Dr. Laurant BICA/ Fisniku Ismail Strazimiri (1868 – 1943) Mbrojtës i paepur i pavarësisë shqiptare

1525
Të thuash Dibër nuk mund ta përmëndësh pa apelativin e Madhe, jo me kuptimin e qytetit të Dibrës së Madhe, të Sheherit por për ndihmesën që ka dhënë në lëvizjen kombëtare shqiptare në shekuj.
Të thuash Dibër = Shqipëri
Të thuash Dibër = Komb Shqipëtar
Të thuash Dibër = Shqipëtari
Të thuash Dibër = Maqedoni, është zemra, nukli i saj.

Ndihmesa e Dibrës është e madhe për Ballkanin, Perandorinë Osmane e për mbarë Botën. Dibra është nga ato krahina që flasin e shkruajnë pak por bëjnë shumë. Vepra e tyre është e madhe. Të thuash Dibër do të thotë Histori. Dibra bëri histori, shkroi histori dhe mbeti në histori. Me të drejtë patrioti Ismail Strazimiri që është në thelb sinonim i shqiptarizmit shkruan se “Historia është baraz : Dje, Sot dhe Nesër”. Dibra për shembull ka nxjerre një figurë të madhe të rangut botëror si Riza Tefik Bylykbashi, i njohur ndryshe si Riza Tefik Dibrani, shok dhe mik i Ismail Qemalit, deputet në parlamentin turk në vitet 1909 – 1912, i njohur edhe si Filozofi Riza Tefik apo “Volteri” i Turqisë. Emrin e tij e kam gjetur në një histori të filozofisë botërore me pesë vëllime.Dibra është jo vetëm trevë e mençurisë po edhe e trimërisë. “Djemtë e Dibrës djemtë e malit, të luajnë kapakun e ballit!” Sa keq që brenda kufijve të Shqipërisë shtetërore mbeti 1/3 e tokave shqiptare dhe 2/3 mbetën jashtë saj ; qytetet më të mira e qëndrat më të mëdha si Shkupi , Manastiri, Selaniku e Janina etj. u lanë jashtë shtetit amë në përbërje të shteteve shoviniste fqinje. Krimi më i madh u bë në Kosovë me mbetjen e Gjakovës ,në Mal të Zi të Ulqinit dhe ne Maqedoni me lënien e Dibrës së Madhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar të 1913. Dibra nga ish kryeqendër sanxhaku në shekujt osmanë mbeti një zonë periferike e Maqedonisë së sotme dhe deri në ditët e tona erdhi e rrudhur, e zhvilluar ekonomikisht dobët dhe si një qytet i lënë pasdore me qëllim, i mbetur prapa, i margjinalizuar.
Por Dibra mbetet Dibër, Dibër e Madhe me tërë kuptimin e plotë të kësaj fjale, një Dibër fisnike e papërkulur nga sfidat e kohërave dhe një qëndër shpirtërore e atdhetarizmit te pamort. 
1- Kur nisa të shkruaja këtë kumtesë pata disa frikëra :
Së pari kohën e shkurtër që pata në dispozicion. 
Së dyti Ismail Strazimirin si figurë e njihja fare pak, të mos them aspak.
Së treti a do t`i justifikoja ato fjalë që m’i tha një miku im pasi fola për “Fisnikërinë dibrane” në një sesion shkencor për Dibrën, si “stërnip Dibre”;
Së katërti a do të arrija ta jepja në nivelin e figurave të tjera si Iljaz Pashë Dibra, Vehbi Dibra, Dom Nikoll Kaçorri, Elez Isufi etj. për të cilat në të kaluarën po edhe sot është shkruar gjërë e gjatë. Për Ismail Strazimirin diçka kisha dëgjuar nga dibranë të moçëm si një figurë e shquar e Dibrës. Në një botim të muzeut të Dibrës 3 – 4 dekada më parë më dilte emri i këtij atdhetari, veçanërisht citoheshin “kujtimet” e tij. Në kërkimet e mija në Arkivin e Institutit të Historisë prapë nëpër skedat e tij më dilte ky njeri. Këto ditët e fundit më ra në ne dorë një Histori e Dibrës, e Prof. Dr. Kristo Frashërit. Nga mbi 600 faqe që ka libri rreth ¼, sidomos kapitujt për fundin e Rilindjes dhe periudhën e Pavarësisë i referohen vazhdimisht personalitetit të Ismail Strazimirit. Nga 34 kapituj që ka libri në 12 prej tyre, duke filluar prej kapitullit të XXIII e deri në fund, historiani ynë më i madh i sotëm, i referohet Ismail Strazimirit. Në mbyllje duke folur për një sërë figurash të ndritura të kësaj treve, ai bën një përcaktim lakonik të kësaj figure. Ai shkruan : “Tjetër figurë e respektuar dibrane që jetonte në vitet e monarkisë ishte Ismail Strazimiri(1868 – 1943). Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike. Mori pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në vitet e fundit të sundimit osman. Mori pjesë gjithashtu në Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e vendit nga zgjedha turke dhe më pas kundër synimeve të shovinistëve serbë. Përkrahës i Revolucionit të Qershorit. Më 1931 botoi librin e tij “ Kujtime Historike mbi Lëvizjen Kombëtare në Qarkun e Dibrës”. Qëllimi i botimit ishte të shpaloste kontributin që dha populli dibran në luftën për pavarësi, demokraci e përparim. Është dëshmor i Luftës Nacional Çlirimtare”. Ai vendoset nga historiani ynë krahas figurave të mëdha të Fuat Dibrës, Ramiz Dibrës (Çoku), Haki Stërmillit, Ramiz Varvaricës, Urfi Agollit etj. Nga kjo periudhë e gjatë e kontakteve edhe me literaturën për Dibrën, emri i Ismail Strazimirit më dilte kudo i pranishëm.Në mënyrë spontane për të kisha një përfytyrim të mjegulluar. Duhej të më vinte ky rast që unë të ulesha dhe me librin e kujtimeve të tij në dorë, botuar në 2010, të kthjellohesha se kush ishte atdhetari Ismail Strazimiri apo të them më mirë fisniku patriot Ismail Strazimiri. Përpara se të flas për të më duhet të them dy fjalë për trevën e Dibrës që e nxorri këtë burrë të fisëm. Si jehonë nga shekujt osmanë na vjen thënia për Dibrën që ka marrë gati – gati vlerën e një proverbi: “Të prishej Stambolli e bënte Dibra por të prishej Dibra nuk e bënte Stambolli”. Dikur sheheri i Dibrës ka qenë shumë më i madh se ç’është sot dhe me një zhvillim shumë të lartë ekonomik, tregtar, kulturor e politik. Ka qenë një qendër e madhe jo vetëm në kuadrin e tokave shqiptare por edhe në Ballkan dhe në kuadrin e Perandorisë Osmane. Ka qenë e famshme Dibra edhe për mjeshtrit e mëdhenj të ndërtimeve që punonin an’e kënd perandorisë e jashtë saj.
Kishte aq shumë prej tyre sa ata mund të ribënin nga e para edhe kryeqytetin e Perandorisë Osmane po të prishej. Por e kundërta nuk mund të ndodhte kurrësesi. Pra për nga rëndësia, e tillë qe Dibra e Madhe në periudhën e Osmanllinjve. Dibra ka edhe një dimension tjetër që s’e ka pasur asnjë krahinë tjetër në luftërat për liri e pavarësi. Dibra ka luftuar dhe ka dhënë ndihmesën e saj dhe ka paguar haraçe gjaku për çlirimin e të gjitha krahinave shqiptare. Ajo ka luftuar edhe për Nishin edhe për Selanikun edhe për Thesalinë edhe për Janinën edhe për Shkupin, Kosovën, për Podgoricën e Shkodrën si dhe për Sanxhakun e Tregut të Ri. Vetë Ismail Strazimiri e vë në dukje në kujtimet e tij, kontributin e jashtëzakonshëm të dibranëve për krejt kombin shqiptar. Ishte Iljaz Pashe Dibra ai që me Halit Frashërin e djalin e tij, Abdylin, luftuan me forcat vullnetare shqiptare edhe për Selanikun, për Thesalinë e për Çamërinë. Varre të dibranëve ka në tërë krahinat e Shqipërisë por varre të të tjerëvë për çlirimin e Dibrës në trevën e saj nuk gjen. Kulti i armëvë që ndizej dhe zhvillohej te fëmijët që në moshë të vogël, nuk ishte shprehje e instiktit të luftës, por pjesë e edukatës dhe e vetëdijes etnike për të mbrojtur trojet, jetën dhe lirinë. Duke vënë në dukje heroizmin e dibranëvë në luftime, përfaqësuesi francez në Janinë shkruante , më 14 dhjetor 1844 “Është luftuar pëllëmbë për pëllëmbë dhe me një vendosmëri të tillë, sa që edhe gratë e fëmijët qenë rreshtuar me luftëtarët”.
Ja ç’thotë një këngë e vjetër dibrane për ngjarjet e 1877 – 1878 me titull “ Lufta e Nishit”
Dervejsh Pasha ku ka mbetë?
Në Manasterj (Manastir LB) në vilajet
Hipi pamporit për Mitrovejcë (Mitrovicë LB),
Ximca (gjysma LB) e asqerit mbet në Nejsh (Nish LB),
Dervejsh Pasha çel tefterin ,
Shtat takame e xhet (gjeti LB)asqerin
Nji takam qi ishin dibranë
Ata hajshin çelik me dhamë (dhëmbë)
Kishe poushk (pushkë) en Tetova,
gjem ( djem LB) të mejr (mirë )kishte Gjakova ,
bajshin irish (sulm LB), hipshin mbi topa.
N’ato kodra, n’ato gropa
n’ato kodra, n’ato grika (gryka LB)
bajshin shiqir (shyqyr LB) çi (që) erdhi Dibra.
Kjo ishte Dibra që nxorri burra si Ismail Strazimiri. Vetë atdhetarët në fjalë e kishin merak kontributin e dhënë prej Dibrës në lëvizjen tonë kombëtare. Bile kujtimet e veta ai i fillon me ndihmesën e Dibrës e të dibranëve në Rilindje.
“Si frut të atij shërbimi që dëshirova por nuk munda me i ba Atdheut e Kombit aq sa desha, po e la këtë vepër ,ku kam provue se dibranët i kanë shërbyer çështjes shqiptare prej kohësh duke bashkëpunue me këta që vinin themelet e indipendencës sonë. Dihet se gati gjashtëdhjetë e sa vjet më parë, Fuqitë e Mëdha, sipas vendimeve të Traktatit të Berlinit patën pjestue tokën shqiptare ndër shtetet e Ballkanit. N’atë kohë në Dibër pikë së pari u bënë bisedimet paraprake dhe u morën vendimet themelore të Lidhjes së Prizerenit; t’atij kongresi të famshëm që i bëri Fuqitë e Mëdha të mendohen dhe i shtrëngoi me i ndërrue vendimet e dhanuna më parë për copëzimin e Shqipërisë së Rumelisë. Vetë Abdyl Frashëri i pat shkrue Iljaz Pashë Dibrës, tue thanë se vendimet e marra në Dibër u pritën me gëzim e kënaqësi të madhe prej parisë së Jugut;porse Mustafa Pashë Vlora, delegatët e Prevezës, të Gjirokastrës dhe viseve të tjera deklarojshin se nuk mund të shkojshin në Stamboll, po të mos shkonte edhe Iljaz Pasha. Prandaj kërkonte që dhe ai të nisej me shkue në Stamboll”.
Sigal