Vdekja e kalit apo vrasja e shkencës?!

2003
Sigal

Albert Kotini

Kështu e fillova bisedën me të nderuarin zotni Ali Ohrin. Që të shkruash mbi figurën e z. Ali Ohri më duhen faqe të tëra, gjë që nuk përbën motivin e shkrimit tim. Megjithatë lidhur me këtë pyetje m’u desh që të vija në shtëpinë e tij tipike dykatëshe tiranase me avlli, siç i thonë të vjetrit tanë, me një komoditet që ruan fisnikërinë e vet në vite dhe aty të bisedoja shtruar lidhur me një çështje të trajtuar, si në film por mbi të gjitha si legjendë duke ua atribuar kastës ushtarake e në veçanti Petrit Dumes edhe motivin e vrasjes së kalit. Në atë verandë ku kjo familje fisnike pret çdo njeri me zemër të bardhë dhe, në veçanti, e shoqja që të gjithë i flasim me respekt e përkëdheli “Memi” ndihesh tepër i respektuar dhe mjaft këndshëm në atë ambient që rrallëkush ta plotëson.

Them, familje fisnike, sepse janë jo vetëm me prona që nga Selaniku në Ohër ku më pakta në Shqipëri është shtëpia ku u zhvillua Kongresi i Lushnjes, por nga shpirti dhe nga zemra janë trashëgimtarë të një patriotizmi që përtëritin shekujt e mëparshëm vetëm në punët e mëdha që kanë bërë për çështjen shqiptare. Nejse, lidhur me këtë problem që përmenda deri këtu do të shkruaj në librin që unë e kam në dorë, por që meriton një vëmendje të veçantë. Ajo çka më bën të ndal e të bisedoj me z. Ali Ohri është, se ai ka qenë dhe aktualisht e di më mirë se asnjë si protagonist, të vërtetën e vrasjes së kalit, e cila është trajtuar vetëm si vlerë artistike dhe ideologjike, por jo në thelbin saj që ka të bëjë me vete vrasjen e shkencës në Shqipëri. Që të trajtosh vrasjen e mendimit shkencor shqiptar kuptohet që është një çështje më vete dhe si e tillë meriton të trajtohet. Një nga aspektet e kësaj çështjeje është edhe e lidhur me këtë bisedë të bërë me vetë zotin Ali Ohri. Natyrisht filmi: “Vdekja e kalit” bëri shumë bujë në Shqipëri dhe ka vërtet vlerën e vet artistike dhe morale të kohës, por fenomeni tipik i ngjarjes reale ka të bëjë me një tjetër lloj vrasjeje: Atë të pasionit të njeriut të shkencës. Zhdukja e një pasurie kombëtare siç ishte raca e kuajve në Shqipëri në emër të grupeve armiqësore ka qenë një nga injorancat e kohës së regjimit komunist e deri sot. Pse?

