe “Semanit”. Ndërsa më 1 nëntor 1944 këto forca të mëdha luftarake formuan Brigada e XI Sulmuese, në qytetin e Fierit. Në historinë e saj të shkurtër çeta “Plakë” e Mallakastrës ka zënë një vend nderi dhe faqe të ndritur në historinë e LANÇ-it, pasi ajo përgatiti luftëtarë për formacionet e ushtrisë partizane, si dhe bëri propagandë të vijueshme në ndihme të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Nga radhët e Çetës “Plakë”, ranë dëshmorë për Atdheut, Dervish Hekali, Hero i Popullit, Islam Musai, Shahin Ormani, Ahmet Bektashi, Selman Rexhepi, etj. Çeta të tilla me një veprimtari luftarake dhe me fitore të njëpasnjëshme e meritojnë të përkujtohen dhe të nderohen nga brezat pasardhës.
Sigal