Programi i Radio Tiranës pas çlirimit, numri i parë i gazetës “Bashkimi” dhe hapja e TVSH-së, më 29 prill 1960

1062
Sigal

Dossier/ Rrugëtimi i  rrallë i radios  dhe televizionit shqiptar

Pjesa e dytë

 

-vijon nga dje-

Dossier/ Rrugëtimi i rrallë i radios dhe televizionit shqiptar

 

  • Programi i Radio Tiranës pas çlirimit të Shqipërisë, është publikuar më 25 dhjetor të vitit 1944 në numrin e parë të gazetës “Bashkimi”

 

  • Dhora Leka dhe Refik Bezhani, të parët të ardhur nga radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët u ngarkuan të punonin në Radio.

 

  • 03-Mihal Ciko, inxhinieri i palodhur italian Antonio Galeaci, teknikët Spiro Qirko, Todo Bojdani, etj ata ringritën Radio Tiranën.

 

  • 04- Çdo mbrëmje nga data 21 nëntor deri 27 punohej ditë e natë dhe gjithçka ishte gati për fillimin e transmetimeve

 

  • 05-Më, 27 nëntor me urdhrin e vetë Enver Hoxhës, drejtor i Radio Tiranës u emërua Petro Kito

 

 

 

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

 

Radio Tirana pas çlirimit

Për herë të parë programi i Radio Tiranës pas çlirimit të Shqipërisë, është publikuar, më 25 dhjetor të vitit 1944 në numrin e parë të gazetës “Bashkimi” që nisi të botohej në këtë datë pas ndërprerjes së botimit të gazetës “Bashkimi i Kombit” në ditët e fundit të tetorit të atij viti, para fillimit të luftës për çlirimin e Tiranës. Botimi i rregullt i programeve të Radio Tiranës në gazetën “Bashkimi” nga data e mësipërme e që ka vazhduar pa ndërprerje deri në vitin 1991, jep mundësi për të studiuar etapat nëpër të cilat ka kaluar më pas Radio Tirana.

 

Thirrja

Menjëherë pas çlirimit të Tiranës disa nga punonjësit e teknikët e mëparshme të Radios u thirrën me urgjencë që të merreshin me rregullimin e aparaturave të shkaktuara nga Lufta dhe fillimin e transmetimeve të emisioneve radiofonike. Me ndihmën e disa prej tyre, në mungesë të dokumenteve arkivore, do të përpiqemi të shkruajmë këtë etapë me rëndësi të Radio Tiranës. Sipas kujtimeve të Dhora Lekës, Xhorxhi Hakos, Liri Kitës (Bozhdo), Lenika Zotërisë (Morcka) e Refik Bezhanit (1917-1996), Findia Veizit, Emil Plumbit (1923-1998), Arben Putos, Stefanaq Pollos, Pirro Naçes, Nihat Urucit, Haki Belerit etj. (1-Skifter Këlliçi).

Siç dëshmojnë Dhora Leka dhe Refik Bezhani, ata qenë të parët të ardhur nga radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët u ngarkuan të punonin menjëherë pas çlirimit të Tiranës, në Radio. Së bashku me muzikantin e njohur Mihal Ciko, inxhinierin e palodhur italian Antonio Galeaci, teknikët Spiro Qirko, Todo Bojdani, etj ata ringritën Radio Tiranën. .

 

 

Skifter Këlliçi “Historia e Radio-Televizionit (fq 44)

 

Çdo mbrëmje nga data 21 nëntor 1944, u bënë provat e para të transmetimit, të cilët dolën me sukses. Më 27 nëntor gjithçka ishte gati për fillimin e transmetimeve të rregullta radiofonike për gjithë Shqipërinë.

 

27 apo 28 Nëntori

Në një material të ruajtur në një dosje që ndodhet në Arkivin e Radiotelevizionit me titull “Nga historiku i Radio Tiranës” theksohet se programi i parë i Radio Tiranës ka filluar më 27 nëntor. Mirëpo në një material tjetër thuhet se emisionet nisën më 28 nëntor, ditën e parakalimit të forcave partizane që çliruan Tiranën, banorëve të së cilës Enver Hoxha nëpërmjet Radios iu drejtua më një fjalim përshëndetës. Dhe është pikërisht kjo arsyeja që më pas kjo ditë u quajt dhe dita e fillimit të emisioneve të Radio Tiranës.

Më 27 nëntor në orën 12. 00 në sheshet, rrugët, hapësirat u dëgjua zëri i një folësi të ri nga populli i thjeshtë. Ato ditë, me urdhrin e vetë Enver Hoxhës, drejtor i Radio Tiranës u emërua Petro Kito, ish sekretar i organizatës së qarkorit të partisë dhe më pas pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Këtë fakt e pohon bashkëshortja e tij, Liri Bozdo (Kito). Gjithnjë sipas kujtimeve të Dhora Lekës dhe Refik Bezhanit në mëngjesin e datës 28 Nëntor, ata, së bashku me Fatmir Gjatën, i shquar si poet dhe autor këngësh partizane, dhe Mark Gurakuqin, letrar i ri, edhe ata partizanë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, përgatitën reportazhin e parakalimit të forcave partizane para tribunës ku ndodhej qeveria e porsaardhur nga Berati me Enver Hoxhën në krye, dhe një numri shumë të madh banorësh të Tiranës, të cilët qëndronin në të dy anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. (2)

 

Skifter Këlliçi “Historia e Radio-Televizionit (fq 47)

Radio Tirana, me sa kuptohet para 25 dhjetorit, ka transmetuar dhe lajme në gjuhë të huaja për botën e jashtme, madje dhe për shqiptarët jashtë atdheut, duke vazhduar kështu përvojën e nisur që më 14 prill të vitit 1939.

 

Emisioni për bashkatdhetarët vazhdoi. . .

Siç dëshmon Refik Bezhani, folësi i parë i emisioneve të informacionit të Radio Tiranës, lajmet që në ditët e para vinin të përgatitura nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, e cila, ashtu si Radio Tirana, nisi të funksiononte menjëherë pas çlirimit.

Duke u bazuar në kujtimet e punonjësve të parë të Radio Tiranës, del se”Orën partizane” e përgatisnin Fatmir Gjata, Xhorxhia Haxho, Andon Andoni, etj. “Orën e rinisë” të rinjtë e ardhur nga Bashkimi i Rinisë Antifashiste Nacionalçlirimtare Arben Puto, Stefanaq Pollo, Emil Plumbi, i cili më pas u emërua dhe redaktor i Radio Tiranës, “Orën letrare” Fatmir Gjata, Mark Gurakuqi e më pas Llazar Siliqi. Buletini i lajmeve përgatitej nga Xhorxhia Haxho, më pas Hysnie Kaltanji, Lenika Morcka , së pari daktilografiste e pastaj redaktore, Finida Veizi, që do të bëhej përgjegjës redaksie e më pas nëndrejtor, e, doemos Petro Kito, i cili i pranishëm me zellin, pasionin, vullnetin e tij i kudondodhur në tërë programet e Radio Tiranës. Lajmet, veç Refik Bezhanit, nisi t’i lexonte disa javë më pas dhe Kaliopi Plasari, e cila u hodh gjatë viteve të Luftës në ilegalitet, e më pas Avni Skrapari e Eleonora Prosi. Në sektorin teknik, veç inxhinier Antonio Galecit, Spiro Qirkos, Xhafer Zavalanit e Todo Bojdanit, Liko Todhes, Met Hutës, Tasi Kanxherit, u kthye nga radhët e Luftës Kaliopi Prifti. Është fakt se të rinj si Fatmir Gjata, Mark Gurakuqi, Llazar Siliqi, Arben Puto, Stefanaq Pollo, Dhora Leka etj, dhanë ndihmesën e tyre në fushën e artit, letërsisë, shkencës, edhe niveli i emisioneve, falë edhe trashëgimisë gjatë viteve të para të Radio Tiranës, ka qenë i pëlqyeshëm, pavarësisht nga të metat që mund të kenë pasur. Madje i riu Emil Plumbi, u shqua për disa rubrika të karakterit humoristik në “Orën e rinisë” që transmetoheshin merr pseudonimin “Cinxëri”. (3)

 

Skifter Këlliçi “Historia e Radio-Televizionit (fq. 62)

Rritja e cilësisë profesionale

Falë folësve me përvojë si Kaliopi Plasari, Hysen Vendresha, Refik Bezhani e më pas Avni Skrapari niveli i buletinit arriti disa standarde.

Dhe. . . Më datën 23 mars 1945, për herë të parë pas çlirimit emisionet e Radio Tiranës nisën në orën 7. 30, me këtë renditje: 7:30-7, 45, muzikë e lehtë; 7. 45 lajme të brendshme e të jashtme; 8. 00 mbyllja e programit që rifillonte në orën 18. 30 pasdite. Kurse më 10 prill gjithashtu për herë të parë emisioni i lajmeve nisi të transmetohej në orën 20. 00 dhe mbeti kështu, tradicionalisht për dekada me radhë. Më 24 mars 1945 programit të Radios i shtohet një emision për fëmijë i titulluar “Ora e pionierit” që transmetohej çdo të diel në orën 20. 15.

Emisioni “Ora gazmore”.

Një nga emisionet më popullore para çlirimit ka qenë “Ora gazmore”. Më 15 shtator të vitit 1945 (1), ditë e diel, ora 13. 00 pas një ndërprerje të gjatë ky emision nisi po aq sukses. Bërthamën e grupit krijues të këtij emisioni e përbënin Besim Levonja, Gjon Karma, Andon Pano, Behije Çela, Prokop Mima. Ky i fundit së bashku me Behije Çelën e Besim Levonjën, do të përbënin trion e famshme për atë kohë të mbiquajtur Coni, Ishja dhe Roma.

Shoqërimi muzikor i skeçeve, parodive, kupleteve dhe këngëve humoristike gjatë “Orës Gazmore”, bëhej nga muzikantët e rinj Llazar Morcka, Nesti Uçi, Koço Timko, Hysen Pelingu. “Orës gazmore” i mungonte krijuesi dhe frymëzuesi i saj Pjetër Gjini, i cili ishte larguar dhe transferuar në Shkodër.

Traditën e Pjetër Gjinit, të mbiquajtur Terini në vitet ’40-të e vazhdonte Besim Levonja, autor skeçesh, aktor, e më pas edhe shkrimtar i njohur i skenës së bashku me grupin e aktorëve të tjerë ku shquheshin, Behije Çela, që u bë bashkëshortja e tij, Prokop Mima, Mihal Popi, Andon Pano Gjon Karma në role të tilla të paharruara që i kemi përmendur dhe më sipër si Coni, Ishja, Roma, Latua, Beri, Tonja, Shuku, Paloka etj.

Më pas, në këtë emision interpretuan aktorë të tjerë të njohur si S. Pitarka, P, Gjoka, R. Zyberi, D. Pelingu, V. Manushi. Bashkëpunuan me pjesë letrare shkrimtarët e njohur, T. Miloti, Dubani, K. Jakova, S. Çomora, O. Grillo, redaktorët P. Nace, M. Deliu, M. Afezolli, orkestra e përbërë nga M. Uci, Ll. Morcka , A. Prodani, N. Maloku etj.

 

 

Dy ngjarje të rëndësishme

Muajt nëntor-dhjetor të vitit 1945 shënojnë dhe dy ngjarje me rëndësi në emisionet e Radio Tiranës. Që të dyja janë të karakterit sportiv dhe kanë për protagonist të njëjtin emër, Anton Mazrekun, gazetarin e njohur sportiv, kryeredaktorin e gazetës “sporti” të botuar që në dhjetor të vitit 1935, dhe komentatorin e ndeshjes së parë të futbollit të zhvilluar, më 1 shtator të vitit 1938. Më 21 nëntor duke vazhduar traditën e rubrikës sportive që transmetohej nga Radio Tirana në vitet 1938-1944, ai përgatiste dhe komentonte emisionin “Jehona sportive” që nisi të transmetohej çdo të mërkurë në orën 19. 00. Më 20 dhjetor të po atij viti, nga fusha e futbollit të Shallvares, Anton Mazreku do të komentonte ndeshjen e futbollit të vlefshme për kampionatin kombëtar midis Tiranës dhe Shkodrës.

Fundi i vitit 1946 mbyllet me dy rubrika të reja që datojnë transmetimin që nga 15 dhjetori, përkatësisht “Ora e drejtësisë popullore” të dielave dhe “Ora e hekurudhës”, çdo të shtunë, e cila, siç dëshmon titulli, i kushtohej rinisë që merrte pjesë në aksionet e rinisë. Të dy rubrikat transmetoheshin përkatësisht në orët 19. 30. Disa dokumente që gjenden në Arkivën e Shtetit, hedhin dritë dhe mbi gjendjen ekonomike financiare dhe teknike të Radio Tiranës gjatë vitit 1946 dhe perspektivat për vitin 1947. Është fjala për buxhetin e radios për vitin financiar 1946-1947, që kap shumën e përgjithshme prej 3. 076. 060 franga për rroga, shpërblime, recitale, dieta, energji elektrike, dru, qymyr, karburant, mirëmbajtjeje lokali, materiale muzikore, subvencione në ndihmë të Radio Shkodrës, Radio Korçës e Radio Gjirokastrës. Sipas këtij dokumenti del se Radio Tirana kishte gjatë vitit 1946, 35 nëpunës definitivë me rrogë mesatare vjetore prej 1200 fr. 1- (Arkivi Qendror i Shtetit, dosja 3, 198, fondi i Radiotelevizionit).

 

Ndryshimet në transmetim

Janari i vitit 1947 do të sillte ndryshime të tjera në programet e Radio Tiranës. Emisionet e mëngjesit do të nisnin në orën 6. 45 e më pas në 6. 40 dhe pasdite në orën 17. 30. Në këtë mënyrë në fillim të vitit 1947, Radio Tirana nisi të transmetonte gjashtë orë e gjysmë program, nga të cilat dy orë para dite dhe katër orë e gjysmë pasdite.

Në shtator të vitit 1947 në historinë e Radio Tiranës u shënua një ngjarje me rëndësi, nisi botimi i revistës së përmuajshme “Radiopërhapja”, organ i drejtorisë së Radiodifuzionit.

Folësit kryesorë të emisioneve të Radio Tiranës, siç kemi theksuar ishin: Kaliopi Plasari, Refik Bezhani, Avni Skrapari, Eleonora Prosi dhe Hysen Vendresha, i cili më pas u largua nga Radio Tirana. Mirëpo zgjerimi i emisioneve të Radios solli si pasojë dhe kërkesat për folës të rinj. Kësisoj Radio Tirana shpalli një konkurs për folës në orët e ndryshme kulturore. Konkursi sipas njoftimit të gazetës “Bashkimi” do të mbyllej më 30 gusht të vitit1947.

Po kujtojmë se në shkurt të vitit 1948 nga mikrofonat e Radio Tiranës nisi të përhapej një zë i brishtë që do të bëhej një nga zërat më autoritarë të mikrofonit shqiptar . Ky ishte zëri i 15-vjeçares Vera Zheji, atëherë nxënëse e shkollës pedagogjike “17 Nëntori” të Tiranës, që filloi të debutonte në emisionet letrare e shumë shpejt pastaj në emisionet e tjera duke përfshirë dhe buletinet e lajmeve.

Personeli i vitit 1947

 

Ja si paraqitej lista emërore e bazuar në borderonë e pagave nga fundi i vitit 1947. Petro Kito, (drejtor); Finida Veizi, (nëndrejtor, që zëvendësoi Alqi Kriston), Mihal Ciko, Todo Bojdani, Mustafa Krantja (emëruar që në janar 1946 dirigjent i Orkestrës së Radios);Xhevdet Abdi, Violeta Papuli, Hysnie Kaltani, Kostaq Sahatçi, Mediha Jasa, Pirro Nace, Halit Dede, Agime Kapërsyzi, Liri Bozdo, (Kito), Llazar Treni, Liko Todhe, Xhafer Dishani (Zavalani), Koli Rëmbeci, Kiço Elini, Tasio Kanxheri, Kaliopi Prifti, Anastas Laperi, Nihat Dylce, Margarita Jançe, Vasil Papajani, Lidia Trofillova, Lili Adams, Eleonora Prosi, Qemal Dobi, Kaliopi Nushi, Xhemal Tafai, Viktor Kraja, Islam Proseku, Mehmet Shkëmbi (Huta), Muhamet Sula, Makbule Agolli, Ali Frashëri, Lenika Morcka, Eli Myftiu, Daut Dautaj, Qazim Rexhepi, Vasil Cimbi, Viktori Xhaçka, Haki Beleri.

 

Mungesa e kuadrove

Në vjeshtë të vitit 1946 për herë të parë në Shqipëri ishte ngritur Instituti Pedagogjik 2-vjeçar për të përgatitur mësues. Kuadrot me arsim të lartë që kishin mbaruar para çlirimit për letërsi, drejtësi, filozofi, ekonomi e që mund të punonin në Radio, ishin të paktë për të mos thënë se një pjesë e mirë e tyre, intelektualë të ndershëm, duke u quajtur agjentë të vendeve ku kishin studiuar ose ishin burgosur, internuar, madje dhe vrarë, ose ishin lënë në punë të parëndësishme.

Vështirësitë e Radio Tiranës dukeshin qartë dhe në mjediset e saj. Para çlirimit Radioja ishte vendosur, në godinën private të përshtatur mirë për nevojat profesionale dhe në mjediset e një godine tjetër pranë. Mirëpo rritja, sado e vogël e kuadrit dhe e mjeteve teknike, kërkonte dhe rritjen e mjediseve të reja të Radios. Kështu, siç dëshmohet në një shkresë të datës 17. 6. 1949 (AQSH, dosja 5, 1949), Ndërmarrja Lokale e Ndërtimit në Tiranë ngarkohej të niste për llogari të drejtorisë së Radiofuzionit punën për adaptimin e godinës shtojcë të këtij institucioni (ish-pallati Nepravishta), punimet e të cilit do të nisnin më 1. XI. 1949 për të përfunduar më 31. 12. 1949. Mirëpo kjo godinë shtesë nuk përfundoi brenda këtij afati të shkurtër. Madje ndërtimi dhe përfundimi i saj u zvarrit deri në vitin 1950.

Radio Tirana gjatë vitit 1949 kishte marrë 440 letra nga vende të ndryshme të Evropës madje edhe nga Gjibraltari e Afrika e Jugut, kurse me shqiptarët e jashtëm nuk kishte pasur marrëdhënie të rregullta sado që atyre u ishin shkruar shpesh letra. (AQSH, fondi i Radiotelevizionit, dosja 6, faqe5).

Hapi i suksesshëm

Më 15 qershor të vitit 1952 Radio Tirana bëri një hap të dukshëm cilësor. Nisi të transmetonte katër emisione një javë për fëmijë e përkatësisht: të martën në orën 7. 30, të mërkurën më 15. 30, të premten më 7. 30 e si zakonisht, siç e kemi parë dhe më sipër, çdo të diel, emisionin popullor për fëmijë në orën 9. 30. Po këtë datë nisi dhe transmetimi i emisionit për gruan çdo të hënë e çdo të enjte në orën 7. 30. Sukses për Radio Tiranën qe dhe transmetimi i një rubrike më të gjerë sportive ditën e martë në orën 14. 30.

 

Goditja

Viti 1953 shënoi një ngjarje që la gjurmë në historinë e Radio Tiranës. Deri atëherë me përpjekjet e drejtorisë së Komitetit të Radiodifuzionit ishte bërë i mundur zgjerimi i programeve dhe rritja e kuadrit. Dhe ja papritur një goditje e rëndë. Gjatë këtij viti kuadri pëson një shkurtim deri më 50 për qind.

Viti 1957 shënoi dhe një tjetër goditje për Radio Tiranën. Dogmatizmi burokratik që kishte mbërthyer Komitetin Qendror dhe aparatin shtetëror, bëri që herë pa here të merreshin veprime kontradiktore që godisnin strukturat e bazës duke përfshirë këtu edhe këtë institucion. Këtë e vërteton një shkresë e kryeministrisë nr. 424 datë 17. 7. 1957, drejtuar gjithë ministrive, institucioneve, komiteteve ekzekutive, ku thuhej; “ Në bazë të direktivave të Komitetit Qendror të PPSH kërkojmë të bëhet një studim i gjithanshëm për thjeshtimin e mëtejshëm të aparatit administrativ të shtetit. Për këtë qëllim duhet të rishikohen strukturat e organikave ekzistuese, hallkat e tepërta, paralelizmat në punë dhe çdo gjë që sjell fryrjen e organikave”.

Jashtë kësaj organike si pasojë e zbatimit të vendimit të mësipërm, mbetën 15 kuadro e u hoqën nga programi këto emisione: dy pasqyra të gazetës “Zëri i rinisë”, dy emisione “Shkenca dhe teknika”, nga katër që ishin në program, një tregim nga katër, që transmetoheshin në javë, një radioreportazh në dy javë, një koncert për harqe, emisioni i rusishtes, turqishtes dhe u mendua njëkohësisht të hiqej programi i dytë i së shtunës e së dielës.

Ngjarje me rëndësi gjatë vitit 1957 ishte fillimi i programit të dytë të Radio Tiranës, një nevojë e domosdoshme për t’i dhënë më shumë hapësirë dëgjuesit tonë. Ky program transmetohej çdo të shtunë dhe të diel nga ora 19-24. 00 (4)

Nesh  do të lexoni:

 

01-29 prill 1960 Shqipëria me televizion  ndoshta  vonë  por një hap i madh

 

02-Më datë 18. 4. 1960 sekretariati i Komitetit Qendror mori vendimin për ngritjen e Qendrës Eksperimentale të Televizionit me aparaturat e dhuruara nga B. Sovjetik, RD Gjermane dhe R. Çekosllovake

 

03- Thanas Nano u caktua drejtor i Radio Tiranës më 20 janar të vitit 1961.

04- Mustafa Krantja, Kristaq Panduku, Ymer Skënderi e Abdulla Grimci, krijuan orkestën  simfonike të Radiodifuzionit