Në kohën e komunizmit, tregon Ali Ohri, u bë si u bë por në fund të fundit iu dha rëndësi për kuajt dhe hipizmin në vend. Meqenëse zoti Ali Ohri është marrë që në fillim me këtë punë dmth nga viti 1945 kur u krijua kavaleria , ndërsa në fillim 1947 ky repart u suprimua menjëherë. Por në fillim të vitit 1947 u mor vendimi që të krijohej ferma ushtarake e Cërrikut për rritjen e mbarështimin e njëthundrakëve dhe për blerjen e materialit “kalë” u ngarkuan dy persona: Mjeku veterinar Çerçem Çelo dhe Ali Ohri. Këta shëtitën në një itinerar të caktuar të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe blenë nga populli 200 pelat më të bukura të Shqipërisë. Gjithashtu u importuan dhe nga Jugosllavia disa kuaj e disa pela të Banatit (Vojvodinë) si dhe një hamshor arab me emrin Kedif që u pagua 50 mijë franga të asaj kohe së bashku me disa pela po të racës arabe. Kjo fermë nuk ia kishte lakmi për punën e saj shkencore fermave më të mira të Evropës. Madje këtu filloi edhe inseminimi artificial, u importua nga Italia dhe një gomar Martina Franka, për prodhimin e mushkës së racës për nevojat e ushtrisë. Mirëpo kjo fermë pati jetë të shkurtër se rreth vitit 1952 ferma pushoi së funksionuari dhe i gjithë ky material i kaloi Ministrisë së Bujqësisë për në fermën e Fierit dhe sot nuk i dihet nami e nishani ku janë. Më 1947 u krijua në Shkodër afër liqenit Qendra e Studimit dhe Seleksionimit zooteknik ku u grumbulluan 150 pela vendi, pasi qendra kishte edhe shumë lopë pula etj. Më vonë kjo qendër mori emrin “Stacioni zooteknik i Shkodrës” dhe është bërë një punë kolosale edhe për kuajt. Mund ta them pa dyshim, se arriti një nivel të atillë që edhe të huaj kur e vizitonin këtë qendër zooteknike e vlerësonin pa masë. Krahas kësaj u krijua në Tiranë te Rrapi i Trishit një qendër me 300 pela vendi si dhe një tufë pela e hamshorë të racës së pastër arabe me vlera racore të padiskutueshme. Prej marsit 1972 kur unë (Ali Ohri) u rimora prapë në punë si specialist civil me këtë repart ushtarak në të cilin është bërë një punë shkencore në nivelin e normave bashkëkohore duke nxjerrë prodhime të mrekullueshme. Tufat e kuajve që kishin ardhur nga BS dhe përbëheshin nga pesë hamshorë, 16 pela të cilat arritën në vitin 1974 në 82 krerë hamshorë pela e mëza. Sipas llogarive të mia në vitin 1980 tufa e kuajve racë do të arrinte numrin 200 dhe ne mund të lejonim vetes eksportin e hamshorëve arabë. Por në fillim të 1975 mbas ekzekutimit të Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes më pushuan edhe mua nga puna. Dhe i gjithë ky material prapë i kaloi Ministrisë së Bujqësisë në fermën e Durrësit (Bishti i Pallës) atje ku gjeti vdekjen dhe hamshori i famshëm Naklloni (rus).

Si ndodhi dhe pse?

Ishte plakur hamshori dhe e futën në një kaloshinë duke e shfrytëzuar në një mënyrë vandale saqë u detyruan pas saj ta vrasin se nuk i përgjigjej më asnjë shërbimi. (Filmi krijon një iluzion për Petrit Dumen gjë që nuk është e vërtetë). Edhe këta kuaj pësuan fatin e kuajve të fermës së Cërrikut. Po të mos ishte krijuar një grup pune kontrolli nga Ministria e Bujqësisë ku bëja pjesë edhe unë në atë grup, duke më pezulluar për disa javë për të inspektuar fermat e vendit. Në këtë grup së bashku me zooteknikun Burhan Dizdani që drejtonte sektorin e njëthundrakëve vendosëm që mbas kontrollit të raportonim në qeveri rezultatet tona. Ne ngulëm këmbë që materiali racor arab që kishte mbijetuar akoma i pazhdukur të kalonte në stacionin zooteknik të Shkodrës. Këto pela të huaja në këtë stacion iu nënshtruan një trajtimi shkencor bashkëkohor dhe aty lulëzuan për freskim gjaku duke u blerë edhe një hamshor arab i pastër nga stacioni i famshëm hungarez Ibabolnajt. Po në stacionin zooteknik të Shkodrës, më 1993 u organizua me iniciativën e stacionit dhe me përkrahjen time dy gara kombëtare me kuaj të ardhur nga e gjithë Shqipëria. U organizuan në tërë qytetet shqiptare grupet tipike dhe më 1988 u krijua Federata e Hipizmit, që drejtohej nga unë. Vazhdoj të drejtoj, vijon Ali Ohri, deri në dhjetor të 2002 kur dhashë dorëheqjen dhe drejtimin e kësaj Federate e mori një person që ka shumë vlera për shpëtimin e racës arabe në Shqipëri: Kolonel Arjan Rugji dhe si sekretar një ish-nxënësi im kalorës kapiteni i parë Qamil Biba. Asnjë ndihmë për investim deri tani nuk është dhënë për mbajtjen gjallë të kësaj Federate të Hipizmit. Por në mënyrë humane dhe pasion shkencor mund të përmend Ali Murizin në Divjakë si kryetar i degës të Federatës së Hipizmit. Pra, vetë pasioni shkencor i njerëzve kërkon që të mbijetojë edhe ky sektor që quhet Federatë e Hipizmit me një funksion organik që ekziston pa asnjë investim nga shteti. Në vitin 2001 mbas kërkimit u studiua që ishte në bashkëgjakësi për çiftëzimin dhe për këtë iu drejtova qeverisë Saudite për një ndihmë (natyrisht thjesht si Federatë) ku konsistonte edhe caktimi i dy hamshorëve gjakpastër arabë që do të shërbenin për prodhim. Princi trashëgimtar i Arabisë Saudite Abdulla si një fisnik i madh na dërgoi dy hamshorë të rinj (se kuaj të vërtetë arabë aty janë, në Arabinë Saudite) së bashku me disa pajime dhe një çek prej 10 mijë dollarësh. Në këtë moment Ali Ohri më ndërpreu duke më treguar një libër të vitit 1990 me titull: “The Arabian Horse Stud Book”, me shpjegimin e tij profesional se asnjë kalë nuk mund të shitet si kalë arab por nuk figuroi në këtë libër ndërkombëtar. Libri ndërkombëtar quhet VAHO, ndërsa shpjegimet janë në librin e mësipërm që kanë në thelb gjenealogjinë e kalit arab. Mbas këtij shpjegimi profesional dhe të vërtetë për evoluimin e kësaj shkence e pyeta zotin Ali Ohri në lidhje me disa dokumente që unë disponoj në arkivin i Ushtrisë për këtë çështje, të cilat do të botohen siç janë më poshtë.

Cili është për juve Dr. Vasfi Visoku?

Po, Vasfiu ka vdekur. Për mua nuk ka njeri shkencëtar më të shquar të kësaj fushe që njoh. Dr. Vasfi Visoku, shqiptari që ka banuar në Turqi, ka studiuar në Gjermani dhe deri në momentet e fundit ishte pedagog i njohur në Institutin e Lartë Bujqësor Kamëz. Ka qenë dënuar në gjyqin special të vitit 1945 me tre vjet burg. Ka punuar në stacionin zooteknik të Shkodrës dhe së fundi në Institutin e Lartë Bujqësor. Ka bërë çmos që kjo shkencë të ekzistonte deri tani, por kuptohet që politika dhe ideologjia edhe në këtë fushë ka sjellë dëmet e veta…

 

Po Reshit Shtëpani?

Ka qenë komandant i repartit 3150 Lazaret. Mjek veteriner i shquar. Njeri i kushtuar në maksimum për çështjen e kuajve. Ka bërë çmos që qendra shkencore të mos prishej, duke iu drejtuar organeve shtetërore dhe të partisë të asaj kohe për këtë qëllim, por fatkeqësisht rryma tjetër ishte më e fortë se kjo dhe nuk ia arriti dot qëllimit për ta mbajtur gjallë këtë shkencë. Të njëjtën gjë, vijon Ali Ohri, mund të them edhe për Todi Treskën. Njeri pozitiv, por aq e kishte çapin dhe mundësinë, sepse vendimet për prishjen e kësaj qendre shkencore ishin marrë nga instancat më të larta të shtetit dhe partisë.

Por mirë i them unë, ç’hyn këtu Petrit Dumja për kuajt?

Unë mendoj, vijon Aliu, që edhe pushkatimi i Petrit Dumes deri diku ka ndikuar në prishjen e kësaj qendre shkencore, pasi ai përveç pasionit që kishte për kuajt mendoj se i konsideronte një element të nevojshëm për të mos thënë të domosdoshëm për terrenin tonë dhe situatën që mund të krijoheshin në Shqipëri. Asnjë argument shkencor nuk dhanë, arsye të cilat nuk i di as vetë se ku e bazuan qeveritarët urdhrin për prishjen e stacionit shkencor. Megjithëse kur u prish Lazarati edhe unë isha pushuar më parë. Aty ndërhyra edhe unë. Edhe shkolla Skënderbej mbas pushkatimit të Petrit Dumes u likuidua si e tillë. Por për këtë çështje do të flas unë në të ardhmen pa bërë ndonjë lidhje a paralelizëm që nuk hyn fare këtu.

Shtroj pyetjen po në perspektivë këtë vlerë shkencore të kuajve si mund ta shohim?

Përvoja e dikurshme që këto stacione shkencore shikoheshin edhe në Evropë por më tepër në Shqipëri si një armë luftarake ka rënë. Ato kanë vetëm vlerë sportive. Nuk është më koncepti i vjetër që i takon një klase fisnike apo aristokratike, por është sport shumë popullor sot në botë. Edhe në Shqipëri i gjithë aktiviteti si shtet për mua konceptohet si një mozaik. Pra, në qoftë se këtij mozaiku i heq një “katror” të vogël siç është kjo e hipizmit e humbet pamjet e plotë të vet. Pra po të heqësh këtij aktiviteti kompleks artin e sportit të hipizmit e ke shëmtuar fytyrën e bukur që ka vetë shteti edhe në këtë pikë. Kurse sportet po t’i heqësh këtë katror nga mozaiku i vet të gjitha disiplinat e tjera sportive mbeten shurdh memece. Po të them, m’u drejtua përfundimisht Aliu që po të lexosh librat për kuajt arabë të pastër të cilat i servir një shoqatë e quajtur VAHO në regjistrin e vet që shërben si dokumentar zyrtar garanton dhe rezulton çdo lindje të kuajve të tille në çdo pikë të globit si racë.

Vetëm kjo njihet si certifikata ekzistuese pa të cilën nuk mund të shitet asnjë kalë arab. Me këtë rast unë dua të kujtoj në shenjë respekti të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë fushë, por edhe t’i bëj thirrje shtetarëve tanë që për të shkuar në Evropë të kthejnë sytë nga Federata e Hipizmit sepse ne vetëm në këtë fushën e shkencës të trajtimit të hipizmit dhe kuajve arabë arritëm të ishim në një hap me Evropën nga ana shkencore.

 

Vallë a nuk mund të ketë një riciklim të kësaj çështjeje me sy miqësor dhe jo armiqësor?!

Për sa i përket anës zyrtare të së vërtetës të kësaj çështjeje më mirë se mund t’i referohemi leximit të këtij dokumentacioni ndryshe nuk mund të ngrihet kjo çështje në shkallën dhe zbulimin e së vërtetës dhe jo ashtu siç është përshkruar në film, por as ashtu siç është mitizuar me emrin e Petrit Dumes. Shkencëtarët e vërtetë gjithmonë janë thelbi i realitetit në historinë njerëzore prandaj duhet t’u besojmë këtyre pasioneve njerëzore më shumë se sa trajtimeve dhe interpretimeve politike dhe ideologjike që siç kanë mbuluar mjaft të vërteta ka ndodhur edhe në këtë çështje.

AQU

Dokumenti Nr,480

Dt.8.9.1974

Shoku Petrit!

Dr. Vasfi Visoku i drejton shokut Ministër dhe Juve këtë letër dhe nga një vepër ku ju shfaq dëshirën për t’iu krijuar mundësia për të punuar 2 – 3 ditë në muaj në stacionin e përmirësimit të kuajve (Lazaret), Tiranë.

Letra iu dha për ta parë shokut Todi Treska. Ai sqaron se si specialist Dr. Vasfiu është i mirë, por biografinë e ka të keqe. Ka qenë anëtar i partisë fashiste.

Lutemi, mendimin tuaj për t’i dhënë përgjigje të interesuarit.

Shefi i Sekretariatit

Ndreko Çabeli

 

Të nderuarit shokut Beqir Balluku, Ministër i Mbrojtjes Popullore

Të nderuarit Shokut Petrit Dume, Shefi Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore

Më lejoni që të preokupoj kohën tuaj të vlefshme për disa minuta me lutjen time që ka lidhje të ngushtë dhe me një problem të madh zooteknik:

Duke bazuar në vjetërsinë 44- vjeçare 1929-1974 si një specialist që kam punuar për mëkëmbjen e blegtorisë të vendit tonë, e sidomos për përmirësimin edhe shtimin e njëthundrakëve mora iniciativën t’ju shkruaj këto rreshta që në çast duken personale por në realitet kanë lidhje të ngushtë me një problem të madh zoo-ekonomik për vendin tonë.

Tashti me gjithë se unë gjendem në pension duke u bazuar edhe duke respektuar direktivat e Partisë që apelon të gjithë të moshuarve me një kuptim të plotë patriotik edhe me një ndjenjë të thellë njerëzore, dëshiroj të jap kontributin tim modest duke punuar 2 – 3 ditë në muaj (në rast nevoje edhe më tepër) në stacionin e Përmirësimit të Kuajve (Lazaret-Rrapi i Trishit) Tiranë. Gjatë jetës time, duke dashuruar rritjen e njëthundrakëve, veçanërisht atë të kuajve qysh në moshën e re kam filluar të punoj e të shkruaj për këtë degë artikuj broshura dispensa e tekste, të cilat përveç se në gjuhën kombëtare janë botuar edhe jashtë në shtete të tjera e sidomos në Gjermani dhe Itali. Përpara se të dal në pension 14 vjet rresht me gjithë zemër kam vepruar dhe propaganduar si pedagog e si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Lartë Bujqësor – Kamëz e pikërisht në Fakultetet e Agronomisë e Veterinarisë edhe në Degën e Zooteknisë. Në vitet e fundit së bashku me studentët e mi kam qenë shpesh herë në Stacionin e Përmirësimit të Kuajve në Rrapi Trish ku kam parë me admirim materialin e vlershëm zooteknik e veçanërisht kam admiruar punën bukur e patriotike të punonjësve edhe të kolegëve të mi. Besoj se dhe kontributi i im mund të vlejë në këtë kolektiv si një bashkëpunëtor i jashtëm edhe si një konsulent ndër këto pika:

  1. Bashkëpunim në punën racore në kryqëzime dhe hibridizime.
  2. Bashkëpunim në organizimin e zbatimin të dokumentacioneve zooteknik dhe në librat gjenealogjike të cilat janë baza të punës racore serioze e të vazhdueshme.
  3. Bashkëpunim në organizimin e konkurseve hipike.
  4. Bashkëpunim në organizimin e kurseve zoo-veterinare dhe mësimesh edhe zhvillimi i praktikave përkatëse.
  5. Konsultime tekniko shkencore të tjera që mund të shihen të nevojshme prej Drejtorisë së Lazaretit.

Së bashku si një shenjë nderimi ju paraqes dy broshura që kemi punuar dhe botuar me kolegun tim të vyer i ndjeri dr. Medar Shtylla për të pasur një ide mbi rritjen e kuajve në të kaluarën ku motori edhe mekanizimi ende nuk kishte hyrë në vendin tonë. Jam i mendimit në qoftë se nuk është nvoja për të arritur sasinë e krerëve të mëparshëm por neve prapë duhet të kalojmë atë nivel përsa i përket kualitetit zooteknik e racor sidomos në zonat e malësisë duke u bazuar në tipat moderne edhe të shumanshme të racave.

Këtë letër të përbashkët e kam shkruar duke u mbështetur në dy fakte: Së pari ju shoku Beqir që më njihni qysh në moshën e re sportive dhe na keni inkurajuar me fjalë të urta si një udhëheqës shteti në punën tonë tekniko-shkencore në çdo vend kur ka rënë rasti edhe shoku Petrit Dume si një amator i madh dhe i apasionuar për hipikulturë, përgjithësisht në sport të cilin shpesh herë e kam parë në stadiumet dhe disa herë në Institutin e Lartë Bujqësor Kamez, por për fatin e keq timin nuk kam pasur rastin e bukur të bisedoj dhe të shkëmbej mendime për rritjen e kuajve për organizimin e hipikulturës në vendin tonë.

Në qoftë se e shihni të arsyeshme dhe të dobishme kërkesën time ju lutemi intervenoni dhe rekomandoni pranë Drejtorisë Veterinarisë Ushtarake edhe në atë të Lazaretit ( Dr Reshit Shtepani), në mënyrë që kërkesa e ime të marrë një formë definitive administrative për të filluar sa më parë punë në kuadrin e sipërpërmendur.

Ju lutemi pranoni nderimet e mia më të larta.

Dr.Vasfi Samim Visoka

Kandidat i shkencave Veterinare dhe Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor

-Vijon